Marcelo pranoi se gjigandët e La Liga-s e humbën Cristiano Ronaldon, por tha se kjo duhej të pritej. Pas nëntë sezoneve të pabesueshme me Real Madridin, Ronaldo u largua nga klubi i bardhë në korrik, duke u bashkuar me kampionin e Seria A, Juventusin.
“Los Blancos” shumë shpejt e ndjenë mungesën e yllit portugez, duke luftuar për ecuri pozitive në fillim të sezonit, para se të bëhej rrokadë në stolin drejtues, Lopetegui- Solari.
Për momentin, ata janë pesë pikë prapa Barcelonës kryesuese në La Liga. Marcelo tha se ishte e qartë se Real Madridi do të humbiste “lojtarin më të mirë në botë”, por beson se kampionët europianë do të jenë gjithnjë dominues. “Po flasim për një lojtar, i cili është shoku im, por ruan miqësi me të gjithë te Real Madridi, edhe me Sergio Ramos e Luka Modric, – tha braziliani për “Club del Deportista”.
– Eshtë e qartë se kur lojtari më i mirë në botë nuk është në ekipin tuaj, do ta humbisni ndikimin e tij. Por, unë nuk dua të them se nuk kemi lojtarët më të mirë në botë, në çdo rol. Çdo ekip do të donte të kishte Cristianon, por Real Madridi do të vazhdojë të jetë Real Madridi, pavarësisht lojtarëve që vijnë dhe shkojnë”.
Ronaldo e ka ruajtur formën e tij të mirë te Juve, duke shënuar 11 gola në 20 ndeshje të këtij sezoni. (Tema)