Nga Altin Ketro
Ish-deputetja demokrate, zonja Albana Vokshi, doli gjithë tërsëllëm në një deklaratë për shtyp nga selia e SHQUP-it, për t’i bërë me dije shqiptarëve e ndërkombëtarëve se ka zbuluar formën më të fundit të “manipulimit” të zgjedhjeve; atë të marrjes së numrit personal të letërnjoftimit.
Në ndryshim nga herën e kaluar, kur “manipulimin” do ta bënte ministria e Arsimit në kuadër të një projekti mbi ngritjen e sistemit elektronik të ndërveprimit mësues- prind, kësaj here zbulimi u bë nëpërmjet një formulari që një prej agjencive të bashkisë Tiranë, QEZHEF, kishte shpërndarë nëpër çerdhe dhe kopshte.
Duket se Partia Demokratike ndodhet nën paranojë prej një manipulimi hipotetik të zgjedhjeve. Frika që i ka kapluar për t’u përballur me kundërshtarin, halli se s’ia dalin dot që ta mundin me vota, i kthen në paranojakë qesharakë që mes halucinacionesh imagjinojnë vetëm manipulim votash edhe aty ku s’ka shans që të ndodhë.
Zonja Vokshi, duke tundur në dorë një letër të agjencisë përgjegjëse që menaxhon çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, pretendon se nëpërmjet saj do kryhet një manipulim masiv votash!!! Shkak për këtë bëhet marrja e numrit të kartës së identitetit. Ende e kam të paqartë, që nga hera e parë që e nxori nga goja këtë xhevahir, se si mund të kryhet manipulimi i votës vetëm duke i ditur numrin e kartës dikujt. Votimi, duke qenë manual, bëhet individualisht me paraqitjen e secilit zgjedhës tek qendra e votimit.
Nuk di deri më sot ndonjë rast që dikush të ketë votuar për dikë tjetër vetëm duke i thënë komisionit të zgjedhjeve se numri im i kartës është iks dhe kësisoj ky jam unë, pavarësisht se nuk paraqes asnjë dokument identifikimi. Kuptohet që kjo është një broçkull që as vetë zonja Vokshi nuk e beson, por ajo e hedh në tregun mediatik me qëllim që ta hajë kush ta hajë.
Përtej kësaj, zonja Vokshi duhet të dijë se bashkia Tiranë nuk e ka fare problem ta marrë vesh numrin e kartës së secilit prind. U mjafton certifikata familjare që prindërit dorëzojnë çdo fillim viti nëpër çerdhe dhe kopshte dhe aty gjendet edhe numri i kartës së prindit mashkull e atij femër. Mjafton kaq gjë për t’ju thënë, e nderuar zonjë, se harxhuat kot frymën duke thënë gjëra pa vlerë.
Por, për ta lënë mënjanë këtë propagandë boshe dhe bajate të PD-së, që gjithmonë qimen e bën tra, vërtetë u bëra kurioz të shihja se për çfarë bënte fjalë shkresa. Nga ajo çfarë konstatova ishte që agjencia përkatëse pranë Bashkisë Tiranë, në zbatim të një ligji që mbron të drejtat e fëmijëve, u kërkonte paraprakisht prindërve që të jepnin miratimin e tyre që fotografitë e fëmijëve, për çdo aktivitetet të kopshtit a çerdhes, të publikohen në faqen e saj online apo në rrjetet sociale.
Një kërkesë më se normale dhe pa asnjë detyrim për prindin. Çdokush prej tyre ishte i lirë ta jepte ose jo miratimin dhe, në bazë të këtij vullneti, agjencia merrte përsipër t’i publikonte ose jo fotografitë.
Dhe ja, për kaq gjë, për të cilën as vetë kryebashkiaku Veliaj nuk besoj se ka dijeni, pasi është një marrëdhënie institucionale midis një agjencie përgjegjëse, kopshteve dhe prindërve, opozita, nëpërmjet zërit kumbues e linçues të zonjës Vokshi, ngriti një furtunë në gotë duke krijuar njëkohësisht edhe një shkreptinë në qiell të pastër.
Çdo gjë kam parë, por opozitë cicmic-esh si kjo që bën PD-ja, as kam parë e as mund ta gjesh kund.