Nga Ilir Yzeiri/
Edhe në shkrimin e mëparshëm « Studentët janë të zemëruar, jo të varfër » (Tema 7.12.2018), kam përsëritur se greva e studentëve të universiteteve publike është reagim i drejtë i një zemërimi të ligjshëm kundër një modeli të jetës shqiptare që është bërë i padurueshëm për një pjesë të popullsisë së këtij vendi që unë do ta quaj « popull i mohuar ». Do të mundohem t’i paraqit me radhë ato plagë të shoqërisë shqiptare që greva e këtyre studentëve i ka zbuluar tani hapur dhe po na i tregon të gjithëve.
Eshtë një pikë në kërkesat e tyre që thotë se studentët kërkojnë biblioteka funksionale, pra vende që të ulen dhe të studiojnë, kërkojnë tekste me të cilat të mësojnë dhe ato të jenë on-line, ashtu si dhe leksionet e pedagogëve. Kërkojnë me shumë të drejtë që trupa akademike të verifikohet, pra titujt e gradat shkencore të zbardhen, të tregohen plagjiaturat dhe të vlerësohet performanca e trupës akademike. Po ashtu, studentët kërkojnë që të kenë më shumë peshë në zgjedhjet universitare, pra të rritet nga 10 në 50% pesha totale e votës për të zgjedhur trupën akademike. Të gjitha, këto bashkë me kërkesat për të ulur tarifat e studimit, dhe për t’i përgjysmuar ato, plotësojnë kuadrin e kërkesave të grevës.
Në fakt, të gjitha këto kërkesa janë një protestë e hapur, e sinqertë dhe e drejtë për të refuzuar modelin e jetës që kanë aplikuar në Shqipëri elitat politike. Të gjitha ato elita dhe kjo qeveri e sotme, gjithashtu, kanë zgjedhur si model që të ndërtojnë një shoqëri të ndarë, me një popull që jeton në luks dhe me një tjetër që duhet të jetojë ashtu si t’ia marrë mendja, si një popullsi e harruar. Nxitja e kapitalizmit të egër dhe modeli për të rrëmbyer gjithçka nga pasuria e përbashkët, krijoi shtresën e cubave politikë dhe të gangsterëve profesionistë, dhe e ktheu përfaqësimin politik jo në delegim të qeverisjes nga poshtë, por në anëtarësim të një pjesë të popullsisë në parti, të cilat, këtej e tutje, do të vepronin si Sh.P. K. Anëtarët e tyre do të kishin të drejtë për punësim dhe për benefite të tjera. Populli tjetër ishte vetëm një numër që llogaritej ose mashtrohej sa herë që vinin zjgedhjet.
Nga viti 1992 deri më 1996, PD-ja, që erdhi si shpresë e shqiptarëve, u ofroi atyre si model të jetës pasurimin e shpejtë dhe me çdo çmim. Trafiku, prostitucioni, kontrabanda e naftës me Serbinë në luftë, kulmuan me skemat piramidale, dhe viti 1997 na tregoi në mënyrë makabre se,
pas përmbysjes së komunizmit, ne kishim zgjedhur si model jetën e kriminalizuar. Në vend të « heroit të ri komunist » apo në vend të « shqiptarit që jepte jetën për atdheun e partinë », u shfaq modeli i shqiptarit që, për të bërë para apo lekë, ishte gati të shiste gjithçka, deri edhe kushurirat e motrat në rrugët e Europës.
Ndërkaq, në këtë ndërkohë, universitetet, spitalet, shërbimet publike që ishin ndërtuar dhe ishin përhapur në të gjithë Shqipërinë në formën e qendrave shëndetësore, u shpartalluan dhe u nxorrën në rrugë të madhe. Qytetit Studenti iu vërsulën të majtë e të djathtë, nga veriu e nga jugu dhe zaptuan gjithçka që ishte me leje e pa leje. Ndërtimi dhe llaçi e betoni u shpallën motorrë të zhvillimit. Kuptimi i jetës në Shqipëri po e humbiste përmbajtjen. Të jetoje në këtë vend do të thoshte të gjeje një mundësi që të bëje lekë, të bëje para ashtu siç bënin politikanët, banditët dhe starët e rinj që po shfaqeshin nëpër televizione. Studentët dhe arsimi, dija dhe biblioteka u shpallën modele të vjetëruara dhe idiote. E mbani mend si u shpartallua Pallati i Madh i Kulturës dhe si u mbush dhe si vazhdon të jetë i mbushur edhe sot me lloj-lloj biznesesh.
Duke shkatërruar modelin e jetës që ndërtohet duke mbushur kokën me dije dhe duke ofruar modelin e klientelizmit politik, dhe të banditëve e gangsterëve ordinerë, elitat politike e çuan gati në karikaturë dhe në tallje makabre kuptimin për universitetin. U çelën me dhjetëra universitete private që i ndryshuan kuptimin botës akademike. Nga vende të dijes ato u kthyen në ofiçina të pajisjes me diploma për administratën shtetërore të radhës. Vendi po qeverisej me parti që i ndërronin të punësuarit sipas sezonit politik.
Studentët e sotëm, me protestën e tyre dinjitoze, na treguan se gjithë ky mjerim dhe gjithë ky kriminalizim i pështirë që i është bërë jetës shqiptare, nuk mund të vazhdojë më.
Studentët janë të zemëruar dhe kërkojnë ndryshime thelbësore, sepse ata ndjehen të përjashtuar nga atdheu i tyre. Në Shqipëri nuk ekziston tregu i punës që të nxisë dhe të joshë ata për të vazhduar studimet këtu.
Të gjitha institucionet shtetërore që merren me punësimin në këtë vend janë zyra partie. Po marr vetëm arsimin, meqenëse një pjesë e studentëve të mi, pasi mbarojnë shkollën, duhet të punojnë si mësues. Kush ka bërë një studim deri tani se çfarë nevojash ka ky vend për mësues dhe ku i ka ato nevoja ? Përse duhet një student të bëjë 5 vjet shkollë, duke paguar tarifë pas tarife dhe, në fund, pasi ka marrë diplomën, ai është një një askush, një mumër në Drejtorinë Rajonale të
Arsimit dhe që të fillojë punë në profesion duhet të ndodhë mrekullia, pra, duhet që Jezusi të zbresë edhe njëherë në tokë.
Qeveria e sotme, për fat të keq, e injoroi këtë popull të zemëruar dhe të përjashtuar dhe sot është e detyruar që të marrë koston. Studentët, me të drejtë, nuk e pranojnë dialogun me Kryeministrin, sepse dialogu nuk zgjidh gjë. Dialogu duhet për të adresuar problemin. Studentët e kanë adresuar problemin me qartësi të pashoqe. Ai, nëse është burrë shteti, duhet të tregojë se a mundet qeveria e tij t’i zgjidhë ato kërkesa ? E vetmja gjë që mund të negociohet është afati kohor.
Për ta përmbyllur do të shtoja edhe diçka në fund. Modeli i shëmtuar i jetës që kemi ndërtuar duket edhe në rrëfimin që i bëjmë jetës sonë përmes mediave. Kush më thotë mua se sa vend zënë në rrëfimin e përditshëm jeta e këtij populli të harruar. Mediat tona janë pasqyrë e jetës boshe dhe rrumpallë të dashnoreve të kriminelëve të drogës, të këngëtarëve të tallavasë që kanë si kult konsumin dhe drogën dhe sukseset ekonomike të qeverisë maten me arritjet e kontratve për kompanitë monopol. Sa herë që flitet për arsimin do të kemi ndonjë kronikë për një shkollë që ka dhjetë vjet që është ndërtuar, por nuk funksionon, për ndonjë fshat të humbur ku fëmijët bëjnë mësim në haur apo për ndonjë mësues që, së bashku me drejtorin, e ndërtojnë vetë shkollën. Dhe e fundit, si ka mundësi që Qyteti Studenti, godinat e tij, që janë ndërtuar në një vend të shkëlqyer në Tiranë, kanë mbetur po ato të kohës sime të viteve ’80, një kat me dhoma dhe një hale në fund. E pra kanë kaluar rreth 30 vjet.