Autoritetet qeveritare në Shkup pas ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të vendit në NATO nga ana e Parlamentit grek, do të ndjekin disa hapa në fazën e implementimit të emrit të ri Republika e Maqedonisë së Veriut.
Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Bosnjakovski ka theksuar se pas këtij vendimi, Qeveria menjëherë duhet të informojë organizatat ndërkombëtare dhe shtetet se vendi ka emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.
Emrin e ri kërkohet ta përdorin më shumë se 130 shtete që e kanë njohur vendin dhe se menjëherë fillon komunikimi me emrin e ri. Detyrimet e tjera janë që menjëherë të fillojë punën një grup ndërministror, që duhet të kryejë detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Prespës dhe të ndiqet procesi i zbatimit, njofton INA.
Do të ndrrohen edhe tabelat në vendkalimet kufitare, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, si dhe në hyrjen e institucioneve.
“Nuk ka afate konkrete për tu plotësuar kjo, por do të fillojnë punët që sa më shpejt të përmbyllet ky proces”- theksuan nga Qeveria.
Në afat prej pesë viteve qytetarët janë të obliguar që të ndryshojnë të gjitha dokumentet personale, të cilat duhet të mbajnë emrin e ri kushtetues.
/a.meta