Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Kyle Scott, ka thënë se Serbia është në anën e gabuar të historisë kur është në pyetje qëndrimi i saj ndaj krizës në Venezuelë.
“Popullin e Venezuelës e ka përfshirë uria nën sundimin e paligjshëm të regjimit diktatorial dhe më shumë se 50 vende në Amerikën Latine, Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore kanë qëndruar pranë popullit të Venezuelës dhe presidentit të përkohshëm Guaido”, tha Scott në Twitter.
Rreth 50 vende nga mbarë bota e kanë njohur liderin e opozitës, Huan Guaido si president të përkohshëm të Venezuelës.
Presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013, është kritikuar brenda dhe jashtë vendit për ekonominë e dobët në Venezuelë.
Ai po përkrahet nga Kina, Rusia dhe disa vende tjera.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se mbi tre milionë njerëz kanë ikur nga Venezuela viteve të fundit, për shkak të inflacionit të lartë dhe mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve.