Nga Bedri Islami
Në dy Numra radhazi në Dita, deputeti Spartak Braho, ish-Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ka hedhur fakte të një rëndësie dhe vëmendje të veçantë rreth rolit dhe lidhjeve të Sali Berishës, ish-President dhe ish-Kryeministër, me struktura të veçanta të Shërbimit sekret serb, lidhje, të cilat, gjithnjë sipas Brahos, janë realizuar në dhjetorin e vitit 1974, duke kaluar përmes kanaleve franceze, të njohura për lidhjet e tyre të kaherëshme me shërbimin serb.
Disa kohë më parë, vetë Berisha, në një intervistë gjysëm haluçinante, ka pranuar se, në kohën kur ishte me shërbim në Francë, pranë ekipit të mjekëve në ndjekje të ecurisë së sëmundjes të numrit 2 të kupolës së Partisë së Punës, Hysni Kapo, i cili, veç funksionit të tij si sekretar Organizativ i Komitetit Qendror, kishte nën mbikëqyrje edhe Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Jashtme etj., është ndjekur nga funksionarë të zbulimit të jashtëm serb dhe ka patur kontakte të padëshiruara nga vetë ai me ta.
Deputeti Braho, jo vetëm në këtë rast, por edhe më herët, ka bërë publik materiale që rëndojnë mbi jetën politike e shtetërore të zotit Berisha, sidomos lidhur me ngjarjet e marsit të vitit 1997, si urdhërin për mobilizimin e skalioneve civile, besnike të PD-së, nga Veriu i Shqipërisë, për t’i përdorur kundër protestave masive në jugun e vendit; urdhërin për bombardimin e urave që lidhnin jugun me veriun, si dhe urdhëra të tjerë, të cilat ishin në koordinim me të plotfuqishmin e shtypjes së ngjarjeve në gjithë Shqipërinë, që ishte njëkohësisht edhe shefi i Shërbimit Informativ në Shqipëri, Gazidede, i cili më pas vdiq në rrethana të njëjta dhe në të njëjtin spital ku kishte vdekur edhe një tjetër ministër i Berishës, i cili u largua nga vendi sapo nisën protestat, pikërisht për të mos qenë pjesë e asaj që ishte parashikuar në presidencën e kohës, zoti Zhulali.
Pra, nuk është një rastësi që ish kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, zoti Braho, nxjerr dokumenta të tillë, nga ajo e quajtur “çanta e baba Takut”, një çantë që po të hapet plotësisht do kishte bërë që disa figura të tashme politike të merrnin arratinë.
Sa janë të vërteta deklarimet, botimet, dokumentet e afruara nga zoti Braho? Fakti që ai, me vetëdije, i boton ato dhe merr përsipër riskun e përballjes edhe në sistemin e drejtësisë, dëshmon se ai ndjen siguri në të gjithë këtë hapje dosjesh dhe se këto të vërteta mund të jenë përvëluese.
Në fakt, pa dashur të jem mes dy vetëve që e njohin mirë dhe shumë gjatë njëri tjetrin, në shtetin shqiptar të fillimit të pluralizmit e deri tash, sot e kësaj dite, shërbimi i fshehtë serb ka gjetur terrenin e tij dhe ka bërë mjaft fole, të cilat sistemi i sotëm nuk ka arritur t’i hedhë në erë të gjitha. Opozita sot, duke dashur të hedhë në erë këtë sistem, mes të tjerave synon që, deri në fund të mund të fshijë çdo gjurmë të asaj që ka ndodhur me disa nga eksponentët e saj, të hershëm dhe të tashëm, disa nga të cilët shfaqen si “evropianistët” më të ndritur dhe më të vërtetë të këtij vendi.
Që nga ardhja e parë e një eksponenti të lartë pranë qeverisë së Millosheviçit, janar 1991, ekspert për Shqipërinë dhe në lidhje jo shumë të largëta familjare me njerëzit e Berishës, që solli edhe ndihmat e para financiare dhe kursin që duhet ndjekur, e deri tek miqtë e ngushtë të Fazlliçit , është luajtur e njëjta linjë, në prehrin e së cilës, kanë rënë nganjëherë edhe socialistët.
Elementë të rangut të lartë të shërbimit të fshehtë serb në Maqedoni, si Petrit Ame, që u bë krahu i djathtë i Gazidedes, njëri ndër figurat më enigmatike të këtij zbulimi që për disa kohë kishte ndikim të ndjeshëm tek shërbimi shqiptar, funksionarë të lartë të shërbimit të fshehtë sekret serb në Kosovë, të cilët zbarkuan në Shqipëri dhe në lidhje me shërbimin shqiptar, si Mehmet Loci, që u bë fill pas shpalljes së LDK-së, si shefi i shërbimit sekret të Rugovës, Maliq Sheholli, njëri ndër njerëzit me gradën më të lartë të këtij shërbimi, i cili informonte për shtrirjen e lëvizjes çlirimtare e që, më pas, u eliminua nga lëvizja çlirimtare në Kosovë, e deri tek Rexhep Gjergji apo Anton Kola, ishin rezidentë në këtë vend dhe të përkëdhelur nga politika e ditës.
Pra, edhe nëse lidhja e drejtpërdrejtë e zotit Berisha me shërbimin e fshehtë serb është e vështirë të saktësohet dhe këtë mund ta bëjë më qartë se kushdo zoti Braho, lidhjet e tjera kanë qenë të njohura dhe që kanë kushtuar jetë njerëzish, mundësi përplasje mes forcave çlirimtare dhe shërbimit serb apo shqiptar.
E rëndësishme është një fakt tjetër: reagimi i shoqërisë sonë pas këtyre denoncimeve, ku, një deputet, është i gatshëm të përballet në gjykatë për akuzat e tij dhe, një ish deputet dhe ndër figurat qendrore të 30 viteve të fundit është i akuzuar?
Nëse kjo do të ndodhte në cilindo vend europian shoqëria do të kishte mbajtur frymën, parlamenti do të kishte ndaluar punën e tij, gjithë rrjeti i gjerë i medieve, politikës, shërbimeve të inteligjencës, do të kishte pasur një intensitet të paparë dhe, në fund, njëri nga të dy, si i akuzuari, si akuzuesi nuk do të kishin pasur një përballje të lehtë.
Më e pakta e të paktave, njëri do të ishte larguar nga politika.
Shoqëria shqiptare hesht. Për të është më e rëndësishme lëvizja e Bashës drejt Holandës, një ritual javor apo kollitja e Berishës, se sa ky lajm që duhet të trondisë gjithë shtetin.
Mendoni për një çast sikur e gjithë kjo të kishte qoftë edhe një përqindje të vogël nga e vërteta, e jo sikur e gjitha të ishte e vërtetë!
Mendoni sikur shefi i shtetit dhe kryeministri të kishin patur ato lidhje, për çka akuzon tani një deputet!
Ka mbi 30 vite që njerëzit e politikës sonë e akuzojnë njëri tjetrin për tradhti dhe bashkëpunim me shërbimet e huaja. Nuk ka mbetur asnjë politikan i nivelit të lartë të së majtës pa u etiketuar nga Berisha si njeri i serbëve apo grekëve, në varësi nga ajo që është luajtur në fushën e politikës.
Akuzat e Berishës kanë shkuar edhe më tej, te liderë të luftës në Kosovë apo në Maqedoni, sa herë që njëri apo tjetri ia kanë prishur qejfin.
Po sikur të jetë e kundërta? Sikur instalimi i shërbimit të fshehtë serb të ketë qenë në majat më të larta të pushtetit në Shqipëri?
Heshtja e opinionit publik, e qytetarëve, e mediave, e organeve të drejtësisë, e Shërbimit Informativ, e Presidencës, janë heshtje vrasëse.
Ata duhet të ngritin jo thjeshtë zërin, por të kërkohet e vërteta deri në skaj, sepse, kjo lojë me spiunë dhe të shitur duhet të ketë një fund.
Ndoshta , mes njërës palë e tjetër, qëndrojnë dy botëkuptime të politikës, por kjo nuk duhet të pengojë askënd, asnjë institucion, asnjë grup interesi, asnjë organizim, që të kërkojë të vërtetën.
Ne kemi struktura që protestojnë edhe për një gjë të zakonshme, ndoshta për të justifikuar financimet që marrin, por, kësaj here, të gjithë ata që sot heshtin, duke menduar se edhe tani është një lojë e përsëritur, me spiunë e tradhtarë, ndoshta një ditë do të kuptojnë se heshtja e tyre e institucionalizon edhe më tej praninë e një shërbimi të egër, urrejtës, ndaj vendit tonë dhe, përmes heshtjes, mund të jemi bashkëfajtorë.
Bedri,komentin tim,per keteshkrim,t’a kam shkuajtur,tek gazeta Dita,ku militon perjetsisht.