Nga Ledi Shamku/
Përditë e më shumë bindem se ajo që njerëzit duan në Shqipëri ēshtë: NJË SHQIPËRI TË ENVERIT PO PA ENVER. 😉 Hera e mbrame që e ndesha këtë dëshirë është te objeksioni: “Ndryshe nga sa pretendohet, Ligji e kufizon autonominë e Universiteteve pasi Bordet e Administrimit kryesohen nga Ministria, pra nga Shteti”.
E para, s’ka gjë më damtore se një e vërtetë e pjesshme e shitur si e plotë. Kjo është më keq se rrena. Ndaj le ta themi siç është: ka Fakultete në bordet e të cilave shumicën vendimmarrëse e ka Ministria dhe ka borde ku e kanë fakultetet vetë. C’përfaqësojnë këto dy ndarje? Shumicën e ka Ministria aty ku Fakulteti vetë nuk prodhon asgjë dhe pret si miturak çdo gjë nga shteti. Nuk është përfshirë në asnjë grant kërkimor europian (për të cilin shteti ka paguar që të hyjë), nuk ka ofruar asnjë ekspertizë me vlerë (për të cilen të shpërblehet). Me pak fjalë rri, shullehet në diell kur ka diell, dhe pret dy palë të ardhura: tarifat e studentëve dhe buxhetin e shtetit. Vetë, aha, asnjë lek! Lekë do ama, për rrogat e për makinat e rojet speciale.
Dhe sigurisht, madje SIGURISHT, që në të tilla raste Ministria detyrohet të marrë shumicën në bord për të parë e ndrequr dy gjëra: 1. Si përdoren paratë e buxhetit (a jeni n’vete?! Të jap çdo lek se ti s’ke takat dhe të mos shoh si i përdor paratë publike?!); dhe 2. Si mund të orientohen investimet që t’mos paguhen roje dhe BMW X6 për drejtuesit, por konferenca realisht ndërkombetare, ftesa profesorësh të shquar që të hyjnë në kontakt me studentëbe staf etj etj. Pra Ministria ka shumicën në ato borde ku Universiteti është Ulok, dhe pret t’ja sjellin ushqimin te goja e madje edhe t’ja kojnë….!
Dhe nuk e ka shumicën në ato pak raste e në ato pak universitete të cilat janë më të zonjat dhe përfshihen në sa më lart. Në ato borde shteti është në minorancë sa i takon vendimmarrjes.
THUAJINI GJËRAT SIÇ JANË. Këtë shpërndarje ka parasysh ligji. I cili po te zbatohet, bën punë!!! Unë sigurisht e di që nuk e bëni me qëllim këtë keqinformim. Thjesht e keni me t’nigjume, se në vendin tonë nuk lexon më kush, e në lexoftë, lexon NARÇIZISHT, pra për të gjetur vetëm argumenta pro ipso (për veten). Ka vdekur dyshimi pozitiv në vendin tonë, dhe vrastarja e këtij dyshimi është politika, e cila ka kohë që kërkon ushtarë, dhe bezdiset nga njerëzit që tentojnë të mendojnë. Kjo verbëri që vetë mbolli ka me ja ngrënë shpirtin politikës, se nuk u shpjegohet dot marshi atyre që i ke ushtruar veç në pilot automatik. Halli është shumë i madh!
Por duke u kthyer te situata e Universiteteve dhe jo vetëm, se kjo është mendësi mbarëshqipëritare: të dashur, ju doni një Shqipëri të Enverit, por pa Enver! Është e kobshme sa shumë e doni një Shqipëri të Enverit: t’jua gjejnë punën dhe sigurisht në shtet; t’ju mbajë shteti me lek e ju të pini birra me qofte te bar sahati; të bëni takime shkencore veç me të ngjashmit me ju dhe të mos pērballeni kurrë me “mendimin borgiezo-revizionisto-kapitalist”, etj etj etj.
Ju doni një Shqipëri të Enverit, po pa Enver ama. Ndajeni mendjen: o ndërroni llojin e Shqipërisë që doni, o pranoni Enverin! Kaq!