Dalin detaje te reja nga ekzekutimi me plumb në kokë i Ravik Gurras, avokati i Emiljano Shullazit dhe mik i familjes Çapja.
Avokati është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:35, në një lokal në qendër të Elbasanit.
Ravik Gurra, 50 vjeç, ishte ulur në verandën e një lokali mjaft të frekuentuar bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve avokat, kur është qëlluar për vdekje. Autori dyshohet se i është afruar pa u diktuar nga askush dhe e ka qëlluar dy herë në kokë. Personi i maskuar është larguar me shpejtësi, duke hipur në një makinë, në të cilën e priste pak metra më tej personi që e ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas krimit të rëndë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Policisë së Elbasanit, oficerë kriminalistë e të Krimeve të Rënda, si dhe një grup i nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Pak minuta pas ngjarjes, është gjetur e djegur në dalje të Elbasanit makina tip “Benz”, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Nga verifikimet rezultoi që automjeti ishte vjedhur pak kohë më parë në Fushë-Krujë. yhbn-770×441
NGJARJA
“Rreth orës 19:35, në një lokal në Elbasan, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi R.G., 50 vjeç, banues në Elbasan. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët në hyrje e dalje, si dhe po krehin zonën ku dyshohet se janë larguar autorët.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po grumbullon e fikson çdo provë që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes. Një grup ekspertësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është nisur menjëherë në ndihmë të grupit hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e shpejtë të ngjarjes”, tha zyrtarisht Policia në njoftimin paraprak për ngjarjen.
Më pas, burimet konfirmuan se viktima është avokati i njohur Ravik Gurra, i cili së fundmi ishte mbrojtësi i Emiljano Shullazit në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.