Lulzim Basha paralajmëron shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë duke deklaruar se ky ligj është përgjegjës për situatën e universiteteve sot dhe që ka ngritur studentët në protestë. I ftuar te “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, Basha iu referua edhe bojkotit të opozitës, duke deklaruar se është gati të djegë mandatet e deputetëve. Kreu i PD foli edhe për mbështetje ndaj protestës së studentëve dhe banorëve të Unazës së Re.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, se PD është gati të djegë mandatet e deputetëve. Basha tha se për rikthimin ose jo në Kuvend do të vendoset nga opozita gjatë kësaj jave. Deputetët e PD dhe LSI ndodhen jashtë Kuvendit prej korrikut të këtij viti, duke qenë në prag të djegies së mandateve.
Basha komentoi edhe protestën e studentëve. Ai tha se do anulojë ligjin e Arsimit të Lartë sapo të vijë në pushtet. Sipas tij, protesta e studentëve është e drejtë pasi qeveria nuk ka investuar në infratrukturën universitare dhe atë akomoduese 5 vitet e fundit. Basha tha se PD ka një plan të qartë për dyfishimin e buxhetit për arsimin si dhe një plan konkret për të investuar në universitete dhe konvikte. Sipas tij, qeveria i ka paratë por nuk do t’i investojë pasi sipas tij ato para janë të destinuara për të përfunduar në xhepat e palëve të treta.
Kreu i PD foli edhe për banorët e “Unazës së Re” duke ritheksuar aty po grabitet prona private dhe buxheti i shtetit. Sipas Bashës, janë 40 milionë euro të cilat janë planifikuar të përfundojnë në xhepat e oligarkëve. Basha do të flasë edhe për Kuvendin Kombëtar të kësaj force politike që u mbajt ditën e shtunë, organizimi për zgjedhjet lokale, marrëdhënien me parlamentin apo dhe protestën te “Unaza e Re”.