Ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati, u shpreh sot, se protestat janë pjesë të shoqërisë demokratike, por vendimi ekstrem i opozitës për lënien e mandateve, është një veprim i dëmshëm për vendin.
Në një intervistë televizive lidhur me situatën politike në vend, Bushati tha se, “ky veprim i opozitës e vë vendin përballë sfidës së Qershorit, ku vendet anëtare të BE-së vendosin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe nuk ka dyshim, që nuk do të ndikojë pozitivisht. Natyrisht ne jemi në një moment delikat kur pyetemi për protestat dhe besoj se ato janë një instrumente i shëndetshëm, por problemi është në faktin se për herë të parë opozita ka marrë një veprim ekstrem siç është djegia e mandateve. Është një veprim që ka pasoja për të gjithë jetën politike”, – tha ai.
Bushati shprehu bindjen se, djegia e mandateve të opozitës është një veprim që do ndikojë në vendimin për çelje e negociatave.
“Dialogu, tha ai, është e vetmja rrugë që trajton këtë sistem. Dialogu do sillte palët në ‘binarët’ e Kushtetueses. Zgjedhjet mund të kenë pasur mangësi, por mendoj se në rastet kur opozita ka dyshime duhet t’i drejtohen institucioneve”, – u shpreh ai.
I pyetur se sa ndikon situata politike në vend në vendimin e KE për çeljen e negociatave të anëtarësimit, Bushati shprehu bindjen se, “rreziku që i kanoset Shqipërisë nga mungesa e perspektives eeropiane është një rrezik më i madh për Shqipërinë, se sa për projektin europian”.
“Shqipëria nuk mund të jetojë pa perspektiven evropiane. Mendoj se çdo papërgjegjshmëri e politikës do ndihet më vonë. Fillimi i bisedimeve është në interes të të gjitha palëve. Opozita ka të drejtën e saj të bëjë protesta, por logjika e imponimit nuk është e shëndetshme për shoqërinë. Më vjen turp që ne ende eksportojmë krizën dhe problemet tona në gjithë të huaja në institucionet evropiane gjë që fqinjët tanë nuk e bëjnë”- tha Bushati.
Bushati theksoi gjithashtu se, politika e jashtme është nga ato fusha konservatore që nuk ndryshon nga drejtimi i një ministri apo qeverie.
/a.rada