Nga Ilir Yzeiri
Ka shumë mënyra për ta lexuar protestën e studentëve të universiteteve publike, por, ajo që bie në sy, është dinjiteti i shfaqur në këto manifestime, solidariteti dhe konkretësia. Kërkesat e tyre, po t’i vështrosh me kujdes, megjithëse duket sikur kanë të bëjnë me tarifat, në fakt, janë më të thella.
Dy pikat e tjera të kërkesës, ato për përmirësimin e jetës në konvikte, dhe kërkesa që të ndryshojë raporti i përfaqësimit në bordin e administrimit të universiteteve, janë kërkesa të përgjithshme që, të formuluara ashtu, nxjerrin më shumë në pah një farë zemërimi të studentëve sesa kërkesën për t’i zgjdhur ato.
Po ashtu, ajo që ra në sy menjëherë ishte pjesëmarrja e madhe dhe solidarizimi i studentëve dhe pedagogëve në pothuajse të gjitha universitetet publike. Pra, ata që protestonin nuk ishin studentët ngelësa, siç u ngut Kryeministri dhe i etiketoi në fillim, por ishin masa e madhe e studentëve dinjitozë që duan të mbrojnë një kauzë të përgjithshme, më të madhe sesa ajo që ata shfaqën në kërkesat e tyre. Po ashtu, manifestimi jashtë ndikimit politik të opozitës i dha një përmasë edhe më serioze kësaj proteste.
Populli është këtu, por askush nuk e frymëzon më
Gjëja e parë që na tregoi kjo protestë është se opozita në Shqipëri nuk ekziston. Qysh se Edi Rama dhe PS erdhi në pushtet, ky është rasti i dytë, pas mainfestimit për mospranimin e armëve kimike, që protestuesit vënë në vështirësi qeverinë. Në këta pesë vjet e gjysmë, opozita përdori gjithë arsenalin e luftës së egër me etiketime dhe me fjalorin e luftës dhe nuk arriti kurrë që të bëhej e besueshme, apo që të zgjonte interesin e opinionit publik. Bashkë me opozitën, edhe një pjesë e madhe analistësh e studiosh televizive, të zemëruar me megallomaninë e Edi Ramës, nxisnin thuajse çdo javë përplasje me qeverinë duke e akuzuar atë për të gjitha monstruozitetet e kësaj bote. Puna arriti deria aty sa këtë të zemëruar deri në palcë, nisën ta quajnë popullin « dele ». Personalisht kam qenë dhe jam i bindur se opozita dhe ligjërimi i saj politik ashtu sikundër dhe aksionet e saj politike, jo vetëm që nuk frymëzojnë opinionin e gjerë publik, por, ato, edhe vetë militantët e kësaj force, i kanë lodhur, i kanë mërzitur dhe zhgënjyer. Pikërisht, në këtë atmosferë, studentët shqiptarë treguan se populli është këtu, se shpirti i revoltës dhe i kundërshtimit të arsyeshëm nuk është shuar. Protesta e studentëve është as më pak e as më shumë por një refuzim total i kësaj elite politike. Duke qëndruar jashtë ndikimit dhe rrezes politike të vendit, studentët po i japin një leksion të çmuar demokracisë dhe atyre që e analizojnë atë.
Përgjigje edhe për arrogancën e qeverisë
Unë vijoj të jem i bindur se Edi Rama dhe qeveria e socialistëve në këta 5 vjet qeverisjeje, kanë bërë plot punë të mira. Sidomos në arenën ndërkombëtare, ne kemi pasur një përfaqësim më dinjitoz, por edhe formalizimi i ekonomisë, rilindja e qyteteve dhe dinamizmi që po shfaq ekonomia shqiptare e privatëve, meritojnë të përshëndeten. Ndërkaq, për të qene koherent me veten time, po e përsërit edhe këtu se kabineti nr i 2 i Ramës, pra riciklimi i disa ministrave edhe në kabinetin e dytë, me përjashtim të Fatmir Xhafajt, ishte një zgjidhje e gabuar dhe mendjemadhe e arrogante e Ramës. Nuk mund ta kuptoj se si mund të riciklohej edhe me një post më të fuqishëm akoma Arben Ahmeti, i cili është përgjegjës të paktën për një histori të kohëve të fundit. Mediat raportuan se një kompani e madhe koreanojugore nuk arriti të vendosej në Shqipëri për shkak të klimës së rëndë dhe mbytëse të korrupsionit dhe burokracisë së llahtarshme që kishte hasur. Përreth dy vjet ai nuk kishte arritur të merrte territorin që i ishte premtuar për të ndërtuar investimin e tij që do të punësonte rreth 300 ose 400 veta. Si ai edhe shumë ministra të tjerë, tani, nuk dinë çfarë të bëjnë në zyrat e tyre sepse idetë i prodhon dhe i shet vetëm Edi Rama.
Studentët dhe Universiteti
Kërkesat që kanë ngritur studentët janë vetëm maja e ajsbergut e problemeve që, ne, pedagogët, ndeshim aty. Ka pesë vjet që Ministria e Arsimit nuk nxjerr aktet nënligjore për titujt dhe gradat shkencore. Sistemi i doktoraturës në universitetet publike është bllokuar prej pesë vjetësh dhe të drejtën e ka marrë vetëm një universitet privat. Asnjë universitet rajonal nuk e ngre dot Këshillin e Profesorëve sepse, sipas Ligjit të Ri të Arsimit të Lartë, numri i atyre me tituj « Profesor » është shumë i lartë.
Ndërkaq, ky vendim përjashtues dhe denigrues i pengon universitetet rajonale që ta plotësojnë këtë numër me pedagogë të huaj. Universitetet publike vijojnë të funksionojnë si ndërmarrje të kalbura komuniste dhe shteti është krejtësisht dorëjashtë ndaj tyre. Ministria e Arsimit nuk ka nxitur dhe nuk nxit filtra të tilla që të verifikojnë plagjiaturat, që të largojnë të paaftët që kanë vite e vite dhe nuk kanë realizuar kualifikimin shkencor. Po ashtu, universitetet e vendit, jo vetëm që nuk prodhojnë dije, por ato janë kthyer në punishte të rëndomta në të cilën, për fat të keq, vjen një produkt që është formuar po ashtu keq në ciklin parauniversitar.
Gjendja e universiteteve reflekton krizën e thellë të modelit intelektual që ka ky vend. Insitucione të rëndësishme, si Akademia e Shkencës, Biblioteka Kombëtare apo edhe ndonjë institucion tjetër shkencor ose janë harruar fare nga shoqëria, ose vijojnë të popullohen, në të shumtën e rasteve, nga nëpunës të vjetër dhe pa asnjë ide. Shoqëria shqiptare po krijon me shpejtësi modelin e një jetë që mbështetet mbi fitimin me çdo çmim dhe me çdo kusht. Shqipëria nuk është më vendi i njerëzve që kanë mundësi dhe hapësira të studiojnë e të mbushin kokën, por një tokë e shkretë, banorët e së cilës jetojnë me ankthin që të rrëmbejnë ç’të mundin dhe t’ia kalojnë tjetrit.
Është e paimagjinueshme se si ka mundësi tani që Kosova, apo shqiptarët anembanë globit, mund të komunikojnë lirshëm me Shqipërinë dhe përsëri mes tyre ka mure që nuk i lënë të bashkohen dhe të krijojnë jo vetëm kultin plaçkitjes, por edhe kultin e dijes dhe të punës. Edi Rama ka bërë mjaft punë të mira, por arroganca që ka treguar duke shpërfillur Akademinë e Shkencave, Ministrinë e Kulturës, Universitetet dhe Radio Televizioni Shqiptar është një kosto që natyrisht nuk e ndien përsa kohë që ke përballë këtë opozitë. Mirëpo, në rast se zgjohet pupulli i zemëruar, siç po ndodh me studentët, puna ndryshon.