Ish-ministrja e Integrimit, aktualisht Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu nga Sarajeva ka zhvilluar sot një lidhje në Skype për Wake Up, në Top Channel.
Ndër të tjera gjatë kësaj lidhje direkte, Bregu është pyetur edhe në lidhje me përplasjet e fundit mes Presidentit dhe Kryeministrit, për drejtimin e Ministrisë së Jashtme, por Bregu tha se nuk ka ndërmend të komentojë situatën politike në vend.
“Do bëja një tur dhe kisha në axhendë të takoja ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushatin. Por mora vesh që do takoj Gent Cakajn. Por do takokam kryeministrin që është bërë ministër i jashtëm. Deri atëherë nuk i dihet.
Dhe meqë është intervista e parë, po ju them që nuk do bëj komente për situatën politike atje. Ne jemi për të bashkuar njerëzit dhe jo për të zgjidhur kontradiktat mes vendeve”-u shpreh Majlinda Bregu.
Ori: Kush ishte personi me të cilin je konsultuar para një vendimi kaq të rëndësishëm?
Majlinda Bregu: Ti e kujton shumë mirë këtë pjesë. Erdhi një moment nga fundi i verës 2017, ku siç ndodh me nervin tim, thash që në një vend ku nuk të duhet nuk rrihet. Atëherë vendosa të aplikoj. Kontakti i parë ka qenë në Bruksel me Komisionin Europian dhe nuk pyeta, por thashë që kam vendosur të kandidoj.
Shqipëria nuk e ka pasur këtë mundësi dhe kjo është hera e parë. Pata kontakt me ministrin Ditmir Bushati. Vendosa të jem e qartë, sepse mazhoranca mund të kishte një kandidat.
Ditmiri tha që edhe mandatin e kaluar nuk e morëm dot sepse duhet një kandidat që ta pëlqejnë të gjithë. Pra ishin të gjithë ingredientët.
a.cupaj