Nga Altin Ketro
Në politikën shqiptare sheh dukuri të çuditshme kur për të njëjtën çështje a problematikë, partitë kanë qëndrime të ndryshme në varësi të pozicionit ku ndodhen. Shembulli më domethënës është ngjarja e 21 janarit ku ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e konsideronin të ligjshme vrasjen e 4 demonstruesve paqësorë duke e justifikuar me lloj- lloj rregulloresh. Kurse në protestat e datës 16 shkurt përpara kryeministrisë, e asaj të datës 26 shkurt përpara Kuvendit, ishin po vetë, Berisha e Basha, që nxisnin turmat të pushtonin me dhunë godinat qeveritare.
Jo vetëm kaq, po gazin lotsjellës të hedhur nga Garda për të shpërndarë grupet huligane, e shpallën akt kriminal që rrezikoi jetën e protestuesve, ndërkohë që 4 mijë plumba të shkrehur qorrazi në ajër dhe 4 plumba të shënjestruar në mish njeriu me pasojë vdekje, nuk i konsideronin fare si kërcënim për jetën e qytetarëve. Bile, çuditërisht, edhe gazin lotsjellës me të njëjtin efekt që u hodh më 21 janar, e kanë harruar.
Akoma më keq, ish-Presidentin Topi, për thirrjet e tij për vetëpërmbajtje dhe lejimin e organeve ligj-zbatuese për të hetuar vrasjet, Berisha e Basha e konsideruan puçist, kurse veprimet e bashkëshortes së Presidentit Meta, që, bashkë me Lulin, rrethuan me protestues çdo hyrje- dalje të Kuvendit për të mos lejuar deputetët e mazhorancës të ushtronin detyrën, si dhe pengimin e tyre për të dalë të lirë duke krijuar kësisoj një situatë pengmarrje, e konsideruan si vullnet i ligjshëm i protestuesve.
Janë edhe shumë shembuj të tjerë krahasues, por për të mos u zgjatur mjaftojnë vetëm këto për të nxjerrë në pah se sa të pasinqertë janë opozitarët tanë kur sot bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme.
Mjafton që Lulzim Bashën ta vendosim në mënyrë hipotetike në detyrën e kryeministrit dhe Monika Kryemadhin në detyrën e krye-parlamentares, t’u japin dhe 80 mandate e t’i pyesim gjithë qesëndi: A jeni të gatshëm ju, zonjë e zotëri, të hiqni dorë nga pushteti 28 muaj përpara afatit kushtetues? A do ia plotësoni dëshirën opozitës për të bërë zgjedhje të parakohshme? Pse ju, zonjë e zotëri, keni frikë nga zgjedhjet? Meqë ju që i fituar ato përpara 20 muajve, përse nuk e provoni sërish veten nëse i keni ato numra?
A ka njeri me mend në kokë që do ta besonte që dyshja opozitare Basha-Kryemadhi, do jepnin përgjigje pohuese për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme?! Jo vetëm që dëshirën e opozitës hipotetike, PS, do e konsideronin si etje për pushtet, por edhe thirrjet e liderit “opozitar”, Rama, për të pushtuar institucionet, do t’i quanin të dënueshme penalisht. Lëre sikur në krahë të “opozitarit” Rama të ishte edhe bashkëshortja e Presidentit, ndërkohë që ata ndërsenin turmat të merrnin nën kontroll kryeministrinë dhe Kuvendin, puçi pastaj do kishte formën e tij më të përligjur.
I them këto sepse shoh disa zëra, edhe nga analistë të pavarur, që thonë që Rama ta provojë njëherë, të guxojë se s’u bë hataja po qe se zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Ky thjeshtëzim dhe këto sugjerime disi tinëzare, për një çështje kaq nevralgjike e cila del përtej dëshirës dhe vullnetit të Ramës, edhe sikur ai të dëshironte, më duket një absurditet në të gjithë dimensionet e tij.
Mbaj mend se kur kryeministri Rama, me vullnet personal dhe të pa konsultuar me kryesinë e PS-së, vendosi të ndajë pushtet ekzekutiv me opozitën përpara zgjedhjeve të vitit 2017, pati shumë kundërshti, jo vetëm në qarqet e larta të PS-së, por sidomos në bazën e partisë.
Ky vendim individual, me një rëndësi të madhe politike, atij iu mor si dobësi përballë presionit të opozitës e cila, nëpërmjet një çadre (të kopjuar prej Ramës), kërcënonte me mospjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare.
Megjithatë ai guxoi dhe personalisht kam shkruar se e mbështes në atë aksion të guximshëm i cili, më shumë penalizonte opozitën se sa vetë Ramën, të cilin në fakt e nxirrte superior pasi ai fitoren nuk e bazonte tek qenia kryeministër, por tek besimi në popull.
Kësaj here ndryshon puna. Kemi një konfirmim të qartë e të pastër me votë që shqiptarët i dhanë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës si kryeministër. Është një besim që nuk mund të tradhtohet vetëm prej kërkesave të palës humbëse. Do ishte vërtetë një gafë e rëndë politike me efekt afatgjatë që t’i thuash elektoratit tënd që unë, si kryeministër e si parti fituese, po e vë në dyshim votën tënde dhe po të thërras sërish të më japësh votëbesim.
Aktualisht Partia Socialiste ende nuk ka konsumuar gjysmën e mandatit të saj. Si një rast i rrallë ku një parti qeveris tërësisht e vetme, nuk mund t’i bëhet kurrë bilanci pa përmbushur 100 për qind të rrugëtimit. Prandaj në Kushtetutë janë parashikuar 4 vite qeverisje me qëllim që ato që mbjell në nisje të mandatit, t’i korrësh në fund të tij. A do të jenë frytet pozitive apo negative, këtë e përcakton vetëm populli me votë e askush tjetër.
Në këto kushte, nuk mund të bëhet kurrë njëanshmërisht Partia Socialiste si shembull që lëshon pe, thjesht se duhet mbajtur nën kontroll destruktiviteti i opozitës. Kjo lloj opozite, me mentalitet të theksuar prej humbësish, që edhe kur bëhen të gjithë partitë bashkë sërish e kanë frikë Edi Ramën, nuk mund të përkëdhelet kaq shumë e të mbahet me gajret nga frika e disave se mos na destabilizon vendin.
T’u japësh oksigjen të tillave parti, është njësoj sikur Uashingtoni t’i plotësojë dëshirat Al-Kaedës nga frika se mos ajo sulmon sërish Amerikën.
Kjo opozitë e bashkuar, ja ku i ka zgjedhjet, jo më larg se 4 muaj. Ajo le ta provojë aty njëherë se sa e zonja është e sa i mbajnë këllqet, në mazhoritar për kryetar bashkie dhe në proporcional për këshilla bashkiakë. Meqë kanë përballë kryeministrin më të keq, që ka shkatërruar gjithë Shqipërinë, që s’ka lënë gjë pa i bërë këtij vendi e populli, e kanë shumë të thjeshtë që ta mundin. Bile, pa u sforcuar se Rama ua paska bërë fare të lehtë punën. Por nuk e bëjnë dot, sepse kjo opozitë ka shumë probleme e një ndër to ajo e ka brenda vetes; nuk lidh dot marrëveshje parazgjedhore mes aleatësh.
Në vitin 2013, Edi Ramës iu desh vetëm aleanca me Ilir Metën dhe nuk pyeti fare për Sali Berishën, ishte apo nuk ishte ai kryeministër, kishte apo nuk kishte ai gjithë makinerinë shtetërore në dorë. Ai besoi tek populli shqiptar, hyri në zgjedhje sypatrembur dhe fitoi në koalicion me LSI-në.
Në vitin 2017 sërish besoi tek populli shqiptar dhe, ashtu i vetëm trim në luftë, i mundi të gjithë palët, duke qenë vetë minorancë në ekzekutiv. Në vitin 2019, Lulzim Bashës nuk i mjafton aleanca me bashkëshorten e Ilirit. As ajo me Idrizin, Dulen, dreqin e të birin. Nuk futet dot në zgjedhje sepse nuk ka besim tek Monika. Se tek populli ai s’ka e s’ka besim. Të dy janë të etur për pushtet, veçse jo në kurriz të zvogëlimit të hartave të tyre, por të Partisë Socialiste.
E parë në këtë prizëm, mendjelehtësia analitike për t’i dhënë çdo gjë të gatshme në tabaka Lulzim Bashës vetëm se nuk bën dot marrëveshje me Monika Kryemadhin, e kamufluar kjo nën petkun e alibisë “Rama”, është fyerje e rëndë për popullin e majtë në veçanti e atë shqiptar në përgjithësi. “Oreksi vjen duke ngrënë”, thotë populli, prandaj sa më shumë t’ia hapësh gurmazin kësaj opozite, aq më shumë do i zgjerohet stomaku.
Nuk ndërtohet kurrë demokracia me forma të tilla para-politike, ku shantazhi merr rol kryesor dhe vullneti i populli nëpërkëmbet. 30 qershori po afron dhe opozita, po të dojë, le ta kthejë atë në një sprovë të madhe votëbesimi politik, në një plebishit kombëtar, për veten dhe mazhorancën. Partia Socialiste, e vetme përballë të gjithëve, besoj se i del për zot kësaj sfide. Po opozita, ajo e bashkuar, a do mundet vallë t’i dalë?!