Cilat janë shkaqet reale që i detyruan studentët të dilnin në rrugë për tre javë me radhë? Protesta që shkundi Shqipërinë këtë dhjetor dhe problemet reale të arsimit ishin tema e debatit në emisionin “Java në RTSH”.
Duke iu kthyer panoramës në sheshe, analisti Lorenc Vangjeli në editorialin e tij e cilësoi protestën si një pasqyrë të jashtëzakonshme në të cilën po shihet kriza e thellë që ka përfshirë shoqërinë shqiptare.
Sipas tij, vetë protesta, përveç reflektimit të të gjitha problemeve të shoqërisë, është pasojë e dy akteve të shtrirë në kohë.
“Akti i parë, është masivizimi ekstrem i arsimit të lartë. Duke nisur që nga viti 2005 në mandatin e dytë të Doktor Berishës. Lulzimi i arsimit privat degjeneroi në krijimin e punishteve famëkeqe të prodhimit të diplomave. Siç kanë restorantet çmime në menu, edhe shumë universitete-qebaptore kishin çmime të unifikuara për diplomat e tyre. Mbyllja e këtyre universiteteve në mandatin e parë të Edi Ramës u pasua nga një ligj i shumë debatuar për arsimin e lartë. Akti i dytë ishte dalja e një ligji të debatuar që nuk u pasua nga një seri aktesh ligjore e nënligjore, urdhrash dhe udhëzimesh, duke krijuar një kaos të vërtetë në autonominë universitare” – tha Vangjeli.
“Kjo krijoi një kaos të vërtetë në autonominë universitare. Dhe aty ku liria nuk shoqërohet me rregulla, anarkia bëhet daullja që luan ritmin. Këtu fshihen shkaqet reale të krizës në arsimin e lartë. Tek principi i gabuar që ka shoqëruar filozofinë e kryerjes së reformës në arsim: jo në drejtimin nga lart-poshtë, por në të kundërt” – tha Vangjeli.
Sipas tij, studentët në protestë, në mënyrë instiktive, i ofruan pushteteve të Tiranës, pushtetit në qeverisje dhe pushtetit në opozitë, dy leksione të mëdha:
“Protesta dëshmoi nevojën urgjente që ka Edi Rama për të dalë nga zyra e tij kryeministrore me flutura në mure për të kuptuar çfarë po ndodh në rrugë. Ata dëshmuan nevojën e domosdoshme që ka Basha e Kryemadhi për të nxjerrë nga stomaku fluturat e dashurisë për të ardhur në pushtet, nëpërmjet një lëvizjeje që i refuzon edhe ata bashkë me kryeministrin” – u shpreh Lorenc Vangjeli në editorialin e tij.
Ndërkohë që për analistin Preç Zogaj, ka një ngjashmëri mes tetë kërkesave të studentëve dhe paktit që kryeministri propozon.
“I gjithë publiku tashmë i njeh tetë kërkesat e studentëve dhe për koiçidencë edhe pakti që ka propozuar kryeministri përmban tetë pika. Rama ka dashur të ketë një lloj interferimi me ta. Natyrisht që pakti i propozuar nga kryeministri shkon më tej pasi e sheh tarifën si të diferencuar. Megjithatë dialog në kuptimin që jemi mësuar ne, nuk ka” – tha Zogaj.
Sipas tij, në këtë fazë problemi real qëndron tek refuzimi i dialogut.
“Nuk ka kundërshtime për shumicën e pikave dhe janë të realizueshme, pavarësisht se studentët me të drejtë duan dokumentin e firmosur në dorë. Rama nga njëra anë i ka hapur rrugë disa kërkesave dhe nga ana tjetër ka nisur në auditorë dialogun ku ka shpalosur pikëpamjet e tij. Ai ka dashur ta përdorë në njëfarë mënyre protestën për të avancuar në disa mendime që ka për universitetin” – u shpreh analisti Zogaj në studion e emisionit “Java”.
Për Zogajn nuk ka hapësirë për dialog për aq kohë sa studentët refuzojnë. Ai u shpreh që dialogu është një nga mjetet më të shkëlqyera në demokraci, por në këtë rast ai do t’i sugjeronte Ramës që të mos mbetet peng i situatës.
“Situata fton për reflektim mbi arsimin e 28 viteve. Por aktualisht studentët janë në sheshe dhe presin jo thjeshtë pranimin e kërkesave por aktin e firmosur. Nëse do të isha në vendin e Edi Ramës, do flisja me sinqeritet se çfarë pranoj dhe çfarë jo” – tha Zogaj.
Në panelin e së premtes mbrëma, Lorenc Vangjeli replikoi duke u shprehur se sa më tepër palët bien dakord në distancë, aq më larg ata duken në pozicionet e tyre.
“Kanë kaluar tre javë dhe jemi ende në mes të tunelit dhe duket se drita e tij është ende larg. Unë e kam cilësuar prej kohësh qasjen e qeverive ndër vite si ‘Sindroma e studentit’. Që do të thotë se ashtu sikurse një student që të mësojë ditën e fundit për provimet. Ashtu edhe qeverisjet shqiptare kujtohen atëherë kur problemi ndodh dhe i mungon shqisa e parashikimit” – tha analisti Lorenc Vangjeli.
Sipas tij, rëndësi shumë të madhe ka investimi në të gjitha hallkat e arsimit. Duke nisur nga ai parashkollor, e duke vijuar me të arsimin e mesëm e deri te studentët.
“Nevojitet në reformim total dhe shumë më tepër fonde për arsimin parashkollor, atë fillor e të mesëm të përgjithshëm e profesional. Madje në këtë të fundit, edhe duke paguar në mënyrë simbolike nxënësit” – tha Lorenc Vangjeli në studio.
Artan Hoxha zbulon atentatin që u mbajt i fshehur
Gazetari Artan Hoxha në emisionin “Java” në RTSH ka sjellë fakte lidhur me një ngjarje të rëndë, të ndodhur mëngjesin e datës 18 dhjetor.
Një automjet i tipit ‘Fiat’ i drejtuar nga shtetasi Eduart Molla, 31 vjeç, banues në Bushat të Shkodrës është sulmuar nga një automjet tjetër i tipit ‘Ford’ me targë AA 917 GI.
“Ngjarja ka ndodhur në aksin Bushat-Shkodër rreth orës 05:45 të mëngjesit.
Dyshimet e para janë për një atentat që është tentuar ti bëhej shtetases Zana Molla, 58 vjeç, gjithashtu banuese në Bushat, Shkodër. Këto dyshime janë hedhur pasi shtetësja Zana Molla së bashku me bashkëshortin e saj Simon Molla kanë denoncuar shpeshherë abuzime të prokurorëve, gjyqtarëve dhe autoriteve lokale me detyrën”,- ka thënë Hoxha.
Sipas gazetarit, automjeti tip “Ford” ka tentuar ta shtyjë drejt një humnere me lartësi 10 metra automjetin e drejtuar nga Eduart Molla.
“Ajo çka i përforcon dyshimet se kemi të bëjmë me një atentat është djegia e automjetit tip “Ford” rreth 5 km nga vendngjarja. Ndërkohë nga kërkimet paraprake rezulton se automjeti me targë AA 917 GI ka qenë i bllokuar në Policinë e Tiranës”,- tha Hoxha.
Por analisti Lorenc Vangjeli e pyeti Hoxhën në mënyrë disi cinike mbi detajet që ai solli në studio: “Pra ti po thua se kundër tyre janë të interesuar për atentat 10-12 gjyqtarë dhe prokurorë?”
Gazetari Hoxha u përgjigj se fakti që hetimet mbi ngjarjen po kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshime të tilla nuk përjashtohen.
Dëbimi i iranianëve, Hoti: Teherani ka perceptim të gabuar për marrëdhëniet me ne
Për herë të parë nga zyra e Presidentit të SHBA. në harkun e dyzet e tetë orëve, u nisën dy letra njëra pas tjetrës në adresë të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Në letrën e parë Presidenti Tramp mbështet dhe inkurajon përpjekjet e Thaçit për të arritur një marrëveshje pajtimi me Serbinë. Ndërsa, në të dytën Presidenti i SHBA i drejton një falenderim kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama pas vendimit të qeverisë shqiptare për të dëbuar ambasadorin e Iranit në Tiranë në kuadrin e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Pikërisht këto dy tema u diskutuan në emisionin “Java në RTSH” mbrëmjen e së premtes ku i ftuar ishte pedagogu Dritan Hoti.
Ai tha se acarimi i marrëdhënieve të Perëndimit me Iranin kanë nisur pasi ky i fundit paraqitet si protektor i botës pan-myslimane.
Hoti tha se strategjia e Teheranit konsiston në përmbysjen e frymës amerikane.
“Irani mbetet një shtet i pabesueshëm për fqinjët dhe botën për shkak të armëve bërthamore” – tha ai.
Sipas pedagogut të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Teherani ka tentuar ndër vite të shtrijë ndikimin e tij në Shqipëri edhe për shkak të elementit mysliman që ekziston në vendin tonë.
Kjo sipas tij, e ka nxitur diplomacinë iraniane që të tentojë të ndërhyjë përmes kërkesave për bashkëpunime dhe investime në Shqipëri.
“Irani ka një projeksion dhe ka tentuar gjithmonë të vejë theksin në bashkëpunimet kulturore dhe fetare me Shqipërinë. Por ky është një perceptim i gabuar pasi ne nuk kemi asgjë të përbashkët. As nuk kemi struktura të integruara mes dy vendeve dhe as nuk kemi qenë ndonjëherë pjesë e kulturave persiane” – tha pedagogu Dritan Hoti në studio.
Ndërkohë që për analistin Preç Zogaj, letra e Presidentit Tramp u parapri dhe kurorëzoi mbështetjen dhe përgëzimet për Tiranën, nga këshilltari i tij për Sigurinë, John Boltion dhe Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.
“Një sinkronizim dhe fuqizim i tillë i qëndrimit nga krerët e politikës amerikane shpjegon shumë gjëra. Së pari, duket qartë se Uashingtoni po e priste këtë qëndrim të Tiranës. Së dyti, veprime të tilla e ekspozojnë çdo vend dhe sidomos një vend të vogël si Shqipëria ndaj hakmarrjes së çdo lloji. Në këtë kontekst, SHBA nxitojnë ti thonë vendit mik dhe aleat nuk është vetëm në këto sfida dhe se ka mbështetjen e fuqishme amerikane. “ – tha Zogaj në studion e emisionit “JAVA në RTSH”.
a.çupaj