Kryeprokurorja Arta Marku ka kritikuar prokurorët e rrethit të Tiranës për hetimin e dosjeve. Në analizën vjetore të punës së këtij institucioni, drejtuesja e prokurorisë së përgjithshme u shpreh se Tirana ka ngarkesë, por kjo nuk justifikon zvarritjen e cështjeve pa justifikim duke i lënë prej vitesh në sirtar. Arta Marku kërkoi nga prokurorët që të hetojnë pastrim e parave, pasi sipas saj ka shumë pak cështje që janë regjistruar duke mos iu përgjigjur realitetit.
“Në prokurorinë e Tiranës ngarkesa ka qenë më e madhe dhe si duket ka ulur cilësinë dhe efektivitetin në punë. Nuk jeni përqendruar në cështje sa duhet. Çështje mjaft të rëndësishme janë zvarritur pa justifikim, rrinë në sirtar prej vitesh me një mungesë të theksuar përgjegjësie. Për pastrim parash janë regjistruar shumë pak cështje. Kjo situatë nuk i përgjigjet realitetit dhe Shqipëria mund të marrë kritika nga Manival, institucioni i monitorimit të pastrimit të parave.
Hetimet janë të pakta. Përgjegjësia është e secilit prej jush dhe në një moment secili do të mbajë përgjegjësinë që i takon. Kërkoj që të vijoni që të punoni dhe kryerjen e veprimeve hetimore. Nëse veprohet shpejt nuk u lihet hapësirë spekulimeve. Bëni kujdes me deklaratat publike, pasi rrezikoni funksionin primar, atë të hetimeve. Prokuroria nuk mund t’i përgjigjet politikës cdo herë me deklarata” tha Kryeprokurorja.
Ndërkohë që drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi kërkoi luftë më efektive ndaj krimit të organizuar. Analiza vjetore u drejtua nga drejtuesja e Prokurorisë së kryeqytetit, Elisabeta Imeraj. Pjesë e analizës është edhe puna e prokurorive të Matit, Dibrës, Kurbinit dhe Krujës.
vijon