Vendosja e dekriminalizimit të politikës me ligj nga ana e opozitës si kusht për kthimin në Kuvend ka qenë tema e debatit në emisionin “Java në RTSH”.
Për analistin Preç Zogaj opozita do ta rishikojë pozicionin e saj dhe ndërprerja e bojkotit është e mundur. I pyetur nga kolegu Lorenc Vangjeli nëse bojkoti si armë politike ka dhënë rezultate, Zogaj solli në vëmendje disa raste. Sipas tij, sukeset e një bojkoti maten kryesisht me “zgjimin” e faktorit ndërkombëtar. Ai u shpreh se bojkotet kanë dhënë rezultat kur kanë patur si motiv manipulimin e zgjedhjeve apo ngjarje të renda që përligjin reagime të forta.
Ai solli shembull bojkotin e PD në vitin 2001 për shkak të manipulimit të disa mandateve nga shumica socialiste e kohës.
“Berisha ndërmori një tur për të sensibilizuar Europën për të vërtetën e artyre zgjedhjeve, duke paraqitur një dosje voluminoze të manipulimeve.Mbi këtë bazë Bashkimi Evropian diktoi zgjedhjen konsensuale të Presidentit që erdhi me marrëveshjen Nano-Berisha” – tha Zogaj.
Për bojkotin e tanishëm të PD ai tha se ka paqartësi a është bojkot apo marrëdhënie e kushtëzuar me Kuvendin. Zogaj e konsideroi nonsens parlamentar bojkotin që vendos si kusht një projekt ligj. Ai parashikoi se pas opinionit përfundimtar të Venecias për vetingun në politikë opozita do të kthehet në Kuvend.
Analisti Lorenc Vangjeli foli për përgjigjen e Komisionit të Venecias teksa tha se opozita do të kthehet në Kuvend “krenare, por me mandate të padjegura…”
“Ka një perceptim sikur Komisioni i Venecias është i përbërë nga juristë të moshuar që lexojnë libra dhe rrinë të mbylkur në biblioteka. Në fakt nuk është kështu. Kanë shumë informacion, të marë nga shumë burime, e njohin shumë mirë Shqipërinë dhe vendimi i tyre nuk është vendim i thjeshtë juristësh, pavarësisht se është i shkruar me gjuhën e tyre të akullt. Në këtë rast ata nuk i janë drejtuar vetëm partive politike” – tha Lorenc Vangjeli. Sipas tij Venecia pranoi fenomenin – lidhje të papërshtatshme të politikës me krimin – por thanë se ai luftohet me mjetet dhe mekanizmat ligjorë në fuqi. “Shqipëria ka ligji kryesisht të shkruara mirë dhe në Evropianërisht, por që zbatohen në mënyrë ballkanike”, tha ai.
Vangjeli paralajmëroi se pavarësisht rikthimit, opozita do ta vijojë bojkotin pasi të shpëtojë mandatet, për t’i lënë vendit një paralament një-ngjyrësh edhe për disa kohë.
“Besoj se çështja e bojkotit është një ngërç që do të zgjidhet. Venecia hoqi së fundmi këtë kusht të opozitës dhe ajo do të rikthehet në Kuvend për të mos djegur mandatet, por për ta vazhduar më tej bojkotin. Më pas do të shohim sërish një parlament një-ngjyrësh” – tha analisti Lorenc Vangjeli.
***
Eskluzive në Java në RTSH: Gjiknuri dorëzon dosjen për “Unazën” në ambasadën e SHBA
Ministri i Transportit Damian Gjiknuri ka kontaktuar dje me përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Vetëm pak orë pas publikimit në media të skandalin me kompaninë DH Albania, Gjiknuri ka bërë hapin e papritur që herët në mëngjez.
Lajmin është bëri i ditur në panelin e emisionit “Java” me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli. Lorenc Vangjeli tha se ministri Gjiknuri ka vënë në dispozicion të ambasadës një dosje voluminoze me qëllim zbardhjen sa më parë të së vërtetës për kompaninë DH Albania, fituese e tenderit 18 milion euro për ndërtimin e Lotit të parë te “Unaza e Re”.
Kjo kompani, e cila është degë e kompanisë offshore Dunëell Haberman, të regjistruar në shtetin Delaëare të SHBA-ve, akuzohet se ka falsifikuar një sërë dokumentesh zyrtare amerikane.
“Duke nisur nga e enjtja, janë bërë disa veprime. Eshtë bllokuar Loti i parë, nuk do të ketë asnjë lëvrim fondesh, çka e bën zero dëmin financiar të skandalit, e dyta është që prokuroria ka nisur hetimet. Dhe hapi I tretë është që në këtë histori ka ndërhyrë edhe ambasada amerikane, për të ndihmuar sa më parë zbardhjen e kësaj historie” – tha Vangjeli.
***
Çfarë po ndodh me studentët? Ministrja Nikolla flet për të nesërmen e protestës
Në një kohë që protesta e studentëve që kërkojnë reduktim të tarifave dhe përmirësim të kushteve në Qytetin e Studenti, ka zënë aktualitetin e ditës, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ishte e ftuar në mbrëmjen e së premtes në emisionin JAVA në RTSH.
Përballë analistëve Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli dhe në një panel të përbërë edhe nga pedagogu Mark Marku, dhe Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, ministrja Nikolla foli dhe adresoi të gjitha çështjet që shqetësojnë studentët.
Reduktimi i tarifave, përmirësimi i kushteve në Qytetin Studenti, përfaqësimi në borde, karta e studentit etj janë disa prej kërkesave të studentëve për të cilat Nikolla debatoi në studio.
Për ministren Nikolla, dikasteri që ajo drejton nuk kishte një informacion të parë për shqetësimet e studentëve.
“Nga protesta kuptova sesa pak komunikojnë dhe informohen studentët. VKM-ja ka dalë në maj dhe nuk ka veti prapavepruese. Pra efektet e saj për pagesa do të nisnin vitin e ardhshëm. Padyshim që këtu kanë përgjegjësi dekanët dhe rektorët që nuk kanë komunikuar me studentët” – tha Nikolla.
Sipas ministres së Arsimit, fillimisht studentët janë paraqitur me një kërkesë që përmbante tre pika. Pas shfuqizimit të VKM-së, Nikolla tha se kërkoi një takim me përfaqësuesit e studentëve për të arritur në një debat shterues.
Ministrja nënvizoi ndjheshmërinë e qeverisë ku bën pjesë për të nisur sa më shpejt dialogun me studentët. “Studentët nuk kanë pranuar që të ketë një dialog. Unë mezi e pres që të nisë një proces i tillë. Sot më ka ardhur një shkresë e re ku shtohen edhe disa pika të tjera” – tha ministrja Nikolla në “JAVA në RTSH” teksa tha se duhet që të gjitha palët të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Ajo tha se diskutimi është delikat, sa kohë që kërkesat duket edhe sikur nuk shkojnë drejt një qëllimi të vetëm. “Kërkohet ulje e tarifave, rritje e numrit të studentëve dhe rritje e cilësisë së mësimdhënies. Më thoni se në çfarë mënyre mund të bëhet një gjë e tillë:, pyeti ministrja në mënyrë retorike.
Për pedagogun Mark Marku, prej vitesh është kuptuar që studentët janë të frustruar dhe të varfër.
“Në të gjithë këtë situatë që na shfaqet tani me forcë për shkak të masivitetit, unë mendoj se mblidhen shumë gjëra. Tani nuk arrijmë të kuptojmë çfarë po ndodh. Çfarë i takon të tashmes dhe të djeshmes. Unë mendoj se kërkesat e studentëve janë të drejta. Jo të gjitha, sepse aty ka edhe kërkesa pa sens në kuptimin akademik. Por pse duhet të paguajë studenti për një takim kur nuk ka asnjë shpenzim shtesë universiteti. Ne si trup akademik jemi pa kosto. Pra këto tarifa kanë qenë një barrë shumë e rëndë për studentët” – tha Marku.
Aktivisti Rigels Xhemollari tregoi se indicia e protestës ishte VKM-ja Nr.288 dhe më pas kërkesat u shtuan nga ana e studentëve.
“Ajo që ndodhi është se iu tregua të gjithë shoqërisë se qytetarët janë më të fortë se politika. Gjithçka nisi në Universitetin Politeknik të Tiranës kur studentëve u erdhi fatura për ta paguar brenda datës 15 dhjetor. Përveç kësaj erdhi edhe tarifa e riprovimit” – tha Xhemollari në studio.
Analisti Lorenc Vangjeli tha se të premtosh sot shërbime falas është më shumë sesa naivitet dhe t’i premtosh ato është më shumë sesa demagogji. Referuar kërkesës për arsim pa pagesë, Vangjeli tha se gjithçka e ka një çmim, sikurse në komunizëm ku as arsimi dhe as shëndetësia nuk ishte falas siç thonin demagogët dhe besonin naivët.
“Nuk mundet që të ketë universitete falas. Arsimi i lartë nuk është e drejtë e cilitdo. Statusi i studentit kushtëzohet nga talenti apo xhepi familjar. Të hysh në universitet nuk do të thotë të dalësh me diplomë nga auditorët” – tha Vangjeli në hyrje të emisionit, i cili e konsideroi protestën dhe vetë studentët, një pasuri kombëtare.
Për analistin Preç Zogaj Dhjetori i pare 1990 dhe ky i këtyre ditëve kanë ngjashmëri te protagonizmi studentor.Në mes janë 28 vite,tha ai, duke e vlerësuar protestën si një zgjim të ri.
“Dhjetori i dytë ka nevojë për pikën 4” – tha Zogaj duke sqaruar se pika 4 e kërkesave të dhjetorit 1990 ishte pluralizmi politik si kërkesa që ndau epokën.
“Sot kjo mund të formulohet si rithemelim i pluralizmit që është kompromentuar nga teatraliteti dhe simulimi. Por mund të formulohet edhe si përballje me korrupsionin në sistem që varfëron familjet” – tha analisti Preç Zogaj.