Nga Mustafa Nano*
Kur nisi protesta e studentëve, të gjithë u vunë në mbështetje të saj. Ishte një festival solidariteti. Kurrë nuk ishin parë ndonjëherë shqiptarët të binin në një mendje mbi një gjë të caktuar, dhe ja, erdhët ju, të dashur studentë, për t’i bërë ata së bashku.
Por nuk u bënë me ju, ngaqë pëlqyen qëllimet e protestës. Jo, u bënë me ju, ngaqë gjysma (socialistët) pëlqyen faktin që ju po protestonit në mënyrë paqësore, dhe nuk kërkonit rrëzimin e qeverisë. Madje, as rrëzimin e ministres nuk kërkonit. As tani nuk e kërkoni.
Ndërsa gjysma tjetër (demokratët) ju mbështetën, ngaqë ju vendosët të mos negocjonit me qeverinë, e me kryeministrin Rama, i cili po ju qurravitet prej 14 ditësh. Nuk është parë ndonjëherë ndonjë kryeministër që t’u përgjërohet protestuesve për një takim.
Çfarë nuk do të jepte për këtë takim! Edhe gjithë qeverinë do jepte, po t’ia kërkonit. Por ju nuk ia kërkoni. Sepse ju nuk doni që protesta të keqkuptohet, apo të përdoret, duke harruar se në ka një gjë që ka krijuar hapësirë për përdorimin e protestës është ky merak i juaji për të mos u përdorur.
E dini? Unë personalisht kam frikë se edhe ju vetë jeni bijtë e bijat e prindërve tuaj, dmth edhe ju jeni demokratë e socialistë. Gjysma juaj do donin që kërkesat të plotësoheshin, e që qeveria të mos dëmtohej asnjë çikë. E gjysma tjetër as që do t’ia dijë fare për kërkesat; ata duan thjesht dëmtimin apo rrëzimin e kësaj qeverie.
Organizimi i kësaj proteste, dhe vendimet që janë marrë prej jush, janë frut i kësaj balance forcash. Dhe kështu kemi këtë protestë konfuze që nuk ka një grup udhëheqës e përfaqësues, që nuk pranon asnjë ndikim politik nga jashtë e që nuk pranon negociata mbi kërkesat që janë bërë.
Hej studentë, ka rrezik që e gjithë protesta të përfundojë si gjëja më qesharake që është prodhuar ndonjëherë në skenën publike shqiptare. Dhe do të ishte traumatike për të gjithë ata që protestën tuaj e kanë pagëzuar me emra të fismë. Prandaj, duhet të ndryshoni strategji.
Duhet të krijoni një leadership. Dhe duhet t’i besoni këtij leadershipi. Nëse nuk keni besim te njëri tjetri, dhe duket që nuk keni, kërkoni mbështetje nga pedagogët, apo nga jashtë. E nëse nuk ua mbush syrin e mendjen askush nga jashtë, atëherë merrnin vendimin për ta mbyllur protestën.
Mbylleni ashtu si e nisët, me një lajmërim të varur në derën e fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit a të arkitekturës, ku të thuhet: Të dashur studentë, ju njoftojmë se sot në orën 16.00 do mblidhemi para ministrisë së arsimit (për qejf të socialistëve), apo kryeministrisë (për qejf të demokratëve), për të deklaruar fundin e protestës.
Qëllimi konsiderohet i paplotësuar. Dhe i paplotësueshëm. Fituan ato që fitojnë gjithnjë këtyre anëve. Partitë. Sepse në Shqipëri askush nuk mund të fitojë kundër tyre.
Nuk ka rrugë tjetër? Në fakt, ka edhe një rrugë tjetër. Ju duhet të ngriheni kundër vetë partive, kundër rendit të prishur të gjërave, kundër sistemit të korruptuar që ka korruptuar çdo gjë. Vetëm kështu do të kishin kuptim edhe kanosjet që ju po bëni me grevë urie, me bllokime rrugësh, e me përshkallëzime të tjera, për të cilat keni folur.
Nëse nuk keni gjë kundër sistemit, dhe deri tani e keni pasur merak të tregoni se nuk keni gjë kundër sistemit, atëherë shkoni negocjoni me kryeministrin, merrni çfarë keni kërkuar të merrni, dhe kthejuni auditorëve. Shfaqja mbaroi. Nesër rikthehet jeta normale. Poshtë studentët! Rroftë sistemi!
*Monologu i kësaj të marte i Mustafa Nanos në emisionin “Provokacija”
a.ç