Populistët italianë tërhiqen para presionit të Bashkimit Europian për buxhetin. Dhoma e ulët e parlamentit miratoi gjatë natës buxhetin e rishikuar pas kritikave të ashpra të Brukselit, për rrezikun e rritjes së defiçitit buxhetor.
Buxheti i rishikuar u miratua me 327 votat e koalicionit qeverisës mes 5 Yjeve dhe Lega Nordit. Kundër 228 deputetë opozitarë. Buxheti i miratuar parashikon që defiçiti të mos e tejkalojë objektivin prej 2%. Shpenzimet e planifikuar nga qeveria si pjesë e paketës kundër varfërisë e rrisnin defiçitin në 2.4%.
Zv/kryeministrat u detyruan të tërhiqeshin nga planet e tyre për uljen e taksave për personat me të ardhura të ulëta, rritjen e pensioneve dhe ndihmën ekonomike për shtresat në nevojë.
Opozita e kryesuar nga demokratët u rendit në krahun e Brukselit, por gjithsesi votoi kundër pasi kërkonte debat të zgjeruar në parlament për buxhetin e 2019-ës, çka nuk u zhvillua. 5 Yjet dhe Lega Nord u detyruan të shtyjnë mbajtjen e premtimeve bazë elektorale, pasi në të kundër Italia rrezikonte sanksione të ashpra nga Brukseli dhe një gjobë të rëndë sa 0.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kjo ishte hera e parë që BE ktheu për rishikim buxhetin e një vendi anëtar.
/a.rada