Brenda 4 muajve do të përfundojë rikonstruksioni i konviktit të parë të studentëve meshkuj në Qytetin Studenti. Drejtoresha e Rezidencës Studentore, Anila Shehu në një intervistë për ATSH tha se do të rikonstruktohen plotësisht 9 godina konviktesh dhe se ato do të ofrojnë standarde shumë të mira për studentët.
“9 konvikte i janë nënshtruar projektit të KfW-së. Për këtë konviktin e meshkujve që po rikonstruktohet i pari dhe tërësisht kontrata është për 120 ditë. Pra parashikohet që ky konvikt të përfundojë brenda 4 muajve”, tha Shehu për ATSH.
Të gjitha dhomat janë të njëjta në sipërfaqe, çdo dhomë do të ketë mobilim të ri, sistem i ri i ngrohjes, nyje sanitare dhe hidrosanitare të reja. Salla e leximit do të ketë një sipërfaqe më të madhe dhe do të jetë moderne, duke plotësuar të gjitha konfortet që ofron një sallë leximi, si dhe do të ketë edhe një bibliotekë.
Në të gjithë konviktin është vendosur një sistem i ri elektrik, hidraulik dhe do të ketë internet falas për të gjithë studentët, tha Shehu për ATSH, duke shtuar se dhomat e konvikteve mund të jenë me nga dy studentë, por do të ketë edhe miniapartamente.
“Gjithashtu është duke u realizuar edhe izolimi i jashtëm i konviktit nga i cili do të përfitohet edhe kursimi i energjisë elektrike në masën 30%” , tha drejtoresha Shehu.
a.cupaj