Nga Mira Kazhani
Ka një lukuni mesazhesh që më vijnë në inbox (kryesisht në instagram sepse vetëm atë përdor), ku ndihet revolta apo solidariteti i gjerë me studentët. Kam dëgjuar disa prej tyre dhe realisht janë të gjithë të edukuar ( me ndonjë përjashtim të vogël) dhe sidomos frymëzues.
Studentët erdhën si forma më e mirë e mundshme e reagimit për një qeveri, e cila duke mos patur opozitë, është bërë monologiste dhe jo pak herë arrogante.
Kryeministri ka shpenzuar një pjesë të mirë të vitit duke u marrë me kunja e batuta me Ylli Rakipin, Zhejin, Fevziun, Rudinën apo Enin, dhe plotë të tjerë që ai i quan kazan.
Në fakt, sot po përballet me kazanin e vet dhe gabime personale, përfshi edhe reagimin e nxituar me ‘mbetësit’.
Do të ishte shumë më mirë të harxhonte më pak kohë me ish shokët e tij dhe të kish pas mendjen tek qeverisja. Ja që të vjen radha.
Sot kryeministri duhet t’u thotë Po studentëve dhe të mos lejojë përdorjen e tyre dhe as mos lodhet me propagandë gjetjesh armiq mes turmës, të pasur apo të varfër.
Studentët do paguajnë sigurisht, edhe pse ata janë më shumë vonesë në këtë protestë ( ‘strange’ nga koha dhe mënyra e beftë e shpërthimit pa asnjë shkak, kur ka dy vite që është miratuar ligji) që mbart idhnimin e tyre me qeverinë.
Po le ta lëmë pak anash këtë, se do e sqarojë koha: Studentët a kanë të drejtë? Po, sepse edhe një mendje që i bie shkurt e di se një qeverisje e majtë mendon për të varfrin dhe parashikon skema kompensimi për atë të pamundurin; një qeveri normale krijon raport të drejtë mes asaj që paguhet dhe asaj që ofrohet.
Nuk paguan një i varfër që është student i mirë dhe me studimet dhe dijen mund të nxjerrë familjen nga varfëria.
Kryeministri ka në dorë sot të rishikojë të besuarit e tij për këtë ligj, por nga ana tjetër studentët nuk mund të mos pranojnë të dialogojnë sy më sy, sepse kjo do ishte anarki dhe do e bënte protestën e tyre që deri më tani është dukur e çiltër, në një lëvizje të çuditshme për destabilitet vetëm dhe jo për zgjidhje të ngërçit në arsimin e lartë.
Edi Rama duhet vënë në provë dhe studentët e kanë këtë shanc. Në vijim prova më e madhe është shembja e establishmentit të sotëm në universitete. Është i korruptuar. Nëse e bën këtë, do të thotë të kthehesh të qeverisësh!(Tiranapost)