Nga Carlo Bollino/
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshi dje ka humbur durimin dhe me një postim në Facebook iu përgjigj ashpër akuzave, që Sali Berisha bëri disa herë kundër Policisë nëpërmjet Facebook-ut për një përpjekje të pretenduar për të fshehur skandalin e dhunës mbi një vajzë të vogël në Kavajë nga një grup shokësh shkolle. Edhe këtë herë Berisha gënjen, siç mund të verifikohet lehtësisht nga dokumentat: kallzimi penal është bërë nga prindët e vajzës më 29 janar, më datë 30 Policia njoftoi zyrtarisht prokuroren Oltiana Çifliku, më datë 31 Prokuroria i kërkoi Gjykatës masat e arrestit për tetë adoleshentë dhe urdhëri është firmosur më 1 shkurt. Mëngjesin e 2 shkurtit nisën arrestimet dhe më 3 shkurt Sali Berisha denoncoi skandalin në Facebook, pak orë para se Policia të shpërndante komunikatën për shtyp. Kështu që është evidente nga datat fakti se, kur e bëri denoncimin Berisha, adoleshentët e akuzuar për abuzim seksual kishin një ditë që ndodheshin në burg.
E megjithatë Berisha këmbëngul me akuzat e tij, deri në atë pikë sa Sandër Lleshi e humbi vetëkontrollin, që një general me përvojën e tij duhet ta ruajë gjithnjë dhe reagoi me një mesazh në Facebook, me tone më të forta se zakonisht. Opinioni publik heziton dhe shumë njerëz, duke përfshirë ata gazetarë që janë mësuar të komentojnë pa lexuar as një dokument të vetem, duken me të vërtetë të bindur se merita e arrestimeve i duhet njohur denoncimit publik të Sali Berishës, pa të cilin Policia, Prokuroria, Gjykata dhe shkolla do ta kishin fshehur historinë e abuzimeve seksuale.
Sali Berisha gënjen në mënyrë patologjike që prej 25 vjetësh, por, në rast se një pjesë e opinionit publik nis t’i besojë, këtu ka probleme. Në rastin specifik problemi ka të bëjë me imazhin e Policisë, thelbin e punës së saj dhe rrugën e ndjekur në marrëdhëniet me mediat.
Problemi i parë është ai që, megjithëse akuzat e Berishës mbi Kavajën ishin të rreme, ato sidoqoftë u dukën si të besueshme. Nuk është hera e parë që Policia ka fshehur informacionet (muajt e fundit ka ndodhur kështu dhjetëra herë) dhe nuk është hera e parë që shteti reagon vetëm kur ngjarjet e fshehura janë demaskuar. Kështu që kushti i parë për të shmangur që opinioni publik t’u besojë gënjeshtrave të Sali Berishës është që Policia të rikthejë besueshmërinë 100%. Policia nuk duhet të gënjejë kurrë. Policia nuk duhet të përpiqet të fshehë ngjarje të ndodhura, as edhe kur kjo bëhet për të përforcuar statistikat që tregojnë një rënie të numrit të krimeve ndaj së kaluarës. Policia që fsheh një krim me një përpjekje naive për të përmirësuar perceptimin e opinionit publik mbi nivelin e sigurisë, në të vërtetë duket si një bashkëfajtore e kriminelëve edhe atëhere kur nuk është e tillë. Perceptimi për sigurinë përmirësohet vetëm nëse arrestohen fajtorët, jo kur fshihen veprimet e tyre. Sa më shumë kriminelë të arrestuar e të dënuar: kjo është e vetmja statistikë, e cila ka vlerë të vërtetë për njerëzit.
Problemi i dytë ka të bëjë pikërisht me arrestimin e fajtorëve. Është tepër e gjatë lista e krimeve të rënda të mbetura ende pa fajtor. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për hetimet mbi trafiqet e drogës, të cilat në mënyrë fatale përfundojnë vetëm tek emri i transportuesve dhe nuk arrijnë kurrë nivelin e financuesve, por fjala është për qindra vrasje që lidhen me luftën mes bandave, të cilave madje edhe gazetarët ua dinë autorin dhe porositësin, por për të cilat Policia nuk ka qenë kurrë në gjendje të gjejë asnjë provë. Kjo nuk është një histori vetëm e kohëve të fundit, pasi kjo lloj pandëshkueshmërie (ose bashkëfajësie?) ka 20 vjet që ndodh dhe, të paktën në këtë kuptim, Policia e Berishës nuk është shumë e ndryshme nga Policia e Ramës. Ndryshimi është tek imazhi i saj: në kohën e doktorit Policia e korruptuar dhe agresive frikësonte vetëm qytetarët e ndershëm, tani Policia është më e qytetëruar dhe e edukuar, por rrezikon të mos trembë askënd.
Shpallja e vettingut në Polici nuk kontribuon që t’i bëjë hetimet më efikase. Një oficer policie nuk ka asnjë dëshirë të bëjë armiq të rinj, në rast se rrezikon që pas disa muajsh ta dëbojnë nga ministria e Brendshme, ndoshta për faj të një vëllai apo të një kushëriri. Në rast se vettingu duhet të bëhet, është urgjente që ai të fillojë dhe të përfundojë shpejt, ndryshe është më e udhës të vendoset ta anulojnë. Hetimet (që natyrisht sjellin edhe një nivel risku) pengohen edhe nga atmosfera e delegjitimimit, e provokuar nga akuzat e vazhdueshme të opozitës: t’i etiketosh në mënyrë të përgjithësuar të gjithë hetuesit si “narkopolicë”, kjo u heq edhe policëve të ndershëm atë solidaritet shoqëror, që është i domosdoshëm për të gjetur kurajo. Dhe bandat luftohen me profesionalizëm, por edhe me kurajo.
Më së fundi, për të mbështetur punën e Policisë është i domosdoshëm kontributi i mediave: të respektosh gazetarët duke pushuar së mashtruari ata me pista false dhe përgënjeshtrime false, ky është hapi i parë drejt një “pakti solidariteti”, që duhet të bashkojë Policinë dhe informacionin. Kriminaliteti i organizuar ekziston në të gjitha vendet demokratike, në disa prej të cilëve krimi është rrënjosur aq thellë në terren, saqë është bërë mafie. Por pikërisht për atë pse Shqipëria nuk është një rast unik, apo i posaçëm, në panoramën evropiane, duhet që edhe këtu policët, prokurorët dhe gazetarët e ndershëm të mbeten nga e njejta anë e barrikadës, të bashkuar nga ligjshmeria dhe transparenca, pikërisht ashtu si ndodh në pjesën tjetër të Evropës së lirë. Tek kjo barrikadë njerëzish të ndershëm duhet të radhitet opinioni publik dhe pjesa e shëndoshë e shoqërisë. Vetëm në këtë mënyrë politikanët e korruptuar dhe kriminelët më në fund do të mbeten të izoluar, bashkë me ata “qytetarë dixhitalë” që nuk do të kenë më asnjë mundesi të shesin gënjeshtrat e tyre si të vërteta.