Nga Steven A. Cook
Verën e kaluar kam shkruar një shkrim me titull “Trump, i pari president që e kupton Turqinë ashtu siç është në të vërtetë”. Disa prej kolegëve dhe miqve të mi menduan se isha çmendur, pasi presidenti amerikan nisi postimet e egra në Tuiter kundër zyrtarëve turq dhe ekonomisë së Turqisë. Sigurish, unë nuk analizoja postimet në Tuiter, por vullnetin e administratës Trump për të vënë në presion publik Ankaranë mbi një sërë çështjesh, qoftë arrestimi dhe burgosja e padrejtë e qytetarëve amerikanë, shënjestrimi i gazetarëve, synimi për të blerë armë të avancuara nga Rusia, ose kërcënimet ndaj ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Siri. Kur Andrew Brunson, një pastor i Karolinës së Veriut, i cili kishte qenë në paraburgim në Turqi për dy vjet, u lirua në tetor, për mua ky zhvillim konfirmoi se të luaje ashpër me Turqinë ishte më shumë sesa diplomacia intensive private që administratat e mëparshme kishin provuar me Ankaranë.
Megjithatë, gjërat ndryshojnë shpejt. Turqia me sa duket është kthyer nga antagonist, në partner, gjatë disa muajve. Njeriu që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi për se po niste “luftën ekonomike” ndaj Turqisë, do të vizitojë vendin në 2019-n. Të dy liderët kanë pasur dy telefonata në 10 ditë. Shkrirja e papritur, sigurisht, lidhet drejtpërdrejt me vendimin e Presidentit Donald Trump për të tërhequr forcat amerikane nga Siria sa më shpejt që të jetë e mundur, duke lënë Erdoganin (i cili më parë i kishte kërcënuar zyrtarët amerikanë me një “shuplakë otomane” dhe që bëri gjithçka që mundi për të komplikuar luftën kundër Shtetit Islamik të vetëdeklaruar në Siri), të çuar në fund misionin dhe për të stabilizuar zonën.
A mundet Erdogan t’i përmbushë angazhimet e tij të dukshme? Nuk është fare e qartë se do ta bëjë, por kjo jo sepse Turqia nuk ka aftësinë e nevojshme. Përkundrazi, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Turqia duket se i kanë pranuar dallimet e tyre, interesat e tyre në Siri nuk përputhen.
Askush nuk mund të thotë me siguri se pse Trump vendosi më 19 dhjetor të shpallë se misioni i SHBA në Siri ishte përmbushur. Ka të ngjarë që një kombinim i një ndryshimi të menjëhershëm qëndrimi presidencial dhe hipotezave të artikuluara të presidentit rreth zhvendosjes së trupave ushtarake që operojnë jashtë vendit. Pavarësisht kësaj, tërheqja e SHBA-ve nga Siria do t’u japë fund në mënyrë efektive marrëdhënieve me Forcën Demokratike të Sirisë, komponenti primar e së cilës është një forcë luftarake kurde e quajtur Njësitë Mbrojtëse të Popullit (YPG).
Në listën e gjatë të çështjeve që kanë ndarë Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë, problemi më i madh ka qenë marrëdhënia ushtarake amerikane me YPG. Për ushtarët amerikanë që punojnë me grupin, YPG është forca e besueshme e Amerikës kundër Shtetit Islamik. Turqit i shohin gjërat ndryshe, duke argumentuar se YPG është në fakt Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) me një emër tjetër. PKK, i cilësuar si grup terrorist nga Uashingtoni dhe Ankaraja, ka zhvilluar një fushatë të dhunshme kundër Turqisë që nga vitet 1980. Turqit e zemëruar kishin frikë se Shtetet e Bashkuara po asistonin në lindjen e një shteti terrorist në kufirin e saj. Kjo është arsyeja atmosfera që i paraprin vizitës së Trump në Turqi në vitin 2019.
Në një mënyrë të çuditshme, lëvizjet e presidentit ndaj Sirisë dhe Turqisë janë të lidhura me politikën e tij të Iranit. Ka nga ata brenda administratës, të cilët besojnë se duke hequr dorë nga YPG-ja dhe duke rënë dakord t’ua shesin turqve raketat “Patriot”, Shtetet e Bashkuara do ta tërheqin Turqinë përsëri në orbitën e Uashingtonit. Ky rreshtim i rinovuar amerikano-turk do ta bëjë Erdogan një partner të gatshëm për ta bërë Iranin të përmbahet. Po, një nga justifikimet për të pasur forca amerikane në Siri ishte rikthimi i Iranit, por turqit nuk kanë qenë kurrë në të vërtetë partner në këtë përpjekje. Ata e ndihmuan Iranin të shmangë sanksionet gjatë një pjese të mirë të presidencës së Barak Obamës dhe madje tani Ankaraja po kërkon një heqje të përhershme të tyre, në mënyrë që të blejë naftën bruto iraniane.
Kjo vjen për shkak se zyrtarët turq nuk e konsiderojnë Iranin si një kërcënim. Për ta, fqinji i Turqisë është një mundësi ekonomike dhe mund të shërbejë si levë diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Shpesh gjatë presidencës së Obamës, kur kishte tension midis Uashingtonit dhe Ankarasë, Erdogan apo zyrtarë të tjerë të lartë turq shfaqeshin në Teheran duke lavdëruar udhëheqjen iraniane dhe madje duke ofruar mbulim për aktivitetet e saj bërthamore. Kjo ishte e gjitha një përpjekje për t’i detyruar Shtetet e Bashkuara të hiqnin dorë nga çfarëdo çështjeje që e mërziste Uashingtonin me Turqinë në atë kohë. Ky model vazhdon edhe sot. Vetëm disa javë më parë, ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, u fotografua duke buzëqeshur dhe duke shtrënguar duart me homologun e tij iranian, Javad Zarif, në Doha. Kjo bën që çdokush të mendojë se largimi i Shteteve të Bashkuara nga Siria do t’i nxisë turqit t’i kthehen Iranit.
Trump nuk ka përmendur realisht arsyetimin e ndërlikuar të administratës së Iranit, duke preferuar të përqendrohet në mundjen e Shtetit Islamik. Sipas Shtëpisë së Bardhë, të paktën fillimisht, forcat e Ebu Bekrit al-Baghdadit ishin mundur, kështu që nuk kishte arsye për të qëndruar në Siri (një argument krejtësisht i ligjshëm). Presidenti më vonë e ndryshoi këtë pretendim, duke deklaruar se Turqia do të përfundojë punën e nisur nga forcat e SHBA dhe YPG, dhe pastaj të sigurohet që Shteti Islamik nuk do të riorganizohet.
Në thelb, nuk është ide e keqe të bashkëpunosh me Turqinë kundër Shtetit Islamik. Vendi ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO me të gjitha llojet e armatimeve të teknologjisë së lartë dhe operatorëve të forcave speciale. Megjithatë, qeveria turke ka qenë e vakët, në rastin më të mirë, për t’iu bashkuar luftës. Kur administrata e Obamës kërkoi aleatë kundër Shtetit Islamik në verën e vitit 2014, turqit thanë se mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit ishte ndryshimi i regjimit në Damask. Ankaraja deklaroi se kishte prioritete të tjera, sidomos luftën ndaj nacionalizmit kurd. Një vit më vonë, ai ra dakord të bëhej pjesë luftës kundër Shtetit Islamik, por kurrë nuk iu bashkua asaj. Është e vërtetë se policia turke ka shkatërruar celulat e pretenduara të ekstremiste, përfshirë edhe luftëtarët e Shtetit Islamik, por në fushën e betejës ka qenë i gjithë YPG dhe këshilltarët e saj amerikanë.
Tani u dashka të besojmë se Erdogan është i angazhuar për të luftuar Shtetin Islamik deri në fund? Kjo është me siguri ajo që dëshiron Trump të dëgjojë, ose një gënjeshtër ose nga presidenti amerikan apo ai turk. Shqetësimi kryesor i Turqisë ka qenë gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë shkatërrimi i një zone autonome kurde siriane, që YPG dhe dega e saj politike, Partia e Bashkimit Demokratik, e dominojnë. Për Erdoganin, një tërheqje e SHBA-venga Siria shlyen pengesën kryesore për shkatërrimin e YPG. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se turqit do ta kthejnë vëmendjen e tyre ndaj Shtetit Islamik, kur ata janë përqendruar në kërcënimin që paraqesin kurdët për sigurinë e tyre.
Ndoshta pasi të heqë qafe YPG-në, gjë e cila, duke marrë parasysh luftën e gjatë kundër PKK-së, mund të mos jetë aq e lehtë sa zyrtarët turq kanë bërë që të besohet – ushtria turke do ta kthejë vëmendjen e saj ndaj Shtetit Islamik. Kjo do të ishte një zhvillim pozitiv, por profesionistët e Pentagonit nuk i kanë hequr të gjitha dyshimet. Ata i konsiderojnë sirianët miq të Turqisë, të cilët me gjasë do të përdoreshin për të shkatërruar shtetin islam, si të trajnuar keq dhe jo të besueshëm.
Kthesa në marrëdhëniet SHBA-Turqi ka qenë e habitshme sa i përket shpejtësisë dhe tonit të saj. Analistët, burokratët dhe diplomatët në Uashington të cilët kanë argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhet të shpëtojnë partneritetin strategjik me Turqinë, duhet të lehtësohen. Megjithatë, edhe në këtë afrim, dallimet mes dy vendeve janë të qarta. Trump dëshiron t’i kthejë trupat e tij në shtëpi, sepse ai beson se është më mirë që Shtetet e Bashkuara të mos jenë të lidhura në një vend të huaj pa objektiva të qarta. Kjo është e drejtë. Erdogan kërkon që trupat amerikane të kthehen në vendin e tyre, jo që të mund të bëjë ofertën përfundimtare të Amerikës në Siri, por që të mund të ndjekë interesat turke atje. Gjaku i më shumë sirianëve, kurdëve dhe turqve do të derdhet si rezultat i kësaj. Ka disa argumente të mira për largimin nga Siria, por dorëzimi te Turqia i gjithçka që dëshiron nga Shtetet e Bashkuara në këtë proces nuk është e mirë për askënd. / Foreign Policy TemA TV /