Parlamenti grek është shndërruar në një arenë debatesh politike, në seancën dyditore për votëbesimin e qeverisë që ka kërkuar kryeministri Tsipras, pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Panos Kammenos, nga koalicioni qeveritar, dhe largimit të partisë së tij “Grekët e pavarur”, që kundërshton marrëveshjen e Prespës. Tsipras, që bëri një apel të apasionuar në Parlament për mbështetje, tha se është akti më i drejtë dhe detyrë e deputetëve të mbështesin këtë marrëveshje, pavarësisht nga kostoja politike dhe të japin votëbesimin.
“Unë kërkoj sot, me ndershmëri dhe qartësi para Kuvendit, riafirmimin dhe rinovimin e besimit në Parlament për këtë qeveri, që e nxori vendin nga programet e shpëtimit, e nxori atë nga kriza dhe mund të hapë rrugë dhe perspektiva për popullin grek”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
“Kjo seancë është një shfaqje e mjerë nga Alexis Tsipras dhe Panos Kammenos, që i shërben tri qëllimeve: Së pari t’i japë Syrizës disa muaj të tjerë në pushtet; së dyti të miratojë marrëveshjen e dëmshme të Prespës; dhe së treti të sigurojë praninë e ‘Grekëve të pavarur’ në Parlament, në mënyrë që udhëheqësi i tyre të mund të vazhdojë të ketë përfitime politike”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.
Nëse kryeministri grek nuk arrin të fitojë mbrëmjen e sotme, shumicën prej 151 votash, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Tsipras, me 145 deputetë në Parlament, ka ende mbështetjen e 4 ligjvënësve nga partia e Kammenosit, një deputeti të pavarur dhe një deputeti të qendrës së majtë.
Por, edhe nëse sot merr votëbesimin, ai duket se do të ketë vështirësi kur të sjellë marrëveshjen e Prespës në Parlament për votim, pasi orët e fundit partia Potami (Lumi), në shenjë hakmarrjeje për një deputet të sajin që mbështet qeverinë, mendon të mos e votojë marrëveshjen duke ndryshuar kështu qëndrimin e muajve të fundit.
Ndërkohë, përveç disa qyteteve të vogla në Greqinë e veriut, edhe në qendër të Selanikut janë parë natën e kaluar shumë afishe me fytyrat e politikanëve të partive “Syriza”, “Grekët e pavarur” dhe “Potami”, në të cilat ata pyeten: Ti do ta tradhtosh Maqedoninë?/a.meta