Policia e Elbasanit ka zbuluar detaje të reja nga ngjarja tragjike që i mori jetën 37-vjeçarit Ardi Boduri teksa kishte dalë me shokët për gjah. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorine e Policisë Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Preni Zavalina., 27 vjeç, banues në Shals Elbasan.
Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 23.00, në fshatin Shelcan në një zonë të pyllëzuar është vrarë me armë gjahu shtetasi Ardi Boduri 37 vjeç.
Nga veprimet e para të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Elbasan dhe ata të Komisariatit të Policisë rezultoi se viktima së bashku me autorin dhe tre persona të tjerë kishin lidhje fisnore dhe krushqie me njëri-tjetrin.
Me një mjet tip ‘Fuoristradë’ me targa AA721EF kanë dalë për gjueti dhe në momentin që ka gjuajtur gjahun, autori duke qenë në errësirë dhe nën efektin e alkoolit ka qëlluar viktimën nga mbrapa në kokë.
Viktima ka qenë specialist i Pyjeve në Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, dhe mjeti ‘Fuoristradë’ është në pronësi të kësaj agjencie. Viktima ka patur autorizim dhe ka shkuar për vrasjen dhe marrjen e mostrave nga dhelpra e kuqe për shkak të sëmundjes së tërbimit, projekt i autorizuar nga Ministria e Bujqësisë.
Grupi hetimor ka sekuestruar dy armë gjahu dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Në Komisariatin e Policisë Elbasan janë shoqëruar dhe tre persona të tjerë, për veprime të mëtejshme proceduriale./a.meta