Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, tha në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH se qeveria është e gatshme të plotësojë kërkesën e studentëve për uljen e tarifave që në fillim të vitit të ardhshëm.
“Tarifat, që nga 1 janari. Rritjen e subvencionimit nga ana e qeverise që shkon rreth 15 milion dollarë, jemi të gatshëm ta bëjmë menjëherë”, u shpreh Ahmetaj.
Sa i përket rritjes së buxhetit për arsimin në 5% të PBB, Ahmetaj tha se plotësimi i kësaj kërkese kërkon kohë.
“Është e mundur, por 5% kërkon kohën e vet ndër vite,” tha Ahmetaj, ndonëse nuk pranoi se premtimi i PS për ta çuar buxhetin për arsimin 5% të PBB, parashikonte përmbushjen brenda 1 mandati qeverisës.
Ahmetaj komentoi edhe kthimin e Buxhetit 2019 në parlament nga Presidenti I Republikës.
“Presidenti ka bërë edhe politikë me atë kthim sepse nuk ka nevojë të kthehet buxheti. Janë instrumentat që na japin mundësi që ne të akomodojmë kërkesat e studentëve”, tha ministri Ahmetaj në RTSH.
a.çupaj