Tre shqiptarë janë nën hetim, në kuadër të aksionit antidrogë të zhvilluar gjatë mëngjesit të sotëm nga policia e Leçes, raportuan mediat italiane. Gjatë aksionit të koduar “Vele”, siç bën me dije policia italiane, janë përfshirë mbi 100 efektivë si dhe një helikopter.
16 urdhër-arreste me burg të lëshuara nga prokuroria Antimafia dhe të firmosura nga gjykata e Leçes janë ekzekutuar ndaj personave të lidhur me mafien famëkeqe “Sacra Corona Unita” për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Ndërsa 49 të tjerë janë në hetim në gjendje të lirë për të njëjtat akuza. Mes tyre, raporton “Corriere”, janë edhe tre shqiptarët Eltian Isufaj, 30 vjeç, me banim në kampin e romëve “Panareo” në Leçe, Soni Hajdari, 28 vjeç, me vendbanim të njëjtë dhe aktualisht nën arrest shtëpiak. I treti është Krenar Skendaj 46 vjeç, aktualisht pas hekurave në Campobasso.
Organizata kriminale, sipas hetimeve, vepronte në Leçe e Brindisi, duke kontrolluar pjesë të trafikut të drogës. Anëtarë të organizatës kanë ushtruar presion ndaj familjes së një bashkëpunëtori të drejtësisë italiane.
Gjatë hetimeve, janë sekuestruar sasi të ndryshe droge të llojit kokainë, heroinë, hashash e marijuhanë. Organizatës i është sekuestruar drogë që vinte edhe nga Shqipëria.
Tre shqiptarët
Eltian Isufaj rezulton një emër i palakuar më herët nga mediat italiane.
I dyti, Soni Hjadari, rezulton i ndaluar në vitin 2016 po në Leçe, pasi është kapur me 16 doza kokainë.
Ndërsa emri i Krenar Skendaj, shfaqet në disa raste, në raportimet e kronikës së zezë në Itali.
Qershorin e vitit të kaluar, mediat italiane raportuan se Skendaj u dënua me gjykim të shkurtuar me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Ai u arrestua gjatë një operacioni policor në bashkëpunim mes policisë italiane dhe asaj shqiptare, në mars të atij viti, kur u sekuestruan 500 kg marijuhanë. Skendaj, bashkë me një tjetër person, ishin në bordin e një gomoneje që nisej nga Shqipëria. Të dy u vunë në pranga pas një ndjekje në det nga policia italiane në ujrat e Leçes. Në gomone u gjetën dhe sekuestruan 513 kg marihuhanë./a.meta