Nga Altin Ketro/
U desh një raportim i VOA-s për një material përgjimi të prokurorisë mbi punësimet në sistemin e burgjeve, kryer shumë kohë më parë ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko, që telendarët e opozitës të kërcenin pupthi për të nxjerrë nga goja gjithë arsenalin atomik të akuzave të tyre ndaj mazhorancës në pushtet. Duhet theksuar me këtë rast që ky drejtor ka qenë deputet i PS-së dhe ishte vetë ministrja Gjonaj që e shkarkoi nga detyra dhe pas disa ditësh u arrestua.
U desh po ashtu një kundërpërgjigje e kryeministrit Rama rreth këtij raportimi, që po këta telendarë të merrnin edhe rolin e avokatit për VOA-n, duke mos e kuptuar se jo vetëm ajo s’ia kërkoi këtë “nder”, por besoj ndjehet keq kur sheh nivelin e atyre që po e marrin nën “mbrojtje”.
Gjithsesi, le të ngelemi tek thelbi i çështjes e të mos hallakatemi tek mënyra se si cilësohet një raportim, sepse po hymë në këto detaje do dalim pastaj tek letra higjenike “NYT”. Dhe, sa për korrektesë, gazeta amerikane “NYT” kreu vërtetë një investigim të mirëfilltë ku iu desh të zbërthejë me vështirësi shumë fije të padukshme të botës së errët të trafikut të armëve, kurse ajo e VOA-s ishte thjesht raportim i shërbyer i gatshëm nga prokuroria apo i atyre që kanë akses në ato përgjime.
Çështja e punësimeve në shtet me ndërhyrje politike është e vjetër sa vetë jeta politike shqiptare. Nuk nisi e as nuk bitisi me Ramën. Të gjithë ata që përpiqen t’ia veshin si ekskluzivitet vetëm kësaj mazhorance, janë thjesht dashakeqës.
Çdokush që nuk është i angazhuar në politikë ka të drejtën e zotit të ulërijë se përse vijohet me punësime me lista partie. Por assesi, po fare-fare ama, kjo gjë nuk i lejohet ta thonë përfaqësuesit e opozitës së sotme, të PD-së apo LSI-së qofshin.
Ju lutem, mos i merrni shqiptarët për aq budallenj, sepse ata me ju, politikanët e pozitës e opozitës, kanë jetuar këto 30 vjet demokraci dhe e dinë se si kanë funksionuar punët.
Është pikërisht PD-ja e para që, qysh në hapat e para të demokracisë, e futi këtë frymë rekrutimi në administratë. Ajo është kapur vetë gafil teksa nga selia e degës së saj të Tiranës përpiloheshin lista punësimi me anëtarë të çdo grupseksioni sipas ish-minibashkive. Por ajo që u pleks dhe që u identifikua me punësimin në administratë në bazë të rezultateve që jepte për partinë ishte dora vetë, LSI-ja. Për shembull, kur ishin pjesë e tepsisë së PD-së apo PS-së, e bënë baltë fare me emërime pa kriter tek QSUT me lista nga Titi i partisë. Se mos vetëm aty, kjo gjë ndodhte kudo ku drejtonin duke marrë më qafë edhe aktivistët e partisë me të cilën sot janë në koalicion.
Natyrisht edhe PS-ja ka kusuret e veta në këtë drejtim, por është ku e ku vite dritë larg nga këto dy partitë e tjera.
Personalisht njoh raste ku për 5 vota që i siguroje PDIU-s në një qendër votimi, filloje menjëherë punë në shtet. Kurse tek LSI-ja, po të siguroje 40 vota tek qendra e votimit që mbuloje, e zgjidhje vetë vendin e punës. Dhe, ndër këta të LSI-së, kishte nga ata që pasi emëroheshin në detyrë nuk paraqiteshin as në punë, por vetëm tek bankomati.
Njoh gjithashtu edhe aktivistë të PS-së që merrnin në një qendër votimi edhe 200 vota më shumë (kujdes: më shumë) sesa PD-ja, e mbeteshin pa punë.
Njoh po ashtu realitetin se në ato institucione ku drejtonte LSI-ja, aktivistët e saj bënin kokrrën e qejfit, ndërsa ata që konsideroheshin aktivistë të PS-së rrinin gjithë frikë mos i hiqnin nga puna ndonëse partia e tyre ishte në pushtet.
Po mirë, shyqyr e zbuluam këtë të keqin Çuko që bënte lista, po ato Shehrat, Dibrat (ai që shpërndante edhe ushqime tek Myslym Shyri për t’i dhënë votën PD-së) apo Zotot, a i keni pyetur se si i kanë rekrutuar punonjësit në sistemin e burgjeve?
Po që të hiqnin nga puna po iu dridhur dora dhe fusnin këdo që iu thoshte partia, e dini këtë? Po që përdornin edhe metoda të ulëta duke i transferuar punonjësit nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin me qëllim që të ikin me dëshirën e tyre nga puna, as këtë nuk e dini?
Epo, falë VOA-s që shqiptarët mësuan se edhe PS-ja po interesohet për të vetët, se anekënd po të pyesje të thonin se këta të PS-së nuk të gjejnë punë.
Është fare e thjeshtë: është mentaliteti që futën në politikë PD e LSI që për të marrë votën të sigurojnë vendin e punës, ajo që e ka futur këtë frymë aspak demokratike në rekrutimin e administratës në Shqipëri.
A e dini ju përse shumë deputetë mezi shkojnë dot nëpër zonat e tyre elektorale? Sepse ndër 10 veta që takojnë, 9 prej tyre i kërkojnë punë në shtet, pavarësisht se ka prej tyre të punësuar në privat. Të qepen si rrodhe e s’të lëshojnë pa ta grisur xhaketën apo fustanin deri sa t’u sigurosh vendin e punës. Që po nuk ia gjete, të parën fjalë që kanë në majë të gjuhës është: “a ju jeni veç për kolltukët tuaj, i siguruat ato e ne na harruat. Po s’keni faj ju, kemi ne që ju japim votën. Ta shikoni herë tjetër sa do t’ju votojmë. Më mirë ia jap votën LSI-së e gjej punë tak-fak, se sa humb kohën me ju që të mbani me rrena”. Ja, këtë bashkëbisedim dëgjojnë rëndom të gjithë deputetët e PS-së sa herë shkojnë në zonat e tyre elektorale.
Vini re konceptin e njerëzve. Ata sërish e identifikojnë vendin e punës me LSI-në, sepse metodat e tyre ishin për ta depersonalizuar hallexhiun: “më jep votën, të të fus në punë” ose “më jep votën, të të mbaj në punë” siç bënte, për shembull, Nora me mësuesit. Dhe, me këtë rast, nuk i duhet ngrënë as haka, e mbanin fjalën.
Nëse ka sot në politikë një njeri që është kundër kësaj mënyre rekrutimi, i pari në renditje është Edi Rama. Janë edhe 99 vende bosh që i zë po ai, e më pas shtoni cilin emër të doni. Edhe në përgjimin e shfaqur nga VOA del se listat me emra partiakë i kishte bllokuar po Rama. Vetë bashkëbiseduesit thonë: “O Gerti gjithçka është e bllokuar nga Kryeministri, edhe nuk e di kur do zhbllokohet”.
Natyrisht, përveç këtij mentaliteti të trashëguar për ndërhyrje partiake në emërime, aty në përgjim dilte se kishte edhe diçka pozitive. Deputetë që përfaqësojnë zona të caktuara, interesoheshin personalisht, në bazë të një kërkese të banorëve që ata përfaqësojnë, për t’u zgjidhur hallet me administratën. Nuk ka asgjë të keqe që të interesohesh, se përse filan polic është transferuar pa të drejtë në një qytet tjetër, apo që të punësohet me prioritet një jetime e cila e kish pasur më parë polic, babanë e ndarë nga jeta.
Këto janë më se normale, sepse deputeti nuk është vetëm për të bërë e votuar ligje, por edhe për t’u interesuar për elektoratin e vet. Prandaj nuk quhet vetëm ligjvënës, por edhe përfaqësues i popullit të asaj zone i cili i ka dhënë mandatin t’i mbrojë interesat në çdo instancë të shtetit.
Gjithsesi, duke krahasuar të sotmen me të djeshmen, realiteti ndryshon si nata me ditën. Tashmë çdo i interesuar që dëshiron të jetë pjesë e policisë së burgjeve duhet të kalojë detyrimisht në një kurs trajnimi pranë Akademisë së Sigurisë së Policisë së Shtetit, gjë që rrit ndjeshëm aftësitë e tij profesionale dhe kulturore. Po në këtë aspekt, vetë ministrja e Drejtësisë, zonja Etilda Gjonaj, ka nxjerrë së fundmi edhe një urdhër që asnjë punonjës policie nuk mund të transferohet më shumë se 45 kilometra nga vendbanimi. Pra, nuk do mund të bëhen më ato manovrat e dikurshme: të degdis 200 a 300 kilometra larg që t’i të dorëhiqesh për pamundësi vajtje atje ku të caktojnë.
Thënë të gjitha këto, por edhe shumë të tjera që nuk i thashë sepse do më duhej ta zgjasja pafund këtë analizë, ndjehem i neveritur sa herë dëgjoj në televizor bilbilejtë e opozitës kur flasin kaq qesim, a thua se nuk e dinë se si ka funksionuar kjo skemë në kohën e tyre.
Padyshim që ka shumë gjëra për t’u përmirësuar dhe, për rastin në fjalë, është pikërisht sistemi që po zbaton aktualisht ministria e Drejtësisë, i cili duhet kthyer edhe në normë ligjore, ai që do t’i shmangë përfundimisht këto fenomene rekrutimi aspak demokratike.
Së fundmi, nëse doni të kuptoni se pse një njeri normal kalon papritur në depresion, shkaktari i pasojës është efekti: “titvasili lesheli-s”. Me këtë diagnozë, preken të gjithë ata që nga kutia e televizorit janë të detyruar të ndjekin, pa paralajmërim, akuzat e pacipa e hipokrite të opozitës ndaj mazhorancën aktuale për çështjen e punësimeve në shtet.