Kryeministri Edi Rama ka bërë një apel për studentët që protestojnë prej pesë ditësh para MASR.
Rama ka përsëritur ftesën për një takim ditën e hënë në orën 11:00.
Shefi i qeverisë tha se nuk do shpërndarjen e protestës por as qëndrimin e studentëve në protestë pasi kjo i rrezikon ata që të bien pre e interesave politike dhe mediatike.
Ai u shpreh gjithashtu se nuk do as një fitore momentale të studentëve, por një zgjidhje largpamëse për t’i dhënë fund, siç tha ai, sëmundjes së brendshme të universiteteve.
“Nevoja për më shumë financim, infrastrukturë, kusht më të mira, është e ditur. Por dua ta them qartë fare se as ulja e tarifave, as investimet, as biblioteka e re, gjëra që po bëhen, nuk administrojnë sëmundjen, por vetëm simptomat. Këto duhen padyshim. Kemi bërë më shumë se ata para nesh, por e di që sërish nuk mjafton. Por sot nëse duam ta kthejmë këtë zgjim studentor momental nmë një moment vendimtar, na duhet një lëvizje e fortë dhe e bashkuar.
Nuk po përpiqem t’i bëj magji protestuesve që të shpërndahen se nuk dua që të marrin një fitore momentale… Nuk dua që të rrinë mbledhur derisa të bien në kurthin e kazanit politik dhe mediatik ku i joshin për të nxjerrë nga zjarri gështenja që për vetë si nxjerrin kurrë se askush nuk i merr seriozisht. Pikërisht tani duhet tentuar një strategji e përbashkët student-qeveri.
Për ta vënë në jetë këtë duhet një bashkim i qeverisë, studentëve dhe pedagogët që duan dalje nga qarku vicioz dhe jo zgjidhje nga qarku vicioz për të dalë nga korrupsioni dhe keqadministrimi i universitetit. Studentët nuk e bëjnë këtë nga poshtë pa qeverinë, sepse nuk kanë autoritet vendimmarrës, ndërsa qeveria nuk e bën dot nga lart pa ata. As qeveria nuk është pa kusure në këtë moment” – tha Rama.