Nga Altin Ketro
Pas dorëheqjes kolektive nga mandati i deputetit, të ligjvënësve të PD-së dhe LSI-së, për liderët e opozitës, Basha dhe Kryemadhi, do bjerë një barrë e rëndë mbi shpinë për të menaxhaur situatën post factum. Herën e parë, kur u bë bojkoti 6 mujor i Kuvendit, u pa se sa më shumë afroheshin ditët kur mandati u digjej, aq më shumë për liderët respektivë u rrit presioni prej deputetëve të tyre për t’u rikthyer në Kuvend. U desh veç një sebep, ai i protestave studentore të fillim dhjetorit, që me këtë rast opozita t’i rikthehej jetës parlamentare me justifikimin për të votuar amendimet ligjore që plotësonin kërkesat e studentëve.
Më shumë se sa vullnet i liderëve, dukshëm u pa se ata u tërhoqën zvarrë prej rezistencës së deputetëve për të shpëtuar mandatin. Kur e panë se disa syresh e bënë fakt të kryer vajtjen në Kuvend, u detyruan që t’i ndiqnin pas për të mos krijuar në publik idenë e përçarjes.
Por pas vetëm 2 muajsh, dy liderët u “hakmorrën” ndaj deputetëve të tyre duke i detyruar kësaj herë të dorëhiqen me përdhunë. Fakti që grupi i deputetëve u gjend përpara faktit të kryer të një vendimmarrje të personalizuar vetëm nga kryedemokrati Lulzim Basha, i pasuar prej zorit edhe prej zonjës Kryemadhi, ata u detyruan t’i ndjekin pas liderët e tyre për të ruajtur një unitet fals.
Natyrisht, ata të dy kanë luajtur me emocionet e deputetëve të tyre të cilët, në rast se do bënin rezistencë, praktikisht e nxirrnin jashtë loje së pari Lulzim Bashën, duke i dhënë kësisoj një shkarkim të drejtpërdrejtë. Dhe, për t’ia ruajtur autoritetin atij, sakrifikuan mandatet e tyre. Padiskutim që një injorim i liderit të tyre politik në një vit elektoral do të ishte një katastrofë e rëndë politike.
Si Basha ashtu dhe Kryemadhi duhet t’u kenë dhënë garanci deputetëve të tyre se edhe ata që pasojnë listën vijuese do i qëndrojnë besnik vendimit për të mos pranuar njohjen e Kuvendit aktual. Gjithashtu, Lulzim Basha ka luajtur me kartën e njohjeve personale që ka ndër udhëheqësit e Partive Popullore, simotra me PD-në, duke besuar në një solidarizim të tyre me aktin ekstrem të opozitës shqiptare.
Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi i ka mbajtur me shpresë të vetët se kjo dorëheqje do të jetë e përkohshme, veç tri muaj, sepse, sipas saj, në maj do ketë zgjedhje të parakohshme. Ajo do i ketë sjellë si shembull situatën e vitit 2013 ku ministrat e LSI-së dhanë dorëheqje nga qeveria “Berisha” pas marrëveshjes Rama-Meta, duke qëndruar vetëm pak muaj jashtë pushtetit.
Por, në të gjithë skenarët e tyre, liderët opozitarë kanë dështuar.
Së pari, besimi i tyre se nuk do kishte zëvendësime prej deputetëve vijues në listë nuk po rezulton i vërtetë. Lista e PD-së është një mishmash demokratësh e përzier me emra përfaqësuesish partish të vogla, aleatë në zgjedhje. Duke qenë pragmatistë, ata e dinë se s’do kenë më shans të jenë tek lista e PD-së, as që do u jepet më në jetë shansi të bëhen deputetë, kësisoj po shfrytëzojnë në maksimum mundësinë e artë që u dha PD-ja dhe po zënë me shpejtësi vendet e lira të lëna bosh prej saj. Po kështu edhe tek LSI-ja, duke parë kuotat në rënie të kësaj partie, ata që pasojnë në lista janë të vetëtdijshëm që s’do u vijë më në jetë ky rast për të bërë karrierë në rangje kaq të larta të politikës.
Së dyti, faktori ndërkombëtar, nën një solidarizim të përbashkët, as nuk e diskutoi dënimin e aktit të opozitës. Afërmendsh që ashtu do të vepronte, sepse ata nuk ishin çmendur si Lulzim Basha që duke e përkrahur atë akt të krijonin precedentin e rrezikshëm të ndryshimit të rregullave të demokracisë nëpërmjet shantazhit e presionit politik. Sado që të përpiqet Lulzim Basha që t’u mbushë mendjen se cilat ishin arsyet e këtij akti, ai e ka të qartë që nuk do të gjejë asnjë mbështetje, sepse askush në PPE nuk do që nesër t’u ndodhë edhe atyre kjo formë presioni opozitar për të detyruar provokimin e zgjedhjeve të parakohshme. Bile, dyshoj se modeli opozitar shqiptar do të izolohet prej tyre, si një shembull që askush në vende të tjera evropiane të mos e çojë ndërmend të hedhë hapa të ngjashëm.
Së treti, ideja e Kryemadhit se në maj do të ketë zgjedhje të parakohshme, është tallja më e madhe që i bëhet deputetëve të saj, e nëpërmjet tyre edhe atyre demokratë. Më 30 qershor janë dekretuar zgjedhjet e vendore dhe s’ka legjislacion që i shtyn ato përtej kësaj date. Më falni, po a e ka Shqipëria luksin financiar, organizativ e administrativ, që në maj të zhvillojë zgjedhje parlamentare dhe një muaj më pas, në qershor, zgjedhje vendore?! Që në këtë çast bie edhe shpresa e vetme me të cilat zonja Kryemadhi po mban ndezur zemrat e ish-deputetëve të saj.
Siç theksova edhe më lart, deputetët që po pranojnë mandatet po tregojnë pragmatizëm. Por nga partitë që i kanë vendosur në listë ata po konsiderohen tradhëtarë. Në historikun e politikës shqiptare, pragmatizmi nuk është diçka e re, e pa ndodhur më parë. Kush e ka kujtesën të shkurtër, i kujtoj se në zgjedhjet e vitit 2009, Partia Demokratike siguroi vetëm 70 mandate, kështu që nuk formonte dot qeveri. Përpara fushatës, një parti e re, LSI-ja, që ishte themeluar vetëm 4 vite më parë, kish bërë një fushatë të egër “anti-Berishë”, bile në këtë anë ia kaloi edhe vetë PS-së. Ama, sapo mësoi se 4 votat e saj të “arta” e sillnin në pushtet, harroi gjithçka kishte thënë kundër Berishës, harroi edhe faktin që PS-ja po i kontestonte zgjedhjet për dyshime të forta manipulimi ku kërkonte thjesht hapje të kutive të dyshuara, dhe lidhi koalicion qeverisës me PD-në nën justifikimin: “vendi ka nevojë për qeveri dhe ne, LSI, duhet të jemi faktor stabiliteti në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”. LSI-së dhe liderit Meta nuk iu bë vonë se u quajtën “patericë e Saliut”.
Pragmatizmin e pranoi edhe ish-kryeministri Berisha teksa në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 u detyrua t’i mbijetojë qeverisjes për rreth 5 muaj me votën vendimtare të Kaçit të Zi, një ish-deputet socialist i vijës së parë.
Prandaj trysnia që po u bëhet deputetëve të rinj opozitarë duket i tepruar kur kjo opozitë i ka precedentët e vet, më shqip, shembujt e vet, ku këta rishtarët shohin modelin ku bazohen. Fundja, deputetët që po pranojnë mandatet as nuk kanë kaluar në krahun e PS-së, prandaj nuk mund të quhen as tradhëtar. Çdokush prej tyre duhet të gjykohet individualisht për hapat që do të hedhë në të ardhmen. Njëkohësisht, duke qenë në prag të çeljes së negociatave me BE-në në qershor, ata, me aktin e tyre, po kontribuojnë me shumë dinjitet në këtë drejtim, bazuar në precedentin e dikurshëm të LSI-së.
Në këto kushte, çdo ditë që kalon dhe qeveria nuk bie, dhe s’ka sesi, për dy liderët Basha e Kryemadhi, do kemi ditë të vështira brenda kampeve të tyre. Grupi i deputetëve që i ndoqi pas do ndjehen të tradhëtuar teksa shohin kolegët e tyre, ata që i zëvendësuan, të vijojnë të qetë jetën parlamentare, aty ku bëhet politika e madhe. Kurse ata, të mbetur pa rrogë e pa asnjë përfitim tjetër që ua njeh statusi i deputetit, do t’i ndjekin gjithë zili prej televizorit.
Tmerri më i madh për këtë dyshe do të jetë momenti kur me shumë gjasë grupet e reja parlamentare të opozitës të tregojnë një sjellje brenda normave të debatit politik, gjë që u mundëson atyre të fitojnë simpati në elektorat në raport me agresivitetin e shëmtuar që shfaqte grupi i të dorëhequrve. Kthimi i Kuvendit në normalitet diskutimesh, me ballafaqim idesh dhe programesh mbi baza të shëndosha midis mazhorancës dhe opozitës, pa kacafytje e sherre ordinere, do të jetë goditja më e madhe për opozitën e mbetur rrugëve. Kjo, pasi ajo ka qenë deri më sot shëmbëlltyra e një modeli të keq ku publiku i gjerë, prej sjelljeve të saj destruktive, kishte krijuar një zhgënjim të madh tek e gjithë klasa politike duke i futur kësisoj të gjithë në një thes.
Defaktorizimi i opozitës së rrugës, përballë faktorizimit të opozitës së institucioneve, pashmangshmërisht do çojë në një përçaje të së parës dhe humbje të autoritetit të liderëve të tyre. Në këto kushte, ata do shohin si të vetmen rrugë mbijetese, modelin e radikalizmit të situatave politike duke shfrytëzuar grupet e huliganëve për të krijuar incidente artificiale për të pasur sebepe, sado periferikë, për t’i kthyer në kauza të mëdha.
Të ndodhur përpara një populli që në shumicë dërrmuese e përbuz këtë vijë sjellje të PD-së dhe LSI-së, projeksioni i këtyre dy partive do jetë drejt shuarjes në rast se nuk do të ketë reflektim së pari për zgjedhjet vendore. Prandaj grupi i deputetëve të dorëhequr të mos nxitohet t’i anatemojë si tradhëtarë ata që po marrin mandatet. Fundja ata do jenë i vetmi nukël i përfaqësimit të tyre në Kuvend dhe kush e di, me sjelljen dhe veprimet e tyre parlamentare mund të fitojnë aq simpati në popull sa që grupi i të dorëhequrve mund t’i shohë ata si e vetmja mundësi për t’iu rithyer edhe njëherë jetës politike. Sigurisht, nëse deri atëherë nuk ndodh ndonjë tjetër akt ekstrem prej kamikazësh politikë nga dyshja Basha – Kryemadhi. Me liderë të tillë, çdo gjë bën vaki.