Nga Altin Ketro
Në fjalorin politik të ditës të liderëve të Partisë Demokratike, Lulzim Basha e Sali Berisha, në çdo artikulim publik të tyrin, pavarësisht se ku ndodhen, nuk do të mungojë asnjëherë përmendja e të ashtuquajturve “oligarkë”. Jo vetëm nga selia e partisë së tyre, studiot televizive apo ambiente të tjera shoqërore, po edhe nga foltorja e Kuvendit, ata e kanë pjesë të ligjëratave në trajtë akuzash përmendjen e oligarkëve. Dihet se çdo diskutim që bëjnë deputetët në Kuvend, pasi regjistrohet, zbardhet dhe botohet në formë libri si dokument arkivor për brezat e ardhshëm. Unë nuk e di se si do ndjehen ato breza, por besoj do llahtarisen duke lexuar çfarë është thënë në Kuvendin e kohës mbi këta “oligarkë” që, sipas opozitës së kohës, po ia merrnin frymën Shqipërisë.
Ata të ashtuquajtur “oligarkë”, në kuptimin e përditshëm, janë biznesmenë vendas që sot, pas 27 vitesh, kanë vënë kapitale të mëdha aq sa janë vetë të zotë të investojnë në punë të vështira e voluminoze, pa pasur nevojën për t’u bërë ortakë me investitorë të huaj.
Në planin ekonomik, ata, “oligarkët”, janë edhe tatimpaguesit dhe punëdhënësit më të mëdhenj. Të kuptohemi, kur them “oligark” s’e kam fare në referencë terminologjinë negative që përpiqet t’i veshë atyre Basha dhe Berisha. Partia Demokratike, si një parti e djathtë dhe përfaqësuese e drejtpërdrejtë e tyre, në fakt i takonte që në çdo çast të ishte avokatja e tyre.
Asnjëherë më parë gjatë këtyre 27 viteve nuk ka ndodhur që një parti politike të ketë ngjizur kaq shumë mllef ndaj investitorëve vendas duke ua bërë ata gogol shqiptarëve. Mbase qenia në opozitë, kur s’ke asgjë në dorë dhe nuk të kërcet shumë se sa dëm i sjell ekonomisë nga ndjellja e një fryme të tillë mbytëse për investitorët vendas, të bën që të zbrazesh pa teklif. Bile, dhe kjo është e dukshme, uron që ata të kalojnë në krizë dhe kështu të bllokohet ekonomia vendase.
Ndryshon pastaj puna kur vjen në pushtet, sepse ata investitorë të duhen më shumë se kurrë. Në atë moment nisin dhimbjet e kokës për kapur rritjen ekonomike, për të realizuar të ardhurat, për të rritur punësimet dhe nën trusninë e këtyre, bëhesh qengj para tyre dhe i sheh në bebe të syrit sikur u lutesh: “aman, rezistoni sa më shumë, pavarësisht vështirësive, por do jemi pranë jush, me aq sa të mundemi, që t’ju bëhemi krah për të çuar përpara ekonominë tonë”. Ja, pak a shumë, kjo është fryma kur të vjen veza në prapanicë e duhet të shtrëngohesh fort pastaj që ta nxjerrësh.
Krijimi prej opozitës së një psikoze tek publiku se pas çdo sipërmarrësi e investitori fshihet një “oligark”, është mjaft e dëmshme. Aq shumë emra biznesmenësh përmenden rëndom me terminologjinë e rëndë “oligark”, saqë të zë frika të marrësh përsipër një punë të rëndësishme infrastukturore se e ke të sigurt që do bëhesh pjesë e saj.
Është e çuditshme se shumë prej emrave që përmenden nuk u fuqizuan sot, por kanë 27 vjet që ashtu, mes vështirësive të mëdha ditën të avancojnë e të arrijnë atje ku janë sot. A kanë bërë evazion fiskal, a kanë bërë kontrabandë, a kanë dhënë ryshfet, unë nuk di ta them se më duhet të akuzoja edhe Berishën, edhe Bashën, që i paskan lejuar këta në kohën e tyre ta bëjnë këtë. Për sa kohë nuk kemi të dhëna nga institucionet e specializuara, dje dhe sot, se ndaj tyre ka asnjë çështje mbi çka thashë më lart, atëherë duhet të heshtim e t’i respektojmë për kontributin e tyre në ekonominë shqiptare.
Kuptoni një gjë. Kompania nuk është vetëm pronari. Ai është vetëm njëra hallkë e suksesit. Janë stafi i tij menaxherial dhe gjithë struktura administrative, deri tek pastruesja, që sjellin ose jo suksesin e dëshiruar. A kanë pasur edhe mbështetje politike? Po fundja le ta kenë pasur, sepse kjo mbështetje u jep krahë që të ndjehen të sigurt në investimin e tyre.
Pa më thoni, dhe viheni veten në rolin e këtyre investitorëve, çfarë do ndodhte me ju sikur lideri i opozitës çdo ditë të të përmendte kudo emrin e të kërcënonte se do të sekuestronte gjithë pasurinë e venë prej afro tri dekadash?! Natyrisht që do dekurajoheshe dhe do mendoheshe 100 herë përpara se të ndërmerrje një investim të ri, duke paraparë plane për investime jashtë vendit që të ndjehesh më i sigurt. Fati i madh është që PD-ja dhe lideri i saj nuk merren seriozisht, as nga publiku, as nga biznesi, për shkak të karagjozllëkut të tyre.
Shikoni, unë nuk po hyj fare në ato teoritë që Basha e bën këtë si formë shantazhi për biznesmenë të veçantë me qëllim që ata të kontribuojnë tek arka e partisë. As faktin që ata që përmenden njëherë si “oligarkë” më pas fshihen nga fjalori SHQUP-ist. Edhe pse e besoj këtë teori, sepse ka dhënë shembuj kunatëror në bashkinë e Tiranës, apo edhe së fundmi me disa syresh prej tyre, nuk dua ta ul fare diskutimin në këto nivele.
Personalisht më shqetëson gogolizimi i investitorëve të mëdhenj shqiptarë. Gjithmonë kam uruar faktin që ata shyqyr që u bënë të mëdhenj, me qëllim që t’i dalin vetë zot punëve dhe ajo çka fitojnë të ri-investohet po prej tyre në Shqipëri, e jo të transferohet si fitim jashtë vendit, siç bëjnë kompanitë e huaja.
Diku, në një media, lexova se meqë një biznesmen ka punuar në kohën e Berishës, tashmë që është Rama në pushtet, ai duhet falimentuar si njeri e si kompani. Nuk shkruhej tekstualisht kështu, por nënkuptohej lehtë. E pra, trajtimi i kompanive investuese si: “kompania e Berishës”, “Bashës” apo e “Ramës”, është mentaliteti më i shëmtuar, një mentalitet tipik komunist. Asnjë qeveri nuk ka bërë hajër duke persekutuar biznesin në bazë bindjesh politike të pronarit të saj, sepse siç thashë, kompania nuk është vetëm pronari, por edhe mijëra punonjës që derdhin djersë në të. E aty mund të gjesh deri edhe me bindje naziste, por kjo s’ka fare të bëjë me urrejtjen që duhet mbjellë ndaj emrave të veçantë a të grupuar investitorësh.
Kjo frymë përçarëse e mbjellë nga politika, padyshim që ka ndikuar edhe median. E kur ndikon median, mos prit që edhe publiku atje poshtë të mos indoktrinohet prej tyre e t’i shoh si armiq.
Shpeshherë them shyqyr zotit që në Shqipëri nuk kemi Bursë, ku kompanitë të jenë të listuara me aksione, ku çdo luhatje e tyre do sillte tronditje rrënuese për ekonominë. Se me këto ç’po dëgjojmë prej politikës, mbi njërin e tjetrin investitor a kompani, falimentimi ekonomik i vitit të mbrapshtë 1997 do na dukej lule. Mbase atë skenar ka në mendje edhe opozita.
Mundet!
/tema