Jo vetëm poet, shkrimtar e gazetar, por edhe një politikan i një kalibri që zor se kthehet më. Dritëro Agolli nuk jeton më mes nesh prej dy vjetësh, por çuditërisht prania e tij ndihet më shumë se asnjëherë, ndoshta sepse sot nevoja për njerëz të tillë është më e fortë se kurrë. Servet Pëllumbi ka shumë për të treguar për Dritëroin. Njohja e tij me të është e hershme, që kur të dy nuk ishin veçse dy studentë në një qytet të madh si Moska. Pëllumbi kujton bisedat e gjata rreth filozofisë, poezisë, Platonit etj.
Të tjera rrethana do t’i vendosnin të dy në një të njëjtën radhë. Ishte koha kur kërkohej reformim i thellë i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Dritëro Agolli, i prekur nga pabesia e Ramiz Alisë, do të shpërthente me një fjalim që ngjalli reagime të forta, sharje e deri kërcënime. Pëllumbi na kthen edhe njëherë në atë kohë, kur mori jetë edhe Partia Socialiste, për të vijuar më tej me të tjera momente pikante nga jeta politike e Dritëro Agollit. E tillë ishte edhe përplasja e tij me ish-kreun e PSsë, fatos Nano e më vonë Kryeministër i Shqipërisë.
Nga SERVET PËLLUMBI
DHE, DEVOLLI VAZHDON TË RRJEDHË…!
Në kujtim të Dritëro Agollit-shkrimtar, poet e politikan i shquar Tashmë, u mbushën dy vjet që të madhin Dritëro fizikisht nuk e kemi midis nesh! Por ai rron e do të rrojë në mendjet e zemrat e gjithë shqiptarëve brez pas brezi, rron e do të rrojë me veprën e tij të madhe që na ka lënë, rron e do të rrojë si figurë e shquar kombëtare. Për njerëzit e dashur të familjes, për miqtë e shokët e tij të ngushtë nuk do të jetë thjesht një vend “në raftet e bibliotekave”, siç shkruante vetë ai me modestinë e tij karakteristike në një nga poezitë e fundit- “Testament”.
Ai si Dritë-rro gjithnjë do të rrojë në kujtimet e tyre si një njeri i veçantë, i dashur, i thjeshtë, i plotësuar dhe me humorin e tij të hollë prej devolliu, si pjesë e asaj “balte”, pra e vlerave të filozofisë së popullit, që ai me mençuri e guxim e çoi “deri në Lidhjen e Shkrimtarëve”. Duke shprehur vlerësimin më të lartë për krijimtarinë e pasur të Dritëro Agollit, në këto shënime nuk pretendoj të analizoj krijimtarinë e gjerë e të vyer të tij, sepse është jashtë kompetencave të mia profesionale, por edhe sepse poezitë, tregimet, romanet, dramat dhe publicistika e tij, që i përshkruan aq bukur stili poetik dhe filozofia popullit, janë bërë pjesë e jetës dhe e vetëdijes kombëtare, e brezave të shqiptarëve kudo nëpër botë.
Shumë nga personazhet e “skalitura” mjeshtërisht nga Dritëro Agolli përdoren në të folurën e përditshme për të karakterizuar tipa që ndeshen në jetë, sidomos në radhët e shtetarëve dhe politikanëve, të grindavecëve dhe hileqarëve. Do të mjaftonin për konkretizim të idesë “Shoku Zylo” dhe Demka, tipi i njeriut megaloman e bosh dhe e servilit që shkruan fjalime e diskutime, pse jo dhe doktoratura për ata që “janë lart”, për shefat. Në një rrafsh tjetër, në atë historik, nuk mund të harrohen tipa si Plaku Mere, Komisari Memo, Sali Protopapa etj. Pa përmendur të ngjashmit e sotëm të tyre! Ja pse krijimtaria e Dritëro Agollit është sa e bukur artistikisht, aq dhe e vyer, edukative e patriotike në përmbajtjen e vet.
* * *
Rreth këtyre ideve dhe për të “nxjerrë mallin për shokun”, do të preferoja t’u referohesha kujtimeve të mia, zanafilla e të cilave është e hershme mbi 60-vjeçare, kur Dritëroi ishte 24 vjeç dhe unë 19… Ndërkaq, do t’i ruhem “grackës”, që sintetizohet në skeçin e njohur: “Doni më për Belulin”! Ishte viti 1955, kur shkova për studime në Universitetin e Leningradit, Shën Petërburgun e sotëm, ku Dritëroi bashkë me Marash Hajatin, Fadil Kokomanin etj., kishin mbaruar vitin e tretë në degën e gazetarisë. Si fillestarë, natyrshëm ndienim nevojën për të takuar me studentët më me përvojë. S. Çarçani që ishte nga Gjirokastra, na thotë se njihte Dritëro Agollin, me të cilin kishte qenë në rrethin letrar të gjimnazit “Asim Zeneli”.
Që në atë kohë, Dritëroi ishte poet i preferuar nga shokët e vet dhe të gjithë ata që e njihnin, sqaroj Selo, duke shtuar: na frymëzonte me “fletorkën” me vjersha, që e mbante gjithnjë me vete. U takuam me të “vjetrit” në fillim të shtatorit. Meqenëse në atë vit numri i studentëve shqiptarë në universitet dhe në disa nga institutet e njohura të Leningradit gati u katërfishua, në takimin e parë të përbashkët të studentëve “të vjetër” e të “rinj”, ishte i pranishëm edhe sekretari ambasadës shqiptare për studentët, I.Spahiu. Në përfundim, kur po shpërndaheshim, Dritëroi takoi S.Çarçanin, që e ritheksoj vinin nga gjimnazi i Gjirokastrës.
Selua na prezantoi edhe mua me Mihal Kalogjerin, të tre studentë të Fakultetit të Filozofisë. Mbaj mend që kur dëgjoi mbiemrin tim, pa ma lëshuar dorën, më pyeti me një ngrohtësi mbresëlënëse:
-Mos je gjë nga Devolli, nga soji i doktorit të njohur Shaban Pëllumbi, pra patrioti im?
-Jo, – i thashë, po nga Korça jam dhe e njoh dr. Shabanin, madje jam vizituar prej tij.
-Shumë mirë,- tha duke qeshur,- do të kemi rast të njihemi më mirë, se kam edhe dy vjet për t’u bërë gazetar.
Dhe, vërtet njohja më e thelluar me Dritëroin-student pati zhvillime interesante. Duke lënë mënjanë hollësitë, do të veçoja kujdesin që ai tregoi, sidomos për ne, jo vetëm për t’u përshtatur me Leningradin, por dhe për të na larguar një lloj pasigurie që ne i shfaqnim sidomos për gjuhën, klimën, për të ftohtin që nisi që në shtator.
Por edhe pse shpirtërisht ishim përgatitur për në Universitetin e Moskës, siç na thanë në Ministrinë e Arsimit. Një ditë, duke biseduar rreth kësaj teme, Dritëroi na nxori te ballkoni i dhomës dhe na tha: – Shikoni ku do të jetoni pesë vjet: ura që kemi përpara ju ndan nga fakulteti, rreth e qark kini disa nga muzeumet më të rëndësishme, bibliotekën më të madhe të Akademisë së Shkencave, mbi të gjitha përballë, ai atje është “Pallati i dimrit” dhe Ermitazhi i famshëm ku ruhen kryevepra të artit botëror të të gjithë shekujve. Është një universitet më vete. Vetëm lumi Neva na ndan.
Që nesër të shkoni. Veçse mos harroni se të gjithin nuk e shikoni dot njëherësh, se të gjitha sallat bëjnë, siç thonë, 22 km. Pra, asnjë pishmanllëk, kini ardhur në një nga qytetet më të bukura të botës. Po kujtoj edhe një aspekt tjetër të miqësisë me Dritëronë, që lidhet me veprimtarinë e tij krijuese. Krahas studimeve, ai nuk e harronte “fletorkën”, shkruante vjersha, skiconte vepra më madhore për të ardhmen dhe lexonte shumë.
Meqë dhomat i kishim në të njëjtin kat, në të tretin, kur shkruante diçka të re na ftonte në dhomë dhe na i recitonte me zërin e tij të qetë, por jo monoton dhe më pas kërkonte mendim. -Mos u çuditni,- na thoshte,- që kërkoj mendimin tuaj si dëgjuesit e parë. Poezia e merr jetën te lexuesi… te mbresat dhe emocionet që krijon te ta dhe që mund të tejkalojnë edhe synimet e poetit. Në një farë kuptimi i bën bashkëkrijues.
Jo rastësisht Platoni e quante poezinë formë specifike arti që ushqen pasionet njerëzore, “fushë pjellore”, ku bashkëveprojnë natyrshëm mendimi me imagjinatën dhe fantazinë. Por, edhe që s’është fort e dashur për pushtetarët…! Pasi e falënderuam njëzëri për vlerësimin që po na bënte, i thamë me shaka: “Jemi të gatshëm për një shkollë të tillë poezie”. Më kujtohet që një ditë tjetër, pasi na recitoi një poezi që i kushtohej mallit për atdhe, iu kthye përsëri Platonit, vlerësimit prej tij të poezisë.
Dhe, papritur ndërroi temë. -Thuhet, por edhe e kam lexuar në një libër filozofie, se Platoni, ky filozof i madh i antikitetit, veprat e të cilit janë të përkthyera bukur në rusisht dhe e admiroj, se nga e ëma rridhte nga një familje aristokrate a mbretërore me mbiemrin Kodra. -Shikoni,- na tha në fund,- kur ta studioni në fakultet, mbani parasysh të pyesni e të thelloheni në veprat e tij, mos del me origjinë iliro-shqiptare nga e ëma. Se ne nuk na kanë lënë gjë, sikur të mos kemi qenë populli më i lashtë i Ballkanit, apo sikur të mos kishin qenë ilirët autoktonë para se të vinin grekët nga Kaukazi apo nga Irani në shekullin e shtatë para erës sonë.
Është për të ardhur keq,- shtoi,- që filozofë të njohur si Raselli nga pozita europocentriste, mbrojnë tezën se Greqia është djepi i filozofisë e kulturës europiane, gjithçka e krijuar në ato treva, duke filluar nga Homeri dhe veprat madhore poetike të lidhura me emrin e tij, “Iliada” e “Odisea” shpallen ekskluzivisht si krijime greke. Madje, harrohet që këto epope madhështore që transmetoheshin nga goja në gojë dhe nga një brez në tjetrin kanë ekzistuar në memorien popullore rreth 500 vjet para se të vinin grekët në trojet ku janë sot dhe që emrin “Greqi” morën shumë më vonë. Po kështu, mbetet të provohet edhe teza tjetër e ndonjë albanologu, ndër të cilët edhe profesore Desnickaja e fakultetit tonë, që drejton Katedrën e Gjuhës Shqipe.
Teza në fjalë pohon se edhe greqishtja e vjetër është gati një me ilirishten dhe shqipen e vjetër. Po të mos besoni,- na tha një ditë Desnickaja, – shihni shënimet poshtë dy kryeveprave të Homerit të përkthyera në shqipen e sotme. Apo dhe në gjuhë të tjera! Pa përmendur rastin me emrat e perëndive Ilire, që me ndonjë përjashtim, shpjegohen nacionalizëm i ngushtë, por në thelb është kërkesë për rivendosje të së vërtetës historike…! Pse nuk u dashkan besuar autorët e lashtë që ishin të lirë nga çdo lloj shovinizmi?
E mbaj mend me hollësi këtë ligjëratë të gjatë të Dritëroit, jo vetëm për pathosin patriotik që shoqëroi bisedën e tij me ne, por edhe për sigurinë dhe argumentet që solli gjatë kësaj bisede të lirë, të cilën e mbylli me humor: -Mos harroni,-tha,-që unë jam nga Devolli, që kemi Pilurin e kohës së Filipit dhe shpellën e Trenit me mbishkrimet prehistorike në muret e saj…! Po edhe lumin Devoll që vazhdon të rrjedhë… Kurse duke m’u drejtuar mua, shtoi: -Ti besoj e ke dëgjuar apo dhe mund ta kesh takuar në bibliotekën e Korçës, Spiro Kondën, ku ai shkonte gati çdo ditë dhe me lupë në dorë lexonte e vazhdon të lexojë e komentojë enciklopeditë dhe libra të lashtë. Dihet, që për këtë e zbuan nga Universiteti i Athinës. Mos harroni që edhe këtu te biblioteka e Akademisë karshi Fakultetit tuaj, ka shumë libra dhe dorëshkrime të lashta…!
Mbaj mend edhe një takim të fundit në Leningrad, kur Dritëroi kishte mbrojtur diplomën me vlerësimin “otliçno”. U mblodhëm për ta uruar e për të pirë nga një gotë vodkë “po ruskej”! Në fund, Dritëroi na tha se kur të kthehet në Shqipëri, ka në plan të botojë shumë nga ato që u kam lexuar me titullin “Në rrugë dola”. Dhe e mbajti fjalën! Vërtet, doli vendosmërisht në rrugën e gjerë, por jo të asfaltuar, të krijimit të një vepre të madhe e të gjithanshme, që pasuroi thesarin kulturor të Kombit shqiptar.
* * *
Në fund të qershorit 1957, ndër përcjellësit e studentëve që mbaruan Universitetin, ishim edhe ne të tre në stacionin e trenit “Moskva”. E ndjenim që do të na mungonte Dritëroi, me të cilin u miqësuam më shumë se me të tjerë. Mbase ngaqë mua dhe S. Çarçanin na quante “patriotë”, apo edhe se banonim në të njëjtin kat të konviktit dhe takoheshim çdo ditë, në korridor apo në sallën e leximit që ishte një kat më poshtë…
Megjithatë, mjedisi i njëjtë i banimit nuk përcakton gjithçka, nuk mund të krijonte një afeksion të tillë. Kryesore ishte natyra dhe karakteri i Dritëroit që e bënin atë të thjeshtë, miqësor, me humor të hollë, me një të qeshur të rrallë, por disi të veçantë që të bënte të qeshje bashkë me të. Dritëroi vlerësonte shumë, si në krijimtari, edhe në qëndrimet ndaj çështjeve konkrete, mendimin e vet të pavarur, për atë ishte i huaj kopjimi i përvojave të të tjerëve.
– Natyra e përvojës,-thoshte Dritëroi,-kërkon që të mos ngatërrohet vlera me vazhdimësinë. Kurse, njohja e jetës dhe e njerëzve, janë “magjia e krijimit” veçanërisht. Vlera të tilla, të ndërthurura me karakterin e tij “si njeri tabani”, spikatën sidomos gjatë viteve të punës si gazetar. Ai dinte të kapte momentin, pulsin e kohës, të cilin më pas mund ta shprehte aq bukur edhe me dy-tri fjalë si rasti i artikullit, “Cile Muken e kam pranë dhe kulturën për karshi”, në të cilin si gazetar i mprehtë e realist, fshikullonte mungesën e aktiviteteve kulturore.
Pijetorja e Ciles rrinte plot me njerëz, kurse Pallati i Kulturës, i ngritur në një nga kodrat më të bukura të qytetit, që ishte vetëm dhjetë metra larg, rrinte bosh! Po kujtoj, se pas ditësh e takoj rastësisht Dritëronë tek Agjencia e pasagjerëve, që ishte prapa Kullës së Sahatit, rastësisht… Ia lavdërova artikullin, sidomos për titullin “Cile Muken e kam pranë…”, që sintetizonte aq bukur përmbajtjen. Ai buzëqeshi pak, uli kokën me modestinë e tij karakteristike, duke thënë: -Hë mo, se punën po bëj! Ta dish ti sa i pakënaqur jam unë me vetveten, se më duket sikur nuk po bëj ndonjë gjë, se s’po i realizoj dot projektet që kam pasur e kam në kokë! – E po e mban mend si na thoshe “në kohën e studentllëkut”:s’ka krijim pa një skepticizëm të arsyeshëm? – Po,-tha,-më kujtohet shpesh, si nuk më kujtohet, pasioni që kisha për filozofinë dhe kur u thosha se ju kam zili që do ta studioni filozofi për pesë vjet!
* * *
Befasues dhe i mprehtë ka qenë Dritëroi në kritikat e veta edhe në nivelet e larta të politikës. Përfshi dhe të krahut të vet. Po ndalem shkurt në dy-tri raste konkrete. Në qershor të vitit 1991 u mblodh Kongresi i 10-të i PPSH-së. Priteshin ndryshime të thella. Ndërkaq, R.Alia u kishte thënë byroistëve së “nuk do të ketë asgjë të veçantë, por vetëm riciklim!”. Ishte Dritëroi me diskutimin e tij kritik nga fillimi në fund, pa përjashtuar as figurën e Enver Hoxhës, i pasuar nga diskutime të tjera intelektualësh të njohur, që ndërroi rrjedhën e punimeve të Kongresit duke çuar drejt mbylljes së kapitullit të PPSH-së. Diskutimi i Dritëroit, i shoqëruar me britma dhe anatemime nga kongresistë fanatikë, pati efektin e një bombe të fuqishme.
Si tani e kujtoj shkrimtarin e madh në podium në rolin e politikanit të guximshëm, që pasi argumentoi dështimin e Partisë shtet, ruajti gjakftohtësinë, priti pak sa u bë pak qetësi për të lëshuar “bombën” tjetër: “Me këtë që po demonstroni këtu, tregoni se ju nuk mund të reformoheni!”. Zhurma dhe britmat arritën nivele të tilla që çuan në ndërprerjen e seancës… Në hollin e Pallatit të Kongreseve, delegatët nuk guxonin as t’i afroheshin. Pashë që e takuan vetëm Moikom Zeqo, Qamil Buxheli e ndonjë tjetër, që po ashtu bënë në Kongres diskutime kritike shumë të mira …
Iu afrova edhe unë me një lloj me ndrojtje Dritëroit, që ndihej i zhgënjyer, paksa i hutuar, por i inatosur, duke lëshuar ndonjë sharje me “gjuhën babanare”.
Duke më dhënë dorën pak si me përtim, por në çast shpërtheu: “Ramizi është i poshtër! Nuk ka më keq se një burrë që nuk mban fjalën dhe është dredharak. Ne, disa nismëtarëve siç na quante ai, na thoshte ndryshe, kurse nga ana tjetër, kishte bërë skenarin për shpërthimin e histerizmit në sallë, që u orkestrua nga Nexhmija! Për ta qetësuar, i thashë:
Mos u mërzit, ti ishe në nivelin për të hyrë dhe për të mbetur në histori…Na inkurajove! Mbasdite do të flas edhe unë për të propozuar një parti me emrin Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Diskutova vërtet mbasdite, pati ca britma kur thashë se ‘nuk na duhet thjesht një ndërrim tabele, por një parti e re me program social-demokrat dhe me emrin PSSH’.
Por jo, goditjet kryesore i kishte tërhequr mbi vete Dritëro Agolli. Shumica e delegatëve, tashmë, e kishin marrë të qartë mesazhin: Kapitulli i PPSH duhej mbyllur një orë e më parë! Jo rastësisht, emri i Dritëroit ishte në krye të listës së anëtarëve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, i cili me unanimitet e zgjodhi anëtar të kryesisë. Mbas kësaj, nga pozitat e z/kryetarit të PSSH-së mund të dëshmoj edhe më konkretisht për politikanin Dritëro, për pjekurinë e tij politike dhe rolin që luajti në gjithë procesin e vështirë të reformimit të Partisë Socialiste nëpërmjet kontakteve të shumta dhe entuziaste në rrethet e ndryshme të vendit, ku pritej e duartrokitej gjatë.
Me qartësinë e tij poetike, me gjuhën e thjeshtë, të pasur me fjalë të urta e metafora të goditura, inkurajonte anëtarësinë dhe hidhte poshtë me argumente të shumta propagandën bajate të kundërshtarëve tanë politikë, që vazhdonin të deklaronin gjithë pompozitet, se Partia Socialiste ishte PPSH me emër tjetër. Në takime të tilla, Dritëroi kishe qejf të përsëriste thënien lapidare: “Gabimi i një doktori varroset në tokë; gabimi i një arkitekti rrëzohet mbi tokë; kurse gabimi i një politikani, ecën nëpër tokë!”.
Roli i tij si politikan me përvojë e shpirt reformues u shfaq veçanërisht në Parlament, ku në legjislaturën e parë të pasvitit 1992, PSSH kishte vetëm 38 deputetë dhe ishte në opozitë përballë një revanshizmi “demokratik”! Rrallëherë mungonte në seancat parlamentare apo që të mos diskutonte në debatet parlamentare, veçanërisht kur bëhej fjalë për çështje të rëndësishme. Fjala e tij e qetë, edhe kur ishte i indinjuar, metaforat goditëse që rridhnin pa vështirësi nga goja e tij, bënin që të dëgjohej me vëmendje edhe nga kundërshtarët politikë.
Ali Spahia, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, vinte interesohej në sekretari, nëse do të flasë ose jo Dritëroi. Një ditë para një debati për votëbesimin e qeverisë Meksi, kur ai vinte vërdallë për të parë në se ishte apo jo Dritëroi në seancë, i them me të qeshur: “Nuk është sot, është jashtë”. Ali Spahia, si rrallëherë i hapur, m’u përgjigj: “Sa shumë i ngjit fjala atij njeriu. Ah, të kishim dhe ne një Dritëro!”. Në librin “Teshtimat e lirisë”(1997), lexuesi mund të gjejë me lehtësi një pjesë të idealit të tij politik, të mbrojtur prej tij në Kuvend dhe në çdo mjedis tjetër. Ai ishte dhe mbeti i majtë, por asnjëherë fanatik!
* * *
Në PS, si dhe në çdo parti, ka dallime, mendime ndryshe, pse jo dhe interesa meskine klanesh e grupacionesh, ambicie për poste etj. Dritëroi ka qenë shpesh nën trysni arrivistësh. Por, ai, si një politikan largpamës, ngrihej mbi interesa të tilla; në fillim këshillonte, ndihmonte pa as më voglën mburrjeje për kapërcimin e ndjesive negativiste e arriviste, që duke u grumbulluar mund të shkatërrojnë çdo formacion politik, sado i fortë të duket nga jashtë. Prandaj, Dritëroi, kur shihte “mahisjen e gjendjes”, në PS, nuk ngurronte ta thoshte hapur në forume apo publikisht mendimin e vet kritik, emancipues e dashamirës. Po sjell dy raste konkrete nga raportet e Dritëroit me Nanon, të cilin siç dihet e mbështetëm pa rezerva, sidomos gjatë “kohës së burgut”. Veçse, kur Nano pas fazës zgjedhore të 26 majit 1996, në fillim të korrikut shpërtheu të ashtuquajturën “Lëvizje për ndryshim”, sulmoi drejtuesit kryesorë të PS-së dhe vetë Partinë e quajti “kënetë”, Dritëroit iu sos durimi.
Me një letër të gjatë të botuar në “Zëri i Popullit”, Nano, nga burgu, i kërkonte mbështetjen Dritëroit për mocionin “Lëvizje për ndryshim”. E vija re që qe në mëdyshje për t’u përgjigjur, se fillimisht e quante “lajthitje nga burgu”. Por në Kongresin e dytë të PSSH-së (26 gusht, 1996) kur nga shumica e delegatëve pritej mendimi i tij, Dritëroi, pas leximit të “Raportit të dytë”, shkruar nga “Demkat” e Fatosit, bëri ndërhyrjen më fantastike që mund të bëhej.
Arsyetimi ishte i thjeshtë: “Po mirë, mo Fatos, Partia jonë qenka kënetë, por nga kjo del se ti, që thua se e drejton atë nga burgu, të jesh një buf kënete!”. Duartrokitje të zgjatura. F. Nano mori kështu një përgjigje të urtë, metaforike, që nuk mund të harrohet, as nga ata që e dëgjuan drejtpërdrejt në sallën e Kongresit të Dytë në atë ditë të nxehtë gushti, as historianët që një ditë do të shkruajnë historinë e PPSH-së. Rasti i dytë ka të bëjë me Nanon Kryeministër, që, si të gjithë ne, pati mbështetjen e plotë edhe të deputetit Dritëro Agolli.
Ndërkaq, kur Kryeministri ynë u “dashurua” keq pas pushtetit dhe konceptit të meritokracisë, duke e përdoruar atë vend e pa vend për të lavdëruar qeverisjen e vet, Dritëroi, në një artikull të posaçëm, nuk ngurroi që këtë lloj meritokracie ta quante shkërdhatokraci. Neologjizëm që po ashtu nuk mund të harrohet, sepse ka hyrë në përdorimin e përgjithshëm me konotacion sarkastik! Ja, ky ishte politikani Dritëro Agolli! Model edhe për sot, kur na mungon ndjeshëm! Qofshin të përjetshëm kujtimi dhe vepra e Dritëro Agollit!
/a.meta