Dështon sërish seanca në Gjykatën e Apelit, ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë.
Por Gjykata nuk ka ndenjur duarkryq, pasi ka vendosur të gjobisë avokaten e vendosur kryesisht Eralda Brahimasi me 100 mijë lekë dhe të referojë rastin në Dhomën e Avokatisë.
Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi grupin me 54 vite burg në total, 14 vite u dënua Emiljano Shullazi por vendimi i ankimua si i padrejtë nga të pandehurit.
Kjo është e pesta herë që gjyqi ndaj 5 të pandehurve dështon, ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 mars.
Shullazi dhe grupi i tij u shpallën fajtorë nga Gjykata për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënin e pasurisë”, në dëm të Ylvi Beqajt. Kjo vepër penale, sipas Gjykatës, është kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nga hetimi i Prokurorisë, ka rezultuar se ka qenë fillimisht biznesmeni që ka kontaktuar me Emiljano Shullazin dhe pas këtij takimi janë bërë edhe 4 takime të tjera.
Beqja ka kontaktuar me Shullazin, me qëllimin që ta ndihmojë në lidhje me procedurat mbi pronësinë e hotel “Vollgës”. Prokuroria i akuzon të pandehurit se duke vepruar si grup i strukturuar kriminal, kanë shtrënguar me anën e kanosjes shtetasin Ylvi Beqja dhe ky i fundit i kaloi në pronësi Emiljano Shullazit një pjesë të ishhotel “Vollga” në Durrës, si edhe shuma të konsiderueshme monetare.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi është shpallur i pafajshëm nga Gjykata për kërcënimin e bërë ndaj rektorit Mynyr Koni dhe dekanit të Ekonomikut, Dhori Kule. Referuar pretencës së Prokurorisë, Konit i është afruar një makinë e zezë, ata kanë hapur xhamin dhe e kanë ftuar që të futej në makinë. Pasi është futur në makinë, i kanë thënë se duhet të jepte dorëheqjen nga pozicioni dhe gara.
Ky deklarim i dekanit mbështetet nga veprimi i tij për të dhënë dorëheqjen, kohën dhe momentin që e ka bërë. Por kërcënimit për shkak të detyrës, nuk i ka shpëtuar as ish-rektori Dhori Kule. Sipas Prokurorisë, këtij të fundit i kanë dalë para 3 makina me xhama të zinj, ku dikush i kishte thënë se nuk duhet të ndalonte Konin të jepte dorëheqjen.
TË DËNUARIT:
Emiljano Shullazi 14 vjet
Gilmando Dani 12 vjet burg
Endri Qyqa 10 vjet burg
Endri Zela 10 vjet burg për
Blerim Shullazi 9 vjet burg