Nga AGRON GJEKMARKAJ/
Plaku i Vitit të Ri me thes in e tij po i sjell Edi Ramës “dhurata” të shumta i ka mbledhur mjekërbardhi tash pesë vjet e kusur gërxheve e sukave të Shqipërisë. Thesi është i madh sa barku i shejtanit. Ngado veç mbushet.
Xhaja që tërheq karrocën, është ndalur në qytete e fshatra, të cilat boshatisen prej njerëzve që ikin, duke mallkuar ditën kur panë dritën atyre luginave, rraheve e maleve. Kush e pat thënë që “atdhe quhet toka ku na ka rënur koka”? Ndonjë rilindas? Vangjush Dako? Ecën Babloku i Vitit të Ri, muaj pas muaji, arave me kanabis dhe teshtin si lugat nën dritë të hënës prej alergjisë. Bima me aromën e saj e gudulis e ai uf e buf! Saimir Tahiri ia kthen, “shëndet plako!”
Ashtu i ndodh edhe Arbian Maznikut sa herë i bie një libër në dorë apo kur ndër mend i kolovitet ligji për arsimin e lartë! Ndaj e larguan nga Ministria e Arsimit për arsye shëndetësore! Qe hequr shumë. Një e dy kortizon në hundë për qetim. Tani ka ca ditë që ilaçet s’i bëjnë derman.
Për Erion Braçen ka vetëm zëra jo të paktë që është alergjik, po me siguri s’di ta thotë askush. Teksa rropatet i ngrati t’i “shkurtojë” tarifat sa veten, teshtin gjithë ditën e lume.
Durimadhi plak ndalet në familjet e atyre që kanë marrë koncesione e PPP. Aty ka lumturi e potere gëzimi. Dollitë për Kryeministrin janë të sinqerta e tejet novative. Në ato shtëpi ai ka status profeti! “Qoftë lëvdue Edi Rama”, thuhet lutja e përditshme. Jo për nur të Allahut, po për nur të tij, lëshohen betimet e njëpasnjëshme. Ata që kanë marrë koncesionet e fundit me shuma që të sjellin vrangull tepelekun propozojnë që ndonjë kishe, xhamie apo tyrbeje t’i vendosin emrin e tij, “Shën Edi”, “Abu Edi” ose “Baba Edi”! Ndonjëri me zë të ndrojtur e të dhembshur shpreh mendim që Unazës së Re në Tiranë t’i vihet emri i Damian Gjiknurit. E shkoqit mendimin se si! Duke shkruar në 40 pllaka, aq sa ç’janë milionët e dhënë për 2 km, emrin e tij, pse jo të larë me flori.
Për ato 30 milionët, dhënë asaj firmës me 1 mijë lekë të vjetra në llogari, propozohet një monument sipër mbikalimit te “Shqiponja” si gjetje sui generis. Babagjyshi nxjerr kokën edhe në dritaret e ministrave dhe përgon! Drama e tyre është e madhe. Të gjithë vuajnë moskuptimin dhe mërzinë mos Zoti hakmerret me shqiptarët, që nuk i admirojnë sa duhet, që po tundojnë Edi Ramën t’i heqë për të shpëtuar veten, si personalitete që janë, si personat e duhur në vendin dhe kohën e duhur!
Ec e ec, Babadimri takon banorët e Unazës së Re. Nuk janë aspak delikatë ata të uruar. Prej ditësh nuk parfumohen.
Të përzhitur, të parruar, të ngarkuar me pikëllim, plot ofshama e mallkime për qeverinë, e cila po i shtyn drejt nënës natyrë ku çati është qielli e dysheme toka, janë të mbushur ata. E çfarë t’ju thotë mjekërgjati pos premtimit që ç’pa e ç’dëgjoi do e shprazë te pema e Edi Ramës?! Tronditet i gjori burrë, megjithëse ka 2019 vjet që rend nëpër botë duke parë çmos. Për të mbledhur veten ulet të kthejë një gllënjkë ujë në shkallët e Teatrit Kombëtar ! Aty me një çifte në krah i shfaqet Mirush Kabashi, i cili i jep një kanë me ujë kroi, teksa mjekra e thinjur i dridhet si purtekë! “Po bëjmë roje,- i thotë,- duan të na e shembin Teatrin e në vend të tij, nja 7 kulla, me gjasë, do të ndërtojnë. Duan të na dëbojnë e sikterisin, ku ta luaj unë Sokratin,- vikati? Bëj diçka për ne, shenjti Klaus,- u lut aktori me zë të përvuajtur!” U ngrit babloku, rënduar nga vitet e nga peshë e thesit, që në Shqipëri bëhej plumb, e mori rrugën për në Bulevard.
Në mes të tij gjeti studentët, të cilët prej shumë ditësh protestonin, duke ngjallur shpresa te të harruarit e zemërim te pushteti. Tetë pika kanë kërkuar që t’u përmbushën, duke zbuluar kësisoj rrënjët e nëpërkëmbjes së tyre. Nuk i besojnë ata askujt. Ejani o evlatër, u thotë Kryeministri, të flasim, të ngjatetohemi, të piqemi, të llafosemi, por jo e jo i thonë ata. Plotësoji, e ne në punën tonë e ti në tënden. Dert i madh e ka zënë të parin e vendit, ndërsa veqilet e tij, ministrat, marazi, sëkëlldia në mide e tensioni i gjakut po ua bën ditën verem.
Zërat si nga leqet e ferrit janë të kobshëm. Sjellin kumtin që do ketë ndryshime në qeveri se lundra e rilindjes rrezikon të mbytet përroskave. Tek bien emra e ngjiten të tjerë merret vesh që në qeveri paska edhe një ministre me emrin Sonila Qato. Nuk e dinim, për besë. Studentët vazhdojnë ta mbushin thesin me pezmin e tyre me tablonë e zymtë të shanseve të munguara. Nga të përbuzur janë transformuar në përbuzës.
Fëmijët e politikanëve, të pasunarëve të paligjshëm pranë pushtetit 28-vjeçar s’kanë asnjë ankesë. Madje, s’janë fare në vend në pragun e festave. Studiojnë në Amerikë, Angli e gjetkë. Rrinë atje se në Shqipëri fryn tufan e dimri të rrëqeth, të pret, të vyshk humorin dhe gëzimin e jetës, ndërsa njerëzit janë çehrevrarë. Protesta atyre u duket provincializëm ciklik i atij vatani, që nuk di të modernizohet.
Mezi e çan turmën Plaku i gjorë, teksa në vesh i mbërrin një refren: Basha, Basha, Basha…! Ne Pallatin e Kongreseve mbahej Kuvendi i demokratëve. U ul në një qoshe. Njohu Tritanin, i cili iu duk i lumtur. Picërroi sytë, ja edhe Aldo i ngrysur, teksa hidhte tutje-tëhu shikime të vëngërta paksa i skuqur. Eno iu shfaq i përqendruar e vigjilent. Sali Berishën nuk e interpretoi dot. Fërkoi sytë, iu duk si Kuvendi i vjetshëm, nuk pa ndonjë gjë të re, por as ndonjë përkeqësim. Fjalimin e Lulit e ndoqi deri në fund. Iu duk vetja në vendin e gabuar. Këtu s’paska festa, psherëtiu. Dhimbjet e kokës nuk po i ndaheshin. Të ketë pasur të drejtë ai poeti kombëtar i shqiptarëve, mendoi kur shkruante që Shën Pjetri e Shën Pali tek matën botën me litar kur mbërritën në këto brigje, mbetën pa spagë dhe rropën dreqin e me lëkurën e tij endën litarin që matën kufijtë. Bah, mërmëriti, s’po më bën më punë eksperienca e shekujve. Vendosi të hyjë në Parlament, por zallamahi jashtë e rrëmujë brenda. Një vezë fluturoi mbi Edi Ramën. Pula që e ka bërë, do shpallet heroinë dhe Endri Hasa hero i demokracisë. Deputetët socialistë qysh dje janë në poligon. Ata bëjnë stërvitje me kaçilen pranë. Duan të hakmerren kundër Lul Bashës.
Para se të largohej nga Shqipëria, Plaku i fundvitit vendosi të pinte një kafe pa sheqer me Erion Velinë. E kishte me merak të madh ta dinte kush ishin “komshinjtë”, që tha Kryeministri në monologun e tij në “Facebook” e ç’plane mollaisin? Përshëndeti Monikën me dorë e i la të falat për Tit Vasilin dhe u largua drejt Surrelit për bisedën e fundit. Atmosfera aty qe surreale, e denjë për Surrelin. Kryeministri vajtonte premtimet e pambajtura, skandalet e qeverisë, ministrat që do hiqte e ata që do vinte… fliste në jerm… studentët, vezët, pulat, kotecet? U shtang plaku i shkretë. Nuk i bëri zemra ta ngante. Zbrazi thesin dhe e la aty me peshqeshet e shumta që i kishte sjellë. U pendua sa nuk thuhet që erdhi në Shqipëri. Nuk arriti të takonte asnjë fëmijë. Ata i dukeshin të rritur e të rriturit fëmijë.