Gjirokastër, 24 Shkurt – “13 mjekë specialistë, duke filluar nga mjekë të urgjencës, onkologë, kirurgë të përgjithshëm, reanimator, etj, i shtohen spitalit rajonal të Gjirokastrës, duke mundësuar shërbimet e specializuar afër vendbanimit”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetëssë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit në spitalin e Gjirokastrës.
Në të gjithë qarkun, janë 18 mjekë specialistë që I bashkohen ekipit të shëndetësisë në spitalet e Gjirokastrës, Përmetit dhe Tepelenës, me përfundimin e specializimeve 4 vjecare, brenda muajit Shkurt.
Manastirliu zhvilloi një bashkëbisedim me pacientët e dializës në spitalin e Gjirokastrës, duke nisur kështu serinë e takimeve të hapura që do të ndërmarrë në çdo spital, për të dëgjuar shqetësimet e pacientëve dhe sugjerimet e stafeve mjekësore.
“Nisëm takimet e hapura me qytetarët, me pacientët por edhe profesionistët e shëndetit, sepse besojmë se zgjidhjet vijnë nga terreni, për problematikat e shëbrimeve shëndetësore në spitale”, tha Manastirliu.
43 pacientë nga Gjirokastra,Përmeti, Tepelena dhe Saranda marrin shërbimin e dializës në spitalin e Gjirokastrës. Gjatë bashkëbisedimit, disa pacientë të Sarandës, Delvinës dhe rrethinave kërkuan t’ju mundësohet ky shërbim në Sarandë. Ministrja Manastirliu u shpreh se shërbimi I dializës është përmirësuar, duke garantuar standard të lartë dhe duke u mundësuar afër vendbanimit në zona si Korça apo Vlora, ku më parë ky shërbim mungonte plotësisht. Megjithatë – u shpreh Manastirliu – do të shihet mundësia për ofrimin e këtij shërbimi edhe në spitalin e Sarandës.
Ministrja e Shëndetësisë pa nga afër edhe zbatimin e rregullit të ri në spitale, që disiplinon vizitorët në pavione, reanimacion dhe urgjenca.
Sipas urdhrit të Ministres, vizitat e familjarëve në shërbimet me shtretër, do të kryhen dy herë në ditë, paradite nga ora 12:00 – 13:00 dhe mbasdite nga ora 17:00 -19:00. Ndërsa vizitat në shërbimin e reanimacionit spitalor për familjarët e pacientëve të shtruar në reanimacion do të kryhen dy herë në ditë në orën 11:00 – 12:00 dhe 18:00 – 19:00.
Spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake do të marrin masa të vendosin disiplinimin dhe rregullin në shërbimet e urgjencës, duke mos lejuar prezencën e personave të pa-autorizuar që nuk marrin shërbim shëndetësor, duke krijuar ambiente te posaçme për pritjen e familjarëve dhe komunikimin me mjekët, por nuk do të lejojnë familjarë në ambjente ku ofrohet shërbimi I urgjencës. Përjashtim bën rasti kur mjeku vlerëson praninë e një familjari.