Opozita pritet të nisë nesër para Kryeministrisë një protestë pa afat për largimin e qeverisë Rama. Detajet e organizmit po mbahen diskret, por burime të rezervuara bëjnë me dije se protestuesit do të rrethojnë Kryeministrinë, ndërsa në asnjë moment nuk do të ketë fjalime nga politikanët.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarja e lsi-së Monika Kryemadhi, drejtues dhe funksionarët e tjerë të opozitës do të jenë në shesh mes protestuesve, por vetëm në rolin e dëgjuesve.
Ndryshe nga protestat e tjera të opozitës, protagonizmin kryesor do ta kenë qytetarët të cilët janë parashikuar që vetëm ata të flasin në një podium modest para Kryeministrisë.
Mënyra se si do të zhvillohet protesta, mbahet diskret ndërsa i vetmi fakt është tentativa e qytetarëve për të rrethuar Kryeministrinë.
Ky moment mund të ngjallë dhe tension për faktin se policia ka refuzuar që protesta të zhvillohet në dy anët e Kryeministrisë, pikërisht tek Piramida dhe në rrugën “Ismail Qemali”.
Burimet për Ora News shprehen të rezervuara ndërsa mesazhi i Bashës në të gjitha takimet me strukturat mësohet të ketë qenë jo vetëm për pjesëmarrje masive por dhe për rezistencë, çka le të kuptohet se protestuesit parashikohet të qëndrojnë gjatë në shesh.
/a.rada