Presidenti amerikan Donald Trump ka sfiduar vendimin e gjigandit të automobilëve GM për të mbyllur pesë fabrika në Shtetet e Bashkuara vetëm pak javë para festave të fundvitit.Kompania GM thotë se ndryshimi i prirjeve të blerësve ndaj makinave janë shkaku i mbylljes së fabrikave. Nga kjo mbyllje do të preken mijëra punonjës në Amerikë.
Një mijë e 600 njerëz mund të humbasin punën në këtë fabrikë me sipërfaqe mbi 500 mijë metër katrorë. Prej kohësh, ajo ka shërbyer si një zbutës i përkohshëm i papunësisë, duke mbrojtur këtë komunitet nga realitetet e shëmtuara të ndryshimit të manifakturës amerikane. Trish Williams është menaxhere në një restorant aty pranë.
“Është fabrika më e madhe që kemi, që mban këtë qytet. Ska më kombinate çeliku, dhe fabrikat janë mbyllur. Kompanitë si Packard, General Electrik apo Chrysler ikën njëra pas tjetrës. GM ishte ajo që mbante qytetin…mund të kthehemi në një qytet fantazmë.”
Pagat e mira 30-40 dollarë në orë që paguante GM ka gjasa t’i përkasin së kaluarës, madje edhe pse Presidenti Trump ishte atje verën e kaluar duke u thënë njerëzve që të qendrojnë.
“Mos i shitni shtëpitë, do të bëjmë që vlera e tyre të rritet. Do të sjellim vende pune dhe do të ringjallim fabrikat”, u tha banorëve verën e shkuar Presidenti Trump.
Në këtë fabrikë u prodhua ‘Chevy Cruise’ – një makinë e madhësisë mesatare që kryetari i sindikatave Dave Green thotë se punonjësit e dinin që do të ishte e vështirë të shitej.
“Duhet të kemi çmime të drejta dhe të ndershme. Nëse mund të blej një makinë më të madhe me çmim më të ulët se ‘Chevy Cruise’…kuptohet që amerikanët do të blejnë një makinë më të madhe me çmim më të ulët.”
Presidenti Trump e ka kritikuar vendimin e kompanisë GM.
“Thonë se Chevy Cruise nuk ka shitje të mira. U them, prodhoni aty një makinë që ka sukses në treg.”
Punonjësit në këtë fabrikë, një nga pesë të prekurat nga njoftimi, shpresojnë se GM mund të sjellë një produkt të ri. Por problemi qëndron se krahu i punës kushton më lirë në fabrikën e kompanisë në Meksikë. Rebecca Zak është punonjëse në këtë fabrikë.
“Përse po ndërtohet në Meksikë? Kjo të zemëron. Kam dëgjuar se në Meksikë pagesa është 2 dollarë e 65 centë në orë.”
Ajo ka 18 vjet që punon në këtë fabrikë dhe thotë se nuk mund të fajësosh presidentin për vendimin e kompanisë.
“Ne jemi ata që ndërtuam këtë makinë, ne jemi ata që çuam këtë kompani deri këtu dhe kush janë ata që po vuajnë? Punonjësit dhe jo korporatat. 6 miliardë dollarë në tremujorin e tretë dhe mund të justifikojnë hedhjen në rrugë të 14 mijë punonjësve.”
“E kemi provuar veten herë pas here, kemi punonjësit më të mirë këtu në Lordstown. Kemi vendodhjen më të mirë. Do të ishte vendim i gabuar që GM të largohet nga këtu”, thotë Dave Green me sindikatën e punonjësve.
Është një partneritet 50 vjeçar mes një komapanie amerikane dhe një komuniteti që mesa duket po i vjen fundi.