Në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, u zhvillua dje në mbrëmje ceremonia e vlerësimeve të sportistëve të shquar shkodranë ndër vite, në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Shoqërisë Sportive “Vllaznia”. Me këtë rast Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” futbollistin e shquar shkodran e të Ekipit tonë Kombëtar, modelin frymëzues të shumë brezave të rinj, Sabah Bizi.
Duke marrë në dorëzim titullin e lartë, zoti Bizi falënderoi i emocionuar Kreun e Shtetit për vlerësimin maksimal, respektin dhe mirënjohjen e thellë. Gjithashtu Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh”: çiklistin Agim Tafili, atleten Arbana Xhani (Bekteshi), peshëngritësin Asim Belinovi, futbollistët dhe trajnerët Astrit Hafizi dhe Ramadan Rragami, Xhevdet Shaqirin (Pas vdekjes), futbollistët Edi Martini, Fatbardh Jera, Hysen Zmijani, golashënuesin Vioresin Sinani, atletin rekordmen Hysni Bebeziqin (Pas vdekjes), volejbollistët e spikatur Luigjino Mjeda dhe Mark Kroqi, basketbollistët Muhamet Sokoli e Refik Vorfa e Sokol Kalaj, basketbollisten frymëzuese Pina Haxhi (Vuka) si dhe mundësin e trajnerin Rrok Bardeli.
Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, Presidenti i Republikës u shpreh: “Ndihem i nderuar dhe shumë i emocionuar që jam me ju në Shkodër, në këtë qendër të qytetërimit tonë, këtu ku atdheu ynë shpalos përherë virtytet dhe cilësitë më të arrira, sidomos në momentet më të rëndësishme. Ne të gjithë festojmë një përvjetor historik për gjithë sportin shqiptar, pikërisht këtu në kryeqendrën e promovimit jo vetëm të sportit, por edhe të artit, kulturës dhe muzikës! Në djepin, ku bashkë me atdhedashurinë u përkund dhe u luajt për herë të parë futbolli shqiptar, u themelua shoqëria e parë sportive dhe u shënua goli i parë shqiptar! Dua t’u siguroj se pjesëmarrja në festimin e 100-vjetorit të Klubit ‘Vllaznia’ përbën një ngjarje të lumtur dhe mjaft të veçantë, pasi mesazhi i bashkimit dhe i vllaznimit që u dha këtu e njëqind vite më parë, është ende aktual dhe i rëndësishëm edhe sot. Për këtë arsye ju falënderoj për ftesën dhe ju uroj përzemërsisht gëzuar përvjetorin e themelimit të Klubit dhe suksese e mbarësi në shekujt e ardhshëm!
Të nderuar miq,
Një shekull më parë, krijimi i Shoqërisë ‘Vllaznia’ u konsiderua si ‘zgjim i djelmnisë shqiptare në fushën politike, letrare, teatrale, muzikore, e gjimnastikore’.
Ky gjest i rinisë shkodrane, në kushtet e luftës për qëndresë kombëtare ishte një kontribut dhe një manifestim i shkëlqyer i identitetit kombëtar dhe vlerave tona më të mira qytetare.
Bashkimi i shkodranëve në Shoqërinë ‘Vllaznia’ pa dallim përkatësie fetare, bindje e ideje është ndër mesazhet e mëdha të pasurisë të pashterur shpirtërore dhe aspiratës shqiptare për ndërtimin e një shoqërie të bashkuar e të përparuar.
Nder e lavdi rinisë shkodrane, intelektualëve, burrave e grave të mençur e atdhetarë të Shkodrës për atë çka kanë bërë, për qytetin e tyre dhe për shembullin që dhanë për të gjithë Shqipërinë.
Të nderuar veteranë të sportit, sportistë kampionë e trajnerë te palodhur, Ju drejtohem me urimet më të mira të gjithë ju si trashëgues me dinjitet të shoqërisë së dikurshme që sot mban emrin Klubi Sportiv ‘Vllaznia’. Festa e sotme është një ngjarje e madhe, që na frymëzon për të kujtuar me respekt të veçantë gjithë ato rezultate e kampionë të mëdhenj në futboll, atletikë, basketboll, volejboll, çiklizëm, peshëngritje, mundje, not, gjimnastikë, boks, hendboll, pingpong, shah e në shumë sporte të tjera.
Urime edhe vajzave që dolën kampione këto ditë!
Në mendjen dhe memorien e çdo shqiptari ‘Vllaznia’ do kujtohet: Si Klubi i parë sportiv, për fanellën Kuq e Blu, si shkolla më e madhe e lindjes së talenteve sportivë dhe si Klubi me tifozerinë më të zjarrtë, por dhe më të kulturuar njëkohësisht, si tifozeria e vetme në Shqipëri që duartrokiste kundërshtarin kur luante më mirë. Sporti në këto 100 vite në qytetin e Shkodrës ka qenë zbavitje, por edhe pjesë e kulturës qytetare. Ai ka treguar se misioni i tij kryesor ka qenë zhvillimi i solidaritetit, socializimi, zhvillimi harmonik i të rinjve, mbrojtja e dinjitetit njerëzor, kontributi për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, duke pasur si qëllim edukimin e të rinjve, dhe frymën e miqësisë dhe vëllazërimit.
Nostalgjia për talentet e futbollit dhe gjithë sportit shkodran, do të mbetet e pashlyeshme në kujtimet e të gjitha brezave.
Emrat e Palokë Nikajt, Loro Boriçit, Xhevdet Shaqirit, Ramazan Rragamit, Sabah Bizit, Medin Zhegës, Paulin Ndojës, Pina Vukës, Zef Gjonit, Renato Radojës, Xhuli Shestanit, Muhamet Sokolit, Agim Tafilit, Iljaz Gurit, Mark Krroqi, e deri te kampionët e ditëve tona si Elis Guri, Erkand Qerimaj e Izmir Smajlaj e shumë e shumë të tjerë janë shndërruar me të drejtë në legjenda të sportit shqiptar dhe në modele frymëzuese për më të rinjtë. Figurat e shquara të sportit shkodran janë kaq të shumta, por koha në dispozicion nuk na lejon t’i përmendim të gjithë!
Por 100-vjetori nuk është një ditë, është gjithë viti jubilar. Kështu që përgjatë gjithë këtij viti ne do të kemi mundësi për të bërë të gjitha vlerësimet e duhura, pasi arritjet e ‘Vllaznisë’ në 100 vite janë të jashtëzakonshme. Janë kaq shumë ekipe kampionë, janë kaq shumë personalitete që kanë nderuar Shkodrën e të gjithë Shqipërinë në nivele europiane dhe botërore. Prandaj edhe njëherë dua t’ju uroj në këtë 100-vjetor të parë të ‘Vllaznisë’: suksese, arritje dhe lavdi për ‘Vllazninë’ dhe për Shkodrën në shekullin që po hymë dhe për shekujt e ardhshëm! Nderimin më të madh për të gjithë sportistët, për djersën e për sakrificat e tyre, që besoj se ia kanë vlejtur për atë që kemi mundësi sot të festojmë, por edhe t’u tregojmë të rinjve dhe fëmijëve rreth rrugës që duhet të ndjekin për të qenë edhe ata të sukesshëm e frymëzues për brezat që do të vijnë.”, – u shpreh Presidenti Meta.
Në këtë mbrëmje festive të sportit e të krenarisë jo vetëm shkodrane, por edhe kombëtare ishin të pranishëm Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, deputetë, autoritete vendore, sportistë, trajnerë, dhjetra sportdashës dhe qytetarë të shumtë shkodranë.