Krime spektakulare si në lagjet latinoamerikane, metoda mafioze si në Palermo – dhe një shtet i paaftë për t’u përballur me të keqen: si po fundoset Shkodra në vatër të paligjshmërisë. Shembulli i fundit i frikshëm është vrasja e Nard Polia, i cili ishte një promovues i turizmit malor në Shqipërinë veriore.
Nga Enver Robelli
Në Shkodër sërish i është marrë jeta një njeriu. Nard Polia, një promovues i turizmit malor në Shqipërinë veriore, u vra nga një person deri më tani i panjohur. Krimi u krye në stilin mafioz. Vrasësi iu afrua viktimës me një motoçikletë, hapi zjarr nga një armë me silenciator (armë pa zë) dhe iku nga vendi i ngjarjes. Kështu së paku ka deklaruar një dëshmitar. Motoçikleta u gjet e djegur pranë Urës së Mesit në Shkodër. Vrasësi thuhet se ishte i maskuar me një helmetë të zezë.
Vrasja e Nard Polia nuk është e para në muajt e fundit. Sa herë që nëpër Shkodër kalon një motoçiklist, jo pak njerëzve u dridhet zemra nga frika se ky mund të jetë paralajmërim i vrasjes së radhës. Për motivet e vrasjes së Nard Polia vetëm mund të spekulohet. Ky krim i bën dëm të madh turizmit malor në Theth e rrethinë, ku Polia kishte një bujtinë dhe ishte një ciceron i vlerësuar nga shumë adhurues të natyrës nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera. Tronditja në mesin e ayre që e kanë njohur personalisht është e madhe.
Tepër shqetësuese është heshtja e policisë shqiptare. Duket se autoritetet qendrore të sigurisë në Tiranë dhe ato lokale në Shkodër nuk janë të afta të përballen me krimin në qytetin verior të Shqipërisë. Muajve të fundit në Shkodër janë kryer disa vrasje që janë aq spektakulare, saqë i ngjajnë masakrave në lagjet latinoamerikane, metodat, ndërkaq, janë po aq mafioze si në Palermo. Nuk ka deri më tani asnjë deklaratë të krerëve të shtetit për këtë ngjarje të rëndë. Në Tiranë një qeveri e zhytur në afera korrupsioni po përballet me presionin e një opozite me shumë njolla korrupsioni nga e kaluara. Kjo është arsyeja që opozita nuk po arrin të mobilizojë qytetarët për rezistencë kundër Edi Ramës.
Ndërsa në Tiranë vazhdon kacafytja mes bandave (para)politike, Nard Polia do të varroset të premten në varrezat katolike në Grudë të Re të Shkodrës. Kur shëtiste nëpër Theth, Nard Polia shpesh e mbante në krah vajzën e tij të vogël. La pas gruan shtatzënë dhe një Shqipëri të mbuluar nga shumë të këqija, padrejtësi, mujshi, grabitje, shkatërrime e vjedhje.
Sipas mediave të Tiranës vetëm në 9 muajt e fundit në Shkodër e rrethinë janë vrarë 8 persona. Para Nard Polias u vranë: Mehdi Kavaja, Boran Bërcana, Silvi Ndoci, Fatbardh Lici, Agron Mollaj, Gëzim Hysa, Prendush Fusha, Arjan Ferracaku dhe Fatos Ferracaku. Në një emision të Top Channel të emituar në vjeshtë të vitit të kaluar njoftohej se konflikti disavjeçar mes familjeve Lici dhe Bajri ua ka hëngër kokën 20 njerëzve. Një banor i Shkodrës thotë me fatalizëm: «Kush asht ai n’Shqipni që i ven përfundi këta njerëz? E pamundur». Kryetarja e Bashkisë tregon se si në ditët e vrasjeve dyqanet mbylleshin më herët dhe nuk kishte lëvizje në qytet. Një grua mallkon: «Mua mafia, krimi ma ka marrë shtëpinë, më kanë marrë dy shtëpi mes Shkodrës».
Shumica e krimeve janë rrjedhojë e kontrabandës me drogë, organizimit të llotarive ilegale, armëmbajtjes pa leje, pastrimit të parave, prostitucionit, kurdisjes së ndeshjeve të futbollit. Me një fjalë: në Shkodër haset i tërë koleksioni i krimeve të tranzicionit. Së fundi policia pas aq shumë vrasjeve ka reaguar dhe prangosur disa keqbërës, por goditja e madhe ende nuk i është dhënë krimit në Shkodër, sepse secila bandë i ka edhe lidhjet e veta politike – me pushtetin ose me opozitën. Sa thellë ka shtrirë rrënjët krimi tregon ky shembull: vitin që shkoi u burgos edhe trajneri i kombëtares së femrave në futboll, Armir Grimaj. Ai u përgjua ndërsa po bisedonte me një mafioz për kurdisjen e një ndeshjeje të futbollit.