Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar turin e takimve me qytetarët për ti ftuar në protestën e 16 shkurtit që do të zhvillohet në Tiranë.
Ditën e sotme Basha ndodhej në Burrel, ku ka ftuar qytetarët ti bashkohen protestës për të rrëzuar qeverinë Rama.
Kryedemokrati në takim me qytetarët u shpreh se problemi kryesor është vjedhja e taksave dhe bashkëpunimi i pushtetit me oligarkët, teksa shton se kjo gjë do të marrë fund sapo ai të bëhet kryeministër.
“Taksat e larta, çmimi i lartë i energjisë dhe e naftës nuk janë thjesht rritje, por kjo është vjedhje. Këta janë kapur duke vjedhur studentët, janë kapur duke vjedhur edhe votat dhe këtë e tregoi Zëri i Amerikës. Sot shqiptarët e kanë parë se këta kanë dalë lakuriq, sepse u kapën duke vjedhur.
Ju ftoj të gjithë me 16 shkurt, nga gardhi matanë policëve është hajduti, ndërsa pjesa këtej është pala e vjedhur. Na ndihmoni të hapim atë derë. Të bashkohemi të gjithë për Shqipërinë si gjithë Evropa. Hajdutët duhet të shkojnë në burg. Ky është thelbi i ditës së shtunë”, tha Basha.
Pjesë nga biseda e Bashës me qytetarët:
Biznesi i vogël: Jemi copë- copë. S’ka fuqi blerëse. Një xhup e shes 3000 lek të vjetra. Për katër vite asgjë nuk është bërë në Burrel. Asgjë.
Basha: Burreli është goditur shumë rëndë nga kriza ekonomike. E gjithë Shqipëria është goditur, por Mati dhe qytete si Kukësi, e ndjejnë në palcë.
Arsyeja është vjedhja, sepse taksat e larta, çmimi i lartë i naftës dhe energjisë, janë vjedhje e pastër. Para që hiqen nga xhepi i njerëzve dhe i shkojnë hajdutëve në qeveri dhe krimin. Fati juaj është në dorën tënde. Janë kapur duke vjedhur biznesin, studentët, minatorët, naftëtarët, shëndetësinë, votat siç e tregoi edhe VOA dhe këta po ju heqin bukën e gojës për të mbushur xhepat e tyre dhe kriminelëve dhe hajdutëve për të cilët punojnë.
Këta kanë dalë lakuriq para syve të botës sepse janë kapur duke vjedhur. Nisën të prishën shtëpitë në Tiranë ku kishte edhe Matianë. Sepse donte të merrte lek kompania DH Albania që nuk eksiston fare, 18 milionë euro.Të njëjtës kompani OST do t’i jepte 12 milionë euro.
Teatrin në Tiranë do ta prishnin për 200 milionë euro dhe pastaj VOA nxori se si vidhnin votat me Gjushin dhe Avdylajt. Me paratë që kanë vjedhur nga ju, kanë blerë karriget. Në Mat nuk është bërë asnjë rrugë.