“Sundimi i pakicës mbi shumicën sipas modelit 45 vjeçar të Enver Hoxhës”. Kështu e etiketonte ish kryeministri Berisha në korrik të 2012 draftin e opozitës për ndryshime në Kushtetutë sa i përket emërimeve me shumicë të cilësuar në postet më të larta të shtetit si kreun e Gjykatës Kushtetuese, Prokurorin e Përgjithshëm, Presidentin etj. Atëkohë Berisha ishte kryeministër i PD. Sot në opozitë PD kërkon të njëjat gjëra në paketën e propozimeve për reformën në drejtësi. A do të citojë Rama, të njëjtën shprehje që përdori Berisha për të rrëzuar atëhere amendamentet e PS? Mbetet për t’u parë. Javanews sjell të plotë dy projektet dhe deklaratat e ish kryeministrit Berisha që nëmte nismat e PS në 2012, por që tani po të nëjtat nisma i ka sjellë vetë PD për miratim në Kuvend.
Propozimet e PS në korrik 2012 (kur ishte në opozitë)
- Prokurori i përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5-ve të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi. Ai përzgjidhet nga radhët e juristëve me kualifikim e integritet të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
- Të nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës, të zgjidhen me pëlqimin e 3/5-ve te gjithë anëtarëve të Kuvendi.
- Tre anëtarë të KLD-s duhet të zgjidhen nga 3/5-at të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Propozimet e PD në shtator 2015 (aktualisht në opozitë)
- Presidenti i Republikës të zgjedhë një numër kandidatësh, duke respektuar kuotat gjinore. Kuvendi të përzgjedhë nëpërmjet shumicës së cilësuar prej 2/3 ose formulave që garantojnë pjesëmarrje substaciale të opozitës, me mekanizëm zhbllokues.
- Procedura e zgjedhjes së anëtarëve të GjK: në instancë të parë: organ jopolitik si KLD ose vetë GjK, i cili vlerëson përmbushjen dhe vlerësimin e njëkohshëm dhe krahasimor të kushteve dhe kritereve ligjore; në instancë të dytë: organ gjysmëpolitik si Presidenca të propozojë, për secilin post në GjK, një numër të caktuar kandidatësh (në respekt edhe të barazisë gjinore), bazuar në vlerësimin përkatës të kandidaturave të përzgjedhura, nga grupi i kandidaturave që kanë kaluar fazën e parë; në instancë të tretë, miratim në çdo rast me shumicë prej 2/3 prej Kuvendit ose në alternativë, me pjesëmarrje substanciale të opozitës, i pasuar nga një mekanizëm zhbllokues në rast ngërçi.
- Anëtarët jo gjyqtarë të zgjidhen nga Kuvendi me 2/3 e votave (ose me pjesëmarrje substanciale të opozitës dhe mekanizëm zhbllokues).
Argumentat e Berishës kur ishte kryeministër në 2012, për të rrëzuar propozimet e PS
“Rama kërkon që të gjithë krerët e institucioneve, i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, i të gjithë gjyqtarëve të këtyre gjykatave, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm Presidenti i Republikës të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit, çka do të thotë ose zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit, ose mbetje e institucioneve pa kokë. Kjo është Kushtetuta e sundimit të pakicës. Por kjo nuk do t’i vendoset kurrë, këtij vendi! Për 45 vite me radhë, ky vend është sunduar nga një pakicë. Por kanë ikur njëherë e përgjithmonë kohërat, kur një pakicë mund të sundojë këtë vend. Ju garantoj se, në rast se ne do të bënim këtë hap, kërkesa tjetër e zotit Rama do të ishte kryeministri të zgjidhet me 84 vota. Kjo sepse standardi i tij është sundimi i pakicës. Në rast se Presidenti e kryetari i Gjykatës Kushtetuese bllokohet nga pakica, kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet nga pakica, Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga pakica, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit emërohet nga pakica, atëherë përse të mos emërohet edhe qeveria nga pakica!! Ky është varianti i sundimit dhe i diktatit të pakicës mbi shumicën. Zoti Rama mban peng imunitetin për shkak të një kupolë të ngushtë, tre-katër vetë, në Partinë Socialiste, të cilët, duke e ditur qartë se me këtë kurs ajo parti i largohet horizontit të pushtetit me shpejtësi të madhe, duan ta diktojnë marrjen e pushtetit nga pakica, nëpërmjet Kushtetutës së pakicës bllokuese. Kjo praktikë është absolutisht e papranueshme”!