Në emisionin “Zonë e Lirë”, kryeministri Edi Rama u pyet nga moderatori Arian Çani për të përcaktuar një sërë gazetarësh dhe analistësh të medies nëse janë ose jo “Kadri”.
Të parin në listë Çani shfaqi portretin e Andi Bejtes.Ndërkohë që Çani po priste se si e karakterizonte Rama gazetarin Andi Bejtja, përgjigjja e Ramës ishte: “Andi Bejtja ka shkruar 1 nga 10 poezitë më të bukura të shqipes. S’mund të jetë kurrë Kadri”. Po cila është kjo poezi të cilën Rama e vuri në panteonin e dhjetë më të mirave?
Po i ofrojmë lexuesit ta shijojë vetë poezinë brilante me titullin “Atdhedashuri”.
Atdhedashuri
Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt
Ku ka fusha të gjera me vese
Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë
Unë e kam lidhur historinë pas një gomari veshshkurtër që mund të jem unë ose vetë heroi ynë Skënderbe
Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile, po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetë
Po unë s’mërzitem
As ofendohem,
Europës nuk i mbaj mëri.
Vazhdoj të eci nëpër tym si një Kostandin
Që ngrihet nga varri dhe kujtohet se motër s’ka pasur kurrë;
Duke mallkuar malet e larta krenarë
Që ia marrin frymën detit, i bëhen ombrellë…
Mos kërko nga unë të jem as Rozafë, as Skënderbe, as Kostandin.
E shumta që mund të kërkoni nga unë është të jem Ismail Qemal,
Të ngre flamurin kombëtar në xhep të pantollave bluxhinse
Për të shpallur në paqe e pa bujë
Pavarësinë e Mendjes Time…