Nga Ilirjan Blloshmi/
Monika Kryemadhi, kryetraja e LSI-së, bashkëshortja e presidentit, shefja e Tit Vasilit, paska thënë se është kërcënuar nga krimi!
Nga kush krim është kërcënuar Monika? Kjo është pyetja që ju vjen në mënd gjithë shqiptarëve. Aq shumë e do pushtetin cifti Meta-Kryemadhi sa nuk e kanë për problem që të përdorin fëmijet e tyre.
Kur shikon Monikën që flet si e “kërcënuar” nga krimi, çon jo vetëm njeriun, por dhe politikën drejt një çmendurie halucinacionesh, siç ndodh me Makbethin e Shekspirit.
Të gjithë ne jemi pjesë e akropolit të sehirxhinjve. Bëjmë sehir një jetë të tërë, që ngadalë vetëvritet në mbeturina.
Jemi pjesë e asaj që gëlqerja e bardhë e gënjeshtarëve nuk e mbulon dot. Shumkush preferon ikjen, më mirë se sa përgjakjen e buzëve me zgërdhirje e ngërdheshje fallco, iluzion pas iluzioni e zhgënjim pas zhgënjimi.
Kur dëgjon Monikën që flet ashtu, rreket njeriu i shkretë të sjellë ndërmend ndonjë personazh kriminal, qoftë nga historia, qoftë nga literatura artistike, për ta krahasuar me Monikën.
Mirëpo, vërtet ndodhesh në vështirësi, pasi të gjithë personazhet kriminale që të vinë në mendje, pendohen.
Mendon “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit apo “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” të Markezit, por personazhet që kishin kryer krime, pendoheshin.
Njeriu i shkretë është në kërkim të një personazhi që nuk pendohet dhe megjithëse me disa ndryshime, mendja të shkon tek Makbethi i Shekspirit, megjithëse ky i fundit në fillim të aventurës së krimeve të tij kishte tendenca pendese.
Ndërkohë që “pendesa” është kusht bazik dhe i pazëvendësueshëm për pranimin e krimit dhe marrjen e përgjegjësisë për të, është një ndjenjë e fortë dhimbjeje për atë që ka ndodhur e që lidhet me përgjegjësinë direkte të personit që provon pendesën.
Monika në këtë kontekst, përbën një rast krejt sui generis. Është vetë Monika që më këtë rast mohon vetveten, mohon vjedhjet, korrupsionin, maskarallikun,dobicllikun, genjeshtren që ajo dhe LSI kanë bërë gjithe kohën që kanë qënë në pushtet.
Dhe përballë këtij vizioni cinik të Monikës makbethiane, duhet të kujtojmë shpirtrat e mijëra viktimave të pafajshme që thërrasin drejtësi dhe që më së miri e përfaqësojnë këto fjalë të Ledi Makdafit para se të vritej nga ushtarët e Makbethit: “Unë jam në këtë botë të poshtër e të ulët, ku e keqja lavdërohet dhe e mira shpesh konsiderohet si marrëzi e rrezikshme”.