Gjykata e Mitrovicës ka shpallur aktgjykimin në rastin ku të akuzuar janë 12 persona për krim të organizuar si dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues Burim Ademi, të akuzuarit janë dënuar me burgim dhe me gjobë.
Muhamet Manxhollit, i akuzuar për veprat penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej nëntë vitesh dhe dënim me gjobë prej 2.000 euro, raporton Kallxo.com.
Manxhollit Gjykata i ka shqiptuar edhe dënim plotësues, me të cilin ka konfiskuar automjetin si dhe të gjitha armët.
Me nga 7 vite e gjashtë muaj burgim dhe nga 2.000 euro dënim me gjobë janë dënuar të akuzuarit Hajdin Hoxha, Fehmi Veseli, Avni Mehana, Nehat Haliti, Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Miftari.
Ata janë shpallur fajtorë për veprat penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Menjëherë pas shpalljes se aktgjykimit, Gjykata kishte marrë aktvendim të veçantë duke iu caktuar masën e paraburgimit të pandehurve të lartcekur, kurse Hajdin Hoxhës, Bajram Rexhepit dhe Ibrahim Miftarit u ishin konfiskuar automjetet. (b.an)