Real Madridi ka konfirmuar se sulmuesi brazilian Vinicius Junior e ka lënduar ligamentin në gjurin e djathtë gjatë humbjes kundër Ajaxit në Ligën e Kampionëve të martën mbrëma.
Shkalla e dëmtimit të tij nënkupton se ai mund të mungojë dy muaj për t’u riaftësuar plotësisht, transmeton Gazeta Express.
Në komunikatën për media, Madridi nuk specifikoi sesa gjatë do të mungojë 18-vjeçari, por sipas burimeve të gazetës spanjolle “AS”, natyra e lëndimit që braziliani e ka pësuar mund ta lërë atë jashtë fushave të lojës për hiç më pak se dy muaj.
Kjo është goditje e rëndë jo vetëm për Madridin, por edhe për vetë Viniciusin, i cili ka qenë i vetmi yll shndritësh në një sezon të tmerrshëm për Los Blancos.
Vinicius është thirrur edhe në Kombëtaren braziliane për ndeshjet miqësorë këtë muaj, por do t’i duhet të presë më gjatë për ta bërë debutimin në ekipin kombëtar.
Ndeshjet në të cilat Vinicius do të mungojë për Real Madridin në La Liga: Real Valladolid, Celta, Huesca, Valencia, Eibar, Leganés, Athletic, Getafe, Rayo dhe Villarreal.