Doni të punoni si mësues, në muajin dhjetor bëhet testi
Ministria e Arsimit shumë shpejt do të nisë regjistrimin e mësuesve në portalin “Mësues për Shqipërinë” që duan të konkurojnë më pas për vendet e lira të punës. MAS thotë se testimi edhe këtë vit do të zhvillohet në muajin dhjetor, ku mund të marrin pjesë edhe mësuesit që kanë dhënë provimin një vit më parë. Nisma e Kryeministrit Edi Rama dhe ministres Lindita Nikolla “Mësues për Shqipërinë”, ka për qëllimin testimin e mësuesve dhe punësimin e atyre që marrin më shumë pikë.
“Njoftohen të gjithë të interesuarit se Ministria e Arsimit dhe Sportit së shpejti do të fillojë procedurat e rregjistrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Çdo individ i interesuar mund të aplikojë në këtë portal dhe menjëherë ai bëhet pjesë e një gare konkurruese që bazohet në meritokraci reale. Të gjithë kandidatët e interesuar do të gjejnë të gjithë informacionin e kërkuar në rubrikat e këtij portali, i cili do të evidentojë në kohë reale statistika të një procesi në vijim deri në ditën e testimit të këtyre kandidatëve”, – thuhet në një njoftim të Ministrisë së Arsimit.