Nga Fernada Cenko/
Ish- kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume është sa optimist dhe pesimist për ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Ai tregohet optimist se gjithcka mund të funksionojë por duke na treguar rrugën se si arrrihet votimi dhe numërimi i votave deri tek vota e shqiptarëve jashtë kufinjëve. Për votën e këtyre të fundit, Kume është më optimist nëse do të funksonojë në zgjedhjet parlamentare. Sipas tij vullneti politik është ai që vendos se çfarë standard zgjedhjesh do të kemi.
Në Kodin Zgjedhor është parashikuar të futet teknologjia e re, votim dhe numërim elektronik. Si e parashikoni si do të eci dhe kush janë masat që duhet të merren për ta mbrojtur nga manipulimi?
I gjithë spektri politik shqiptar dhe në veçanti dy partitë kryesore, PS e PD, janë dakordësuar për të pilotuar përdorimin e teknologjisë së informacionit në zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore. Kjo dakordësi, e shprehur si vullnet politik është pasqyruar edhe në ndryshimet që propozohet të bëhen në Kodin Zgjedhor në kuadër të reformës zgjedhore, që megjithëse ka më shume se një vit që ka filluar akoma nuk ka përfunduar, për të mos thënë se, nuk dihet në se do të përfundojë me rezultat apo jo.
Ndryshimet që propozohet të bëhen në Kodin zgjedhor në lidhje me këtë çështje, në se do te miratohen dhe në se do të arrihet të zbatohen, janë një bazë efektive që do të bëjë të mundur marrjen e vendimeve të bazuara dhe reale, për përdorimin e kësaj teknologjie në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. E theksoj kushtëzimin e mësipërm, ndër të tjera për dy arsye të rëndësishme.
Së pari, PD është deklaruar në mënyrë të përsëritur se për t`u zhvilluar zgjedhje demokratike, të lira e të ndershme, nuk mjaftojnë ndryshimet që mund të bëhen në Kodin zgjedhor. Kjo mund të kuptohet edhe si deklaratë se angazhimi i saj në përfundimin me produkt të reformës zgjedhore është i kushtëzuar. Reforma edhe mund të mos përfundojë me rezultat.
Së dyti, zbatimi i teknologjisë së informacionit edhe në nivelin e një projekti pilot, kërkon kohë, sepse për të është e nevojshme të realizohen një varg procedurash, që fillojnë nga procesi i tenderimit dhe deri në realizimin kohë përpara ditës së zgjedhjeve, të provave për përdorimin e kësaj teknologjie si dhe nevoja për të organizuar dhe zhvilluar fushatën informuese dhe edukuese qytetare për këtë mënyrë të re të votimit.
A kemi kohë?
Në këto kushte mund të thuhet se koha për t`u pilotuar përdorimit të teknologjisë së informacionit në zgjedhje është në limitet e skajshme. Nëse Kuvendi arrin të përfundojë me produkt reformën zgjedhore brenda fundit të shkurtit, projekti pilot mund të realizohet, por për këtë do të duhet një angazhim i madh dhe përqëndrim i sforcuar energjish. Në të kundërtën mund të përsëritet e njëjta situatë me atë të viteve të shkuara, kur projektet pilote për përdorimin e identifikimit biometrik të votuesëve dhe numërimi i votave nëpërmjet skanimit dështuan “me sukses të plotë”.
Në draft është parashikuar edhe vota e emigratëve. Do të ketë sukeses?
Në draftin për ndryshimet që mund të bëhen në Kodin zgjedhor janë përfshirë edhe propozime për dispozitat sipas të cilave duhet dhe mund të realizohet votimi nga shtetas që banojnë jashtë territorit të vendit, pa qenë e nevojshme që të paraqiten në qendrën e votimit ku ata kanë të shkruar emrin në listën e zgjedhësve.
A do të ketë efekt vota e tyre?
Për mendimin tim është e nevojshme që draft dispozitat e shkruara duhet të konsultohet dhe t`i nënshtrohen një diskutimi teknik te thelluar. Është e nevojshme që jo vetëm të diskutohet më shumë për procedurat sipas të cilave në këto dispozita parashikohet të realizohet ky proces votimi por, po kaq e rëndësishme është edhe të diskutohet dhe të vendoset se cili do të jetë efekti i votës, fuqia që duhet të këtë vota e shtetasve që banojnë jashtë territorit të vendit në procesin e konvertimit të saj në mandate në Kuvendin e Shqipërisë etj… Ndërkohë, duke qenë se edhe në se i referohemi përvojave dhe dokumenteve të ndryshëm ndërkombëtar, votimi nga jashtë territorit te vendit trajtohet si një çështje që lidhet kryesisht me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, mendoj që diskutimi i saj të mbetet i hapur për t`u realizuar në një kohë të dytë nga Kuvendi.
Pjesë e këtij diskutimi duhet të jenë të gjithë aspektet dhe fenomenet me të cilat mund të ndeshet kjo mënyrë votimi, duke filluar që nga vlerësimi i performancave që duhet të zotërojë shërbimi që do të mundësoje këtë proces votimi dhe deri tek ndërtimi i mekanizmave që do të mund të përdoren për të siguruar kontrollin dhe transparencën e gjithë procesit të votimit.
Nga kush duhet të monitorohet ky proces, nga vendas apo të huaj?
Realizimi i zgjedhjeve demokratike, zgjedhjeve që plotësojnë standardet e gjithëpranuara të shprehur në dokumentet të ndryshëm ndërkombëtar si Dokumenti i Kopenhages, Kodi i Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore i Komisonit të Venecias, Parimet e Trashëgimisë Zgjedhore Evropiane, angazhimet e OSBE-së, etj.. në çdo vend, akoma edhe më shumë në vende që janë në procese të zhvillimit demokratit të tyre, siç është rasti i vendit tonë, është një objektiv afatgjatë. E rëndësishme është që nga njëri proces zgjedhor në tjetrin të realizohen zhvillime pozitive. Në vendin tonë, në se i referohemi raporteve përfundimtare të misioneve të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR që kanë vëzhguar zgjedhjet duke filluar nga ato parlamentare të zhvilluar në maj 1996 dhe deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, qershor 2017, niveli i plotësimit të standardeve ka qenë i ndryshëm. Vlerësimi i dinamikës së ndryshimit të këtij niveli, megjithëse në përgjithësi evidenton një trend të lehtë pozitiv, nuk arrin të tregojë se angazhimi i shoqërisë tonë, në përgjithësi dhe në veçanti i partive politike, ka qenë përhërë në nivelin që kërkon një proces demokratik, zgjedhje të lira e të ndershme. Arsyet dhe argumentet mbështetës për qëndrime të tilla kanë qenë nga më të ndryshmet.
Në zgjedhjet e fundit ndër argumentet kryesor mbështetës për një qëndrim të tillë janë fenomeni i shit-blerjes së votës, intimidimi i zgjedhësve dhe përdorimi i pareve që vijnë nga aktivitete kriminale. Secili prej ketyrë faktorëve dhe të gjithë sëbashku, ata kanë si pasojë efektin shkatërrues në të drejtën e votës. Për rrjedhojë, nevoja për t`i luftuar, domosdoshmëria për të ndërtuar mekanizma ligjor dhe të sjelljes, që do të zvogëlojnë në maksimum hapësirat për veprim për to, është një ndër prioritetet thelbësore që duhet të ketë dhe duhet të angazhohet për t`i realizuar e gjithë shoqëria jonë. Këtë kërkon të bëhet dialektika e zhvillimit demokratik të vendit, këtë rekomandojnë në mënyrë këmbëngulëse institucione dhe misionet që vëzhgojnë zgjedhjet tona.
A do arrijmë të kemi një administratë të depolitizuar?
Në plotësim të rekomandimeve të përsëritura në raportet përfundimtare të misioneve të OSBE/ODIHR që kanë vëzhguar zgjedhjet në vendin tonë, sipas të cilit është e domosdoshme që të trajtohet problemi i ndërtimit të një administrate zgjedhore jo politike, në draft të përgatitur për ndryshimet ne Kodin zgjedhor është bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje se si ky rekomandim mund të realizohet. Zgjidhja e parashikuar në dispozitat që janë te shkruara në këtë draft, në vlerësimin tim është vetëm një përpjekje për të filluar procesin e realizimit të rekomandimit për ndryshimin e parimit, sipas të cilit ndërtohet aktualisht e gjithë administrata zgjedhore. Kështu, megjithëse në Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet zgjedhore rekomandohet që, parimi që zgjidhet për ndërtimin e administratës zgjedhore duhet të zbatohet i njëjtë në të gjithë piramidën e saj, në draftin e hartuar nuk trajtohet fare Komsioni Qëndror i Zgjedhjeve. Ai vazhdon të jetë një institucion që ndërtohet sipas parimit të përfaqësimit dhe balancimit të plotë politik, mazhorancë – opozitë.
Po kështu edhe për ndërtimin e komisioneve të nivelit të dytë nuk ndryshon parimi sepse edhe për to parashikohet që anëtarët të propozohen nga partitë politike, ndërkohë që për komisionet e nivelit të tretë dhe grupet e numërimit, parimi i ndërtimit të tyre ndryshohet thelbësisht. Administratorët e procesit të votimit në qendrën e votimit dhe grupet e numërimit caktohen me short nga KQZ-së duke u zgjedhur nga qytetarë që janë trajnuar dhe certifikuar. Zhvillimi i mirëpritur në draft, dispozita të hartuara është heqja e te drejtës që Kodi Zgjedhur aktual iu njeh partive politike të largojnë nga detyra e komisione të propozuar prej tyre pa dhënë asnjë arsye. Më së fundi duket se po arrihet të zbatohet një rekomandim i vëzhguesve ndërkombëtar i dhënë në mënyrë të përsëritur, përherë, në çdo raport përfundimtar që prej zgjedhjeve parlamentare të zhvilluar në 2013.
Një lexim i kujdesshëm i draft dispozitave sipas të cilat trajtohet problemi i ndërtimit të administratës zgjedhore në të gjithë nivelet nën KQZ, të jep përshtypjen se është bërëkujdes që mundësitë që kanë deri sot partitë politike , nëveçanti partitë kryesore, të mos zvogëlohen deri në nivele qët`i bëjnë ato të mos kenë fare mundësi të ndikojnë në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Veç kësaj ndihet në këto draft dispozita edhe kujdesi që është bërë për të hartuar rregullime ligjore që të prekin sa më pak interesin e mazhorancës, gjë që mund të jetë edhe një ndër faktorët që zgjidhja që është fiksuar në këto dispozita të mos pranohet nga opozita. Kështu p.sh. jo vetëm në frymë, por edhe gërma e dispozitave e veçon nënpunësin civil si qytetar të preferuar për t`u përfshirë në administrimin e proceseve zgjedhore, ndërkohë që dihet qëndrimi kundërshtues i partive të opozitës ndaj këtij fakti.
Ndërtimi i një administrate zgjedhore të depolitizuar është i mundur të bëhet në se ka vullnet të shprehur politik. Vullnet i cili duhet të jetë i tillë për të gjithë hallkat e saj, nga KQZ-ja e deri tek grupet e numërimit. Vullnet i cili mund të shprehet më mirë se në çdo mënyrë tjetër, në se partitë politike bien dakord që anëtarët e tyre të jenë të përjashtuar nga e drejta për të marrë detyra si administratorë të zgjedhjeve. (TemA Javore)