Nga Xhovani Shyti/
Për tetëmbëdhjetë ditë me rradhë studentët protestuan për të fituar disa të drejta të mohuara nga qeveria Rama e që, sipas tyre, janë bazike. Në peticionin adresuar njëkohësisht Ministrisë së Arsimit dhe kryeministrit Edi Rama, studentët protestues rreshtuan tetë pika, ndërkohë që një e nëntë mbeti e harruar, s’dihet ndoshta nga mosdija, apo sepse prezenca e saj do ta agravonte aq shumë marrëdhënien e tyre me Kryeministrin sa do të impononte rrëzimin e qeverisë së drejtuar prej tij.
Në tetë kërkesat ultimative të studentëve përmblidheshin: Përgjysmimi i tarifës së studimit; Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për Dekan/Rekor si dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në Senatin akademik me 20%; Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit e Sportit dhe në bordin e IAL-ve të shtohet një përfaqësues i studentëve; Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore; Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor; Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve; Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë; Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.
Këto janë kërkesat bazike të studentëve, kërkesa që në të vërtetë kanë qenë detyrim i qeverisë së “rilindjes” për tu përmbushur përgjatë më shumë se pesë viteve të shkuara. Një pjesë e tyre janë detyrim i rrjedhur nga Ligji për Arsimin e Lartë dhe të tjerat premtime të Edi Ramës të bëra përgjatë dy fushatave elektorale por të pambajtura,
Është harruar pika e nëntë e kërkesave ndërkohë që, sipas specialistëve, përbën thembrën e Akilit të të gjithë katrahurës që i ka katandisur Universitetet Publike në “kasolle publike”. Pasojë kjo e rrjedhur nga që Ligji për Arsimin e Lartë nuk lë vend për bashkëkohësi të ecurisë së Arsimit të Lartë drejt standarteve të dëshiruara. Gjë që don të thotë se për të mos ndezur sërish beteja me qeveritë politike në ditët në vijim, ai që duhet të rrëzohet tërësisht për ti lenë vend një tjetri, me sens zhvillimin pa pengesa të Arsimit të Lartë, duhet të jetë vetë Ligji. Mirëpo në peticionin e kërkesave ultimative të studentëve protestues kjo nuk duket as si pikë e nëntë. Duke përbërë kështu harresën fatale të protestuesve./ CNA.al