Nga Mentor Nazarko
Me lëvizjen e fundit të ndërrimit të thuajse gjysmës së vet të ministrave më të rëndësishëm, Rama ja arriti që të mbushë me tema bisede tryezat e ditëve të fundit të 2018 dhe fillimit të vitit. Duke shuar disa dilema dhe krijuar disa të tjera.
Së pari, ai ju përgjigj pozitivisht dilemës se a do të shkëpuste lidhjet me disa prej ministrave, të cilët ngjanin se ishin të plotfuqishëm, si tregohej dhe nga fakti se ishin në rol ekzekutiv prej 5 vjetësh. Nga nevoja megjithatë që të dukej se kishte vendosur një kriter unik kohor për largimin, dhe jo si lëshim ndaj akuzave të opozitës dhe protestave të studentëve, Rama përfshiu në listën e të larguarve Peleshin dhe Bushatin.
I pari, që përfaqson një qark që vetëm prosperon si Korça, me prova të prekshme suksesi në çdo rol që ka patur, me qasje top manaxheri dhe në bujqësi, pa militantizëm, pa afera. I dyti, që ka menaxhuar disa dosje të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, dhe që sipas një rregulle të pashkruar, ndryshohet vështirësisht. Mirëpo ky akt fuqie i Ramës megjithatë nuk mund të mohohet se krijon dilema të tjera.
A nuk ngjan largimi i gjysmës së ministrave si dështim i krejt qeverisë? Kur në prill 2008, kryeministri Nano i kërkoi presidentit të kohës Meidani të largonte 8 ministra pa asnjë motivacion (pa protesta madje), kreu i shtetit përveçse i kërkoi një gisht letër ku të justifikohej largimi sipas paketës kushtetuese, i tha njëkohësisht : të largosh gjysmën e ekipit, kur sapo ke filluar qeverisjen, i bie të pranosh se ke dështuar pa nisur ! Ok, Rama, i fillimit të mandatit të dytë, e kapërcen këtë pikë krahasimi duke thënë se ministrat në fjalë vijnë prej 5 vjetësh qeverisje, po a ëshë ky argument që ata të zëvendësohen me ministra që për shumë aspekte ngjajnë ministra teknikë ?
Pa eksperiencë politike, në një sprovë të re, që realisht fuqizon kabinetin e afërt të Ramës, të cilit praktikisht i bie barra akoma më e rëndë e koordinimit, vijimësisë dhe këshillimit të ministrave të rinj ? Një komentues krahasimit të ministrave që u larguan me kuajt e betejës, ju përgjigj : mos vallë këta kuajt i ngjajnë atyre të rrethimit të Stalingradit, që u hëngrën, sepse rrethuesit s’kishin ç’të hanin më !
A nuk ngjan promovimi i ministrave teknikë në prag të zgjedhjeve lokale, si një lëshim i ngjashëm i Ramës para protestës me çadër të opozitës së asaj kohe, e cila në fakt ishte para zgjedhjeve parlamentare ? Në fakt opozita pretendon se si pasojë e zinxhirit të ri të publikimit të disa skandaleve qeveritare, mund të shkohet në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale njëkohësisht, po kjo mbetet për t’u vërtetuar në këto 6 muaj. Skema ngjan si e asaj kohe megjithatë. Rama i tha njëjtë këtyre ministrave dy vjet më parë : shkoni udhëhiqni qarqet në kuadër të zgjedhjeve të reja, konfirmoni suksesin dhe shihemi prapë… në kabinet.
E vërteta pa dilemë është se me këtë hap, Rama konfirmoi fuqishëm lidershipin e vet brenda partisë, diçka që e bën megjithatë paradoksalisht edhe më të brishtë. Mori përgjegjësinë të gjithën për vete, diçka që e bëri dhe kur i ftoi protestuesit të shkonin të protestonin para kryeministrisë dhe jo ministrisë së arsimit, e cila mund të ishte rrufepritëse e presionit studentor.
Në qeverinë e re (mund të quhet dhe ashtu), ministrat e rinj, rrufepritëset e reja të godinës qeveritare nuk duket se meritojnë të goditen me rrufe nga poshtë në fakt (jo nga lart) : ministrja e arsimit është nga Kosova, prej nga vijnë megjithatë paradoksalisht si protestues dhe studentë të universiteteve kosovare. Ministri i ri i jashtëm, me biografi të mirë akademike, ngjan se është zgjedhur për t’i shërbyer më së shumti dy dosierëve të rëndësishëm, sepse për të tjerat i duhet kohë t’i përtypë, pa diskutuar për dilemën a e ka ai verbin e diskutimit diplomatik veçanërisht me Greqinë, me të cilën negociatat shtyhen me gjasë për shkak të zgjedhjeve të saj. Dy janë dosjet të cilave ai do duhet t’i shërbejë fuqimisht : bisedimeve të paqes midis Kosovës dhe Serbinë, ku dhe Shqipëria supozohet se ka rol, ashtu dhe çeljes së negociatave me BE-në, ndërsa ai duket se e ka brenda fushës së vet të specializimit integrimin europian.
Pra ngjan se Rama ka dashur të rrisë sintoninë e Shqipërisë me Kosovën që përfaqësohet në këto negociata me Presidentin Thaçi, ndërsa paraardhësi i tij, Bushati rezononte më shumë me qëndrimin gjerman. Çuçi ndërkohë nuk duket se ka lidhje me bujqësinë, përveç eksperiencës së tij me ndarjen territoriale. Në përgjithësi, pra ministrat e rinj, të papërfolur për afera përgjithësisht, reflektojnë profile teknike, që amortizojnë goditjen e opozitës, duke e përqëndruar të gjithën ekskluzivisht tek Rama.
Sa i përket vijimësisë së politikave, përputhshmërisë së vizionit të tyre në raport me paraardhësin, të shkon në mendje një thënie e Enver Hoxhës, kur në krye të qeverisë dhe të partisë në fund të viteve 70 filloi të sillte në udhëheqje profile punëtorësh militantë, ndonëse dhe krahasimi më i mirë çalon. « Partia– thoshte Enveri- ka bërë një organizim të tillë të punëve, sa dhe sikur në role drejtues të vijnë shokë dhe shoqe pa eksperiencë, vijueshmëria e tyre është e sigurt dhe pa probleme ».
Fjalimi që i parapriu shpalljes së ndryshimeve të fundit të Ramës, tentoi t’i jepte përgjigje dhe dilemës tjetër- shkëputjes së PS-së, dhe qeverisjes nga oligarkët. Përgjigja ishte në formën e të dhënave që ilustronin se pse pasuria e të varfërve, e atyre me të ardhura të vogla ishte rritur, apo nuk ishte cënuar nga politikat qeveriëse, nga inflacioni, mirëpo dilema mbetet sakohë që në fjalimin e vet, Rama megjithatë nuk ofroi ndryshim të filozofisë qeverisëse, me përjashtim të shpalljes se « ligji i arsimit të lartë nuk abrogohet, por thjesht zbatohet nëpërmjet akteve nënligjore që ishin vonuar shumë ». Me gjasë të dhënat janë të vërteta, ndonëse sfera mund të shihet nga shumë kënde, dhe perceptimi shpesh është më i fuqishëm se të dhënat, kur për më shumë banaqet mediatike i shërbejnë perceptimit të kundërt.
Kësisoj problemi më i madh i qeverisjes, që në fakt do duhej të ishte pika e fortë e saj sepse në pushtet është një parti që qeveris prej 5 vjetësh, mbetet shndërrimi i modelit aktual të zhvillimit ekonomik. Problemi qëndron pikërisht tek kalimi nga tranzicioni në zhvillim normal mbështetur tek prodhimi ndaj dhe Rama përmendi shpesh tranzicionin. Prodhimi kërkon klimë sociale dhe politike pajtuese, kërkon afatgjatësi, kërkon vizion. Dhe teknikët e rinj nuk duket se e mundësojnë këtë dhe as kabineti i afërt, i cili e rrit fuqinë në mënyrë stratosferike, ndërsa shefi i tyre rrit përgjegjësinë e vet, rrit fuqinë politike, ndërkohë që ajo ekzekutive mbetet pikërisht tek ata… njerëzit e afërt të kryeministrit.
Konica.al