Kryeministri Edi Rama foli sot në Samitin e Dytë të Diasporës teksa u ndal në çështjen e Maqedonisë.
Ai u shpreh se nga samiti i parë e deri më sot, shqiptarët fituan të drejtën nga Shkupi që gjuha shqipe të jetë zyrtare.
“E ashtuquajtura Platforma e Tiranës u përdor për të ndarë hesapin zgjedhor brenda Maqedonisë. Falë pikërisht ndërveprimit vëllazëror me përgjegjësi kombëtare dhe vetëdijë politike këtu në Tiranë dhe liderëve në Maqedoni, jo vetëm që shqiptarët sot janë shumë më mirë seç ishin dje, por ajo që për presidentin e Maqedonisë quhej e papranueshme, gjuha e Nënë Terezës u BË gjuhë zyrtare” – u shpreh Rama.
Ai tha se pa shqiptarët nuk do të kishte Maqedoni të Veriut dhe Marrëveshje të Prespës.
“Pa shqiptarët nuk do të ketë as Maqedoni të Veriut në NATO apo në BE” – shtoi kryeministri shqiptar.
Kreu i qeverisë komentoi edhe dialogun Kosovë-Serbi. Ai shtoi se sot Kosova dhe shqiptaria është përballë një sfide historike.
“Kjo sfidë përcakton sesi do të jetojnë pas 30 vjetësh ata që sot nuk kanë lindur akoma. Nuk ka pasur asgjë më të rrezikshme për shqiptarët kur u dalin përballë shqiptarët. Për hesapet e vogla të mjedisit politik e marrin flamurin edhe e kthejnë në një armë për të luftuar me njëri-tjetrin” – tha Rama në samit.
Ai u shpreh se vota e emigrantëve do të realizohet në çfarëdolloj rrethane.
“Unë di t’ju them se e drejta e votës, o do të bëhet, o do të bëhet. Shpresoj ta arrijmë të gjithë me konsensus. Por edhe pa konsensus, do ta realizojmë shumë shpejt” – tha kreu i ekzekutivit.
/javanews/a.rada