Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mblodhi krerët më të lartë të shtetit dhe anëtarët e Ekipit Negociator për të unifikuar qëndrimin e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut final Kosovë-Serbi.
“Procesi është i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, por mendoj që edhe Kosova dhe rajoni është ndryshe pas letrës së presidentit Trump, i cili ka kërkuar që t’i marrim përgjegjësitë edhe ne si Kosovë. Jam i bindur që aty ku do të jetë këshilla e SHBA-së do të jetë edhe vendimi i institucioneve të shtetit të Kosovës, që ky proces të përmbyllet në përputhshmëri me aspiratën e Kosovës për NATO dhe BE. Ky unitet është edhe një thirrje për hezituesit e këtij procesi që të bashkangjiten dhe të marrin përgjegjësi për përmbylljen e këtij procesi final Kosovë-Serbi”, tha Thaçi.
Pak më shumë detaje dha Shpend Ahmeti, i cili theksoi edhe ai ndërkohë se është e domosdoshme që të ketë një qëndrim të unifikuar në negociata.
I të njëjtës linjë ishte edhe kryeministri Ramush Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli. Partitë opozitare e kanë kundërshtuar ekipin negociator të Kosovës, të miratuar pa votën e opozitës. Qeveria e procedoi në Parlament projektligjin që përcakton përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht të obligueshme Prishtinë-Beograd.
Miratimi i një rezolute në Parlament dhe i ekipit të unitetit 10 ditë më parë u përshëndet nga Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtare. Por, dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosja, i dërguan një letër ndërmjetësueses së dialogut, shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini, duke i kërkuar që BE-ja të mos e njohë këtë përbërje të ekipit kosovar.
Të dyja ato parti këmbëngulin se “ekipi negociator i Prishtinës nuk e ka mbështetjen e shumicës së opozitës”.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u shpreh i shqetësuar nga kjo letër e tha se nuk e kupton përse opozita nuk bëhet pjesë e ekipit negociator, në një kohë kur “aty janë lënë vende të rezervuara edhe për përfaqësuesit e saj”./a.meta